2011-05-03 16:06:50

Do të transmetohet videoja e varrimit të Bin Ladenit. Atë Samir:nëse vjen demokracia terrorizmi nuk ka të ardhme.


Lajmi i vrasjes së kryeterroristit Osama Bin Laden do të shoqërohet, gjatë orëve të ardhshme, edhe me dokumente ekskluzive. Administrata amerikane njoftoi se do të bëhet publike videoja e ceremonisë së varrimit të liderit të Al Kaedës. Burime nga shtypi amerikan njoftojnë gjithashtu se shpejt do të transmetohet edhe mesazhi i fundit i Osama Bin Ladenit, regjistruar pak ditë para sulmit të forcave speciale në Abotabad të Pakistanit. Vdekja e sheikut saudit është intepretuar nga shumë analistë si fundi i një epoke, por rrjeti i Al Kaedës është gjallë e gjithnjë i rrezikshëm, siç nënvizon në mikrofonin tonë, islamologu jezuit egjiptian, atë Samir Khalil Samir:...RealAudioMP3
Nuk besoj se kjo vdekje do ta ndalë terrorizmin – megjithëse Bin Ladeni mbante flamurin e tij – sepse është gjallë numri dy, doktori egjiptian Zavahiri, por edhe dhjetra krerë të tjerë të terrorizmit në të gjithë botën islamike e gjetiu. Mendoj se lufta do të vazhdojë akoma gjatë, derisa të zgjidhen problemet e botës islamike.
A mund të shpresojmë për këtë?
Ndoshta, një shpresë e vogël lind nga ndryshimet e çastit në botën arabe. Nëse do të arrihet vendosja e një shoqërie më demokratike, më paqësore, atëherë terrorizmi nuk do të ketë më vend, pasi pjesërisht është reagim ndaj padrejtësive të botës islamike. Thuhet shpesh se është reagim ndaj Perëndimit e, edhe kjo është e vërtetë, por Bin Ladeni filloi nga Arabia Saudite. Jeta e tij tregon se në botën arabe e islamike ndjehet se diçka nuk shkon. Të shpresojmë që “pranvera arabe” të jetë vërtet pranverë.
Si duhet ta interpretojmë këtë periudhë historike të botës arabe?
E sigurtë është se po jetojmë një çast kyç të historisë moderne të botës arabe. Njerëzit duan të jetojnë në paqe e jo në pabarazinë e jashtëzakonshme ndërmjet të pasurve e të varfërve e këtë duhet ta theksojmë. Bashkim për të ndërtuar një botë më të drejtë: një botë arabe, islamike, të krishterë, perëndimore, lindore… Të gjithë kërkojnë të njëjtat elemente themelore.
Administrata amerikane, e cila po vlerëson edhe mundësinë e publikimit të fotografive të trupit pa jetë të Osama Bin Ladenit, njoftoi se ADN-ja e personit të vrarë në Pakistan korrespondon me 99% me atë të sheikut saudit. CIA amerikane ka marrë gjithashtu në dorë arkivin sekret të kreut të Al Kaedës: kompiuterë, compakt disqe e materiale të tjera, që mund të shërbejnë për parandalimin e sulmeve të ardhshme terroriste. Mbi rëndësinë e vrasjes së kreut të Al Kaedës, ndalet në mikrofonin tonë, teologu mysliman Adnane Mokrani, pedagog në Universitetin Papnor Gregorian në Romë:
Vrasja e Bin Ladenit është zhdukja e një simboli terrori. Por, sipas meje, më e rëndësishme është vdekja e ideologjisë së tij kriminale. Në revolucionet arabe, paqësore, liridashëse, për të drejtat e njeriut, shohim kapërcimin e valës së terrorizmit të Bin Ladenit. Terrorizmi i Al Kaedës nuk ka të ardhme, nuk ka asnjë perspektivë. Nuk arriti të përfshijë opinionin publik, popujt, e braktiset gjithnjë e më shumë.







All the contents on this site are copyrighted ©.