2011-05-02 15:44:57

Sot, në Vatikan, mbahet takimi kushtuar Blogers.


Promovimi i dialogut ndërmjet blogers e Kishës: ky është takimi, jo i zakonshëm, organizuar sot në Vatikan. Kujtojmë se blogers quhen njerëz ose ente, që botojnë periodikisht në internet, një farë ditari on line, opinione ose mendime, me tema nga më të ndryshmet. Kisha, që dialogon gjithnjë me artistët e shkrimtarët, hyn kështu në kontakt të plotë edhe me fenomenin e blogerve në internet, ku protagonist mund të jetë kushdo, siç pohon kardinali Xhanfranko Ravazi, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Para së gjithash, duhet njohur rëndësia e këtij fenomeni që, siç thuhet, vjen pikërisht nga poshtë. Një fenomen, që ka prirjen progresive të interesohet edhe për gjëra të mëdha, të merret me intepretime të mëdha kulturore, por që, sidomos, priret edhe të ngulmojë për të hyrë në horizontin brendshëm, të lartë, të Kishës, të fesë. Prandaj deshëm që blogosfera të bëhej, në një farë mënyre, prani në brendinë e kulturës së Selisë së Shenjtë, në brendinë e vetë përvojës së krishterë.

Pyetje: - Ky takim, i caktuar për datën 2 maj, mblidhet një ditë pas Lumturimit të Gjon Palit II: “Teologji, vërtetësi komunikim: ky është filli, që e përshkon?

Përgjigje: - Deshëm të mblidhej pikërisht të nesërmën e Lumturimit, jo vetëm sepse në këtë çast kemi këtu, në Romë, një prani shumëngjyrëshe blogers, por edhe sepse mendojmë që, simbolikisht, do të mund ta vemë këtë eksperiment nën mbrojtjen e Gjon Palit II.

Kujtojmë, pra, se është, fjala për një takim, organizuar nga Këshilli Papnor i Kulturës dhe Këshilli Papnor i Komunikimeve Shoqërore. Ideja është e doktor Richard Rouse, përgjegjës i departamentit “Komunikim e gjuhë”, në dikasterin papnor të Kulturës. Qëllimi i parë është përpjekja për të folur me të njëjtën gjuhë. Kisha ka gjuhën e vet, blogers, të vetën. Gjuhë e veçantë, kjo. Siç na kujton kardinali Ravazi, çdo gjuhë e shndërron njeriun, që e përdor. Prej këndej, përdorimi nga ana blogerve e një gjuhe të thurur me fraza të shkurtëra, të shpejta, shumë agresive, të sakta, për të mbajtur gjallë interesin e publikut, ndoshta mund ta shndërrojë edhe vetë karakterin e njeriut. Prandaj mund të themi se ky është një çast i rëndësishëm për ungjillëzimin.
Iniciativa nuk lidhet vetëm me blogers katolikë, por me të gjithë. E kjo, sepse vërejmë që në blogosferë ka një fushë, një terren, për dialog. Çdo i krishterë është i thirrur të punojë edhe në këtë fushë e ta jetojë thirrjen e tij për të dialoguar me të tjerët, për të propozuar fenë e vet.







All the contents on this site are copyrighted ©.