2011-05-03 16:06:36

Dita Botërore e lirisë së shtypit. Lutja e Papës për muajin maj: mediat të respektojnë të vërtetën e dinjitetin e njeriut.


Ndjeti i Përgjithshëm i lutjes për Apostullimin e Uratës së Atit të Shenjtë, Benediktit XVI, për muajin maj, është: “Të lutemi për të gjithë ata, të cilët punojnë në mjetet e komunikimit, që ta respektojnë gjithnjë të vërtetën, solidaritetin dhe dinjitetin e çdo njeriu”. Flasim sot për këtë ndjet, pikërisht në Ditën botërore kushtuar lirisë së shtypit, “e cila – siç nënvizon në mesazhin e tij, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun – është një nga mjetet më të fuqishme për të zbuluar problemet e për të rifituar besimin e opinionit publik” kur “qeveritë i shtypin popujt, duke iu larguar çdo lloj kontrolli”. Në mikrofonin tonë presidenti i Federatës kombëtare të Shtypit Italian, Roberto Natale:.......RealAudioMP3
Vërtetësia dhe përgjegjësia janë – ose duhet të jenë – gurët kilometrikë të profesionit. Sigurisht, pavarësisht nga fakti nëse beson apo jo, respektimi i të vërtetave themelore sanksionohet në ligjin themeltar të çdo Urdhëri profesional. Sot, “vërtetësi dhe përgjegjësi” do të thotë të tregojmë realitetin e jo ta krijojmë atë, për t’i kthyer njerëzit në spektatorë-fëmijë e për t’i marrë për dore drejt kësaj, apo asaj pale në lojë. “Vërtetësi e përgjegjësi” do të thotë të kemi parasysh ndikimin gjithnjë e më të madh të informacionit e të komunikimit në jetën e njerëzve. Në ditët e kaluara, lexuam së bashku mesazhet e Gjon Palit II për 26 Ditët botërore të komunikimeve shoqërore. Në një nga mesazhet e para, Papa Vojtila shkruante: “Kini parasysh se spektatorët – fliste për fëmijët, por jo vetëm për ta – janë si dyllë i butë”. Kjo është përgjegjësia jonë. E më vjen në mend edhe mesazhi i Gjon Palit II në vitin 1979, para mëse 30 vjetëve, kur akoma askush nuk e dinte se ç’është “share” (përqindja e spektatorëve, që ndjekin një program të caktuar). Gjon Pali II shkruante: “Kini kujdes të mos e orientoni punën në kërkim të maksimumit të spektatorëve”.
Për t’u nënvizuar, se “gazetarët perceptohen gjithnjë e më pak si vëzhgues të jashtëm e puna e tyre respektohet më pak”, denoncon sekretari i përgjithshëm i “Reporterëve pa kufi”, Zhan-Fransua Zhyliard, duke komentuar raportin 2011 me titull “Grabitësit e lirisë së shtypit”, i cili u paraqit sot. Gjithnjë e gjatë lista e gazetarëve të vrarë në vitin 2010: 57 vetë, megjithëse në rënie në krahasim me 76 vetët e 2009-ës. Por, rritet numri i rrëmbimeve: 51 gjatë vitit të kaluar, në krahasim me 33 të vitit 2009. “Për herë të parë – nënvizoi Zhyliard – asnjë kontinent nuk i shpëtoi kësaj së keqeje. Gazetarët po shndërrohen në mall shkëmbimi. Rrëmbyesit i marrin peng për të financuar veprimtaritë kriminale, për t’u imponuar kërkesat e tyre qeverive e për t’iu drejtuar opinionit publik: rrëmbimet i bëjnë të njohur”.







All the contents on this site are copyrighted ©.