2011-05-01 15:34:46

Dëshmi të shqiptarëve për Gjon Palin II


Dëshmi nga ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e laikë shqiptarë për figurën vigane, poliedrike, të Gjon Palit II, një vit pas vdekjes.
Zgjodhem disa dëshmi nga ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e laikë shqiptarë për figurën vigane, poliedrike, udhërrëfyesit të njerëzimit, Gjon Palit II:

“Me vdekjen e tij na flet, na mëson ta vlerësojmë jetën në çdo rrethanë” – shprehej Kryeipeshkvi Metropolit i Shkodër-Pultit, Imzot Angelo Massafra;

Kryeipeshkvi Metropolit i Durrës-Tiranës, Imzot Rrok Mirdita, duke kujtuar Gjon Palin II theksoi:“Kisha humbi një prijës, por fitoi një shenjt”;

‘Shembull i përkryer i prijësit fetar e i njeriut që di të falë në çdo rrethanë’ – kështu e kujtoi Imzot Zef Gashi, Kryeipeshkëv i Tivarit, asokohe dhe ipeshkëv ‘ad interim ‘ i Kosovës, Papën Gjon Pali II;

Imzoti i ndjerë Mark Sopi, duke kujtuar se Gjon Pali II do të mbetet gjithnjë në zemër të Kosovës, nënvizoi një nga porositë e Tij më aktuale: bashkëjetesën paqësore ndërmjet besimeve të ndryshme;

Meshtari katolik don Franë Sopi vuri në dukje se Gjon Pali II, ndërmjet shumë dhuratave që i bëri popullit shqiptar, i la dhuratën e madhe të lumnimit të Nënë Terezës;

“Në se dëshironi t’ju respektojnë, respektojeni njëri-tjetrin’ – këtë porosi të Papës Vojtila kujtoi laiku katolik kosovar, Lekë Musolli;

Ambasadori i asokohshëm i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, zoti Zef Bushati, kujton se, ashtu si një vit më parë Sheshi i Shën Pjetrit i ngjante një mozaiku shumëngjyrësh: mozaik popujsh, gjuhësh e kulturash, që të kujtonte familjen e madhe të popujve, “qytetërimin e dashurisë” për të cilin ka folur aq shumë Gjon Pali II;

‘Ta duam njëri-tjetrin’ – është porosia e Papës që kujtoi don Anton Kqira:

Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kosovës, na kujtoi një nga tiparet më të spikatura të Karol Vojtilës, me vlerë të jashtëzakonshme për çdo njeri e për çdo kohë: “Ai kishte guximin t’ia thoshte botës të vërtetën, sado e hidhur të ishte”;

Motër Vida nga Shkodra shprehu besimin se Gjon Pali II do të ndërmjetësojë për përforcimin e fesë së krishterë ndër shqiptarë;

“Mos kini frikë; hapjani në dy kapakët portat Krishtit” – këtë thirrje që përshkoi fund e krye papninë e Gjon Palit II na kujtoi Imzot Hil Kabashi, ipeshkëv i Shqipërisë së Jugut.







All the contents on this site are copyrighted ©.