2011-05-01 14:55:46

Papa Vojtila u shpall i Lumtur


Gjon Pali II që sot u radhit ndërmjet të Lumturve të Kishës katolike. E Lumturoi pasardhësi i Tij, Benedikti XVI, gjatë një kremtimi solemn në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e dhjetra presidentëve e kryeministrave. Më se një milion e gjysëm, shtegtarët, sipas të dhënave të Prefekturës, konfirmuar edhe nga Salla e Shtypit e Vatikanit. Mijëra njerëz lëviznin pa pushim rreth Vatikanit, duke nisur që mbrëmë e duke vijuar gjithë ditën e sotme: lëvizja u ndal vetëm kur nisi kremtimi i Lumturimit: atëherë Sheshi e rrugët rreth tij u bënë të pakalueshme, e turma u shtrëngua fort, me sytë ngulur tek elteri (kush pati fatin të jetë në radhët e para), ose tek ekranet vigane, kush arriti tepër vonë. Festa e të Lumturit të ri, që u lartua në nderimet e elterit, do të kremtohet më 22 tetor të çdo viti, në Kishën e Romës e në atë të Polonisë, derisa Papa Vojtila të shpallet shenjt, për t’u nderuar nga mbarë Kisha universale.
E edhe sot, ashtu si ditën e salikimeve, menjëherë pas shqiptimit të Formulës së Lumturimit dhe zbulimit të portretit të Papës Vojtila në fasadën e Bazilikës së Shën Pjetrit, turma vigane e njerëzve shpërtheu në brohorinë: “Shenjt, menjëherë!”, duke e shoqëruar thirrjen me një stuhi duartrokitjesh, me shpalosjen e flamujve të kombeve të ndryshme të botës, me lot e lutje.
Ndërkaq relikja e Gjon Palit II, ena e vogël me gjak, mbyllur në një relikuar argjendi, u vendos në elter nga Motra Tobiana, e cila ka shërbyer në apartamentin papnor për 20 vjet me radhë, dhe nga Mari Simon-Pierre, rregulltarja që, duke u shëruar me ndërmjetësinë e Papës Vojtila nga sëmundja e Parkinsonit, i çeli udhën Lumturimit.
“Hapi para Krishtit portat e shoqërive, të kulturave, të sistemeve politike dhe ekonomike, duke përmbysur me forcë vigani – forcë që i vinte nga Zoti, një tendencë, që dukej si e papërmbysshme”, tha pasardhësi i Tij, Benedikti XVI gjatë homelisë së Meshës.
Në kremtim ishin të pranishëm 87 delegacione zyrtare, 16 krerë shtetesh, ndërmjet të cilëve, Presidenti i Republikës së Italisë, Giorgio Napolitano, pesë përfaqësues të shtëpive mbretërore, delegacioni i rangut të lartë nga Shqipëria, me pjesëmarrje të Presidentit, Bamir Topi; Kryeministrit, Sali Berisha e Kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli; ndërsa Kosovën e përfaqësuan Kryeministri, Hashim Thaçi dhe Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj.
Të pranishëm edhe të gjitha autoritetet më të larta shtetërore e politike italiane, duke nisur nga kryeministri, Silvio Berluskoni.
Hyrjet në Rrugën e Pajtimit e në Sheshin e Shën Pjetrit u hapën që në orën 2.00 për të ruajtur rendin, duke pasur parasysh se në këto zona ishte grumbulluar një masë e papërshkueshme njerëzish, ndërmjet të cilëve, mijëra polakë, që dëshironin, me të drejtë e me çdo kusht, të ishin në radhët e para, pranë Karolit të tyre.
Edhe arka me trupin e Papës së Lumtur, u vendos që në mëngjes heret para Elterit të Rrëfimit, në bazilikën e Shën Pjetrit. Menjëherë pas Meshe, Papa tha lutjen drejtuar Mbretëreshës Qiellore, për t’i hapur rrugën procesionit të pafundmë të besimtarëve, që do të vijojë ndoshta gjithë natën, drejt Bazilikës, për ta përshëndetur nga afër, përsëri, Papën e Lumturuar e për të kërkuar ndërmjetësimin e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.