2011-05-02 15:46:02

Totus Tuus: jeta dhe lumturimi i Gjon Palit II, nën shenjën e Marisë.


Totus Tuus! Tërësisht yti! Me Lumturimin e Gjon Palit II, u lartua në elter Papa i Zojës së Bekuar, për antonomazi. Siç kujtoi kardinali Anxhelo Komastri, shkronja “M” e madhe në stemën ipeshkvnore, përfaqëson kartën e vërtetë të identitetit të Gjon Palit II. Është posaçërisht domethënëse, prandaj, nënvizoi Papa Benedikti në homelinë e Meshës, që Lumturimi u kremtua në ditën e parë të majit, muaj kushtuar Virgjërës Mari. Të paharrueshme fjalët e para të Papës, pas atentatit në Sheshin e Shën Pjetrit, kur Karol Vojtila pa një lidhje të ngushtë ndërmjet kushtit që i kishte bërë Marisë e faljes së Ali Agçait:
“Lutem për vëllain, që më goditi, të cilin e kam falur me gjithë zemër. I bashkuar me Krishtin, Meshtar e Viktimë, i ofroj vuajtjet e mia për Kishën e për Botën. Ty, Mari, të përsëris: “Jam i tëri Biri yt!”.
“Mari, jam krejt yti”. Është 17 maji i vitit 1981, kur Papa Gjon Pali II shqipton këto fjalë prekëse, tashmë të skalitura në historinë e Kishës. Papa flet në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, nga Poliklinika Gjemeli e Romës. Katër ditë më përpara, në Sheshin e Shën Pjetrit, jeta e Karol Vojtilës ishte në rrezik, pas atentatit dramatik. Është data 13 maj, festa e Zojës së Fatimës. E pikërisht dora e Marisë, gjë për të cilën Papa është krejt i bindur, e shpëtoi.
Që kur ishte fëmijë, i Lumturi i ri, ia besoi Virgjërës çdo hap të rëndësishëm të jetës së tij, jetën vetë. Totus tuus janë edhe fjalët e testamentit të tij shpirtëror. Një jetë për Krishtin, nëpërmjet Marisë. Pikërisht Zojës së Bekuar, në fillim të Papnisë, Papa Gjon Pali II ia besoi misionin e tij, me një akt shprese. Jemi më 8 dhjetor 1978. Për herë të parë Papa i ri kremton solemnitetin e të Ngjiturit të Zojës së Bekuar në qiell, ngjarje, të cilën e quan “pikë vendimtare e historisë së shëlbimit”. I lumturi Vojtila është në Bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe:
“Ipeshkvi i ri i Romës kapërcen sot pragun e tempullit marian të Qytetit të Amshuar, i vetëdijshëm për luftën ndërmjet së mirës e të së keqes, që pushton zemrën e çdo njeriu, e dhe zemrën e popullit romak, e që përshkon gjithë historinë e njerëzimit”.
Duke shfletuar “Gaudium et Spes” në hartimin e së cilës dha një kontribut të çmuar, Papa nënvizon se historia njerëzore është gjithnjë në luftë të tmershme kundër forcave të errësirës. E kujton edhe se çdo njeri duhet të luftojë pa pushim për të qenë gjithnjë përkrah së mirës, kundër së keqes. Në këtë betejë, inkurajon Karol Vojtila, njeriu gjen forcë e besim tek Maria:
“Prandaj Papa, që në fillimet e shërbimit të tij ipeshkvnor në Katedrën e Shën Pjetrit në Romë, dëshiron t’ia besojë Kishën në mënyrë të posaçme Asaj, në të cilën u arrit fitorja e mrekullueshme dhe e plotë e së mirës mbi të keqen, e dashurisë mbi urrejtjen, e hirit mbi mëkatin”.
Maria, ripohoi, duke cituar fjalët e paraardhësit të tij të dashur, Palit VI, është fillesë e një bote më të mirë. Prandaj Papa ia beson Virgjërës Mari, vetveten e Kishën: “Jam krejtësisht yti e gjithçka kam, është jotja”, pohon i Lumturi Karol, me ëmbëlsi bijnore: “Më prij ti, në çdo çast, në çdo hap, në gjithçka”.
“Totus tuus ego sum et omnia mea tua sunt… Me këtë akt dhurimi, të thjeshtë e solemn njëherësh, ipeshkvi i Romës, Gjon Pali II, dëshiron të pohojë edhe një herë shërbimin e tij e të popullit të Hyjit, që nuk mund të jetë gjë tjetër, veçse përpjekje e përvuajtur për t’i shembëllyer përvujtërisht Krishtit e asaj, që tha: “Jam shërbëtorja e TënZot”.








All the contents on this site are copyrighted ©.