2011-05-02 16:34:53

Në Libi, funerali i birit të Gedafit dhe i tre nipave të tij


U kremtua sot funerali i djalit të vogël të liderit libian, Muhamar Gedafi dhe i tre nipave të tij, të cilët mbetën të vrarë gjatë natës së kaluar në Tripoli, pas bombardimit të NATO-s. Sipas zëdhënësit qeveritar, në banesën e të birit 29-vjeçar, gjatë bombardimeve, ishte i pranishëm edhe vetë Gedafi, që shpëtoi pa u dëmtuar. Pas bombardimeve, kryeqytetasit dolën në sheshe dhe u vunë flakën disa ambasadave, në mesin e të cilave ajo e Britanisë së Madhe dhe ambasada italiane.

Vikari i Tripolit, imzot Gjovani Inoçenco Martineli, në një intervistë për agjensinë vatikanase Fides, deklaron se regjimi i ka treguar trupat pa jetë, që në të vërtetë ishte e pamundur të njiheshin. Gjithesi, vazhdon ai, “kujtoj se në këto sulme kanë vdekur edhe fëmijë e kjo e bën gjithnjë e më të vështirë zgjidhjen paqësore, pasi e shton zemërimin”. Imzot Martineli kërkon pezullimin e bombardimeve, të paktën për të respektuar dhimbjen e familjarëve dhe vë në dukje se shtëpia, ku gjetën vdekjen katër vetë, ishte banesë civile në mesin e të tjerave. “Mendoj – thekson vikari i Tripolit – se po luhet pak si tepër me jetën e civilëve”.

Në terren, regjimi vazhdon bombardimet mbi qytetin e Misratës, i cili mbetet në duart e rebelëve. Tunizia proteston për problemet e shkaktuara në kufi nga ndeshjet ndërmjet kryengritësve libianë e forcave të Gedafit. Ndërkaq, të enjten, do të mbahet në Romë mbledhja e Grupit të Kontaktit për Libinë, kryesuar nga ministri i jashtëm italian, Franko Fratini dhe kryeministri i ministri i jashtëm i Katarit, sheiku Hamad Bin Jasim Bin Jabr Al-Tani.







All the contents on this site are copyrighted ©.