“Tu es Christus” Këngë të frymëzuara nga Poezitë e Papës Vojtila CD
e re, botuar nga Sony e prodhuar nga multimedia, në bashkëpunim me Radio Vatikanin
Prodhues
i muzikës: Jorge Calandreli Prill 2011 Zëri i Papës Vojtila
rikthehet në një CD të re. “Tu es Christus”, botuar nga Sony e prodhuar
nga Multimedia San Paolo, në bashkëpunim me Radio Vatikanin, paraqet edhe homazhet
e panjohura të Andrea Boçelit, Plaçido Domingos e The Priests Dymbëdhjetë vjet
pas botimit të Abbá Pater, Cd e parë me zërin e Gjon Palit II, Sony music paraqet
Tu es Christus, Cd e re me zërin e Papës Vojtila e me pjesëmarrjen e artistëve
të famshëm Andrea Boçeli, Plaçido Domingo e The Priests. Cd përmban nëntë fragmente
me zërin e Gjon Palit II dhe homazhe nga artistët e mirënjohur. Për Andre Boçelin
“Kur Gjon Pali II fliste, zëri i tij depërtonte shpirtërat, shkundte ndërgjegjet,
e megjithatë, dukej si zë që vinte nga larg, sepse Ati i Shenjtë, me mend e me zemër,
ishte gjithnjë në lutje”. Mendimi i Plaçido Domingos për Papën Vojtila, shprehet
në hyrjen, e cila i paraprin kësaj përmbledhjeje poetike, që frymëzoi muzikantët e
këngëtarët për të krijuar një Cd me vlera të rralla, që sigurisht, do të ketë jetë
të gjatë.
Hyrje: Placido Domingo: Dashuri e pafundme
Ky
regjistrim lindi nga respekti im i thellë për Gjon Palin II. Kujtoj se ditën e përurimit
të papnisë në Romë, gazetarët në Meksikë më pyetën ç’mendoja për Papën Polak e unë
u përgjigja, pa menduar fare, se ishte fillimi i fundit të komunizmit. Papa i ri ishte
forcë paralele me atë të sindikalistit polak, Lech Walesa, që luftonte për të varfërit,
kundër çdo padrejtësie. E ishte Njeriu më i madh, që kisha njohur. Pata shumë herë
hirin ta takoj. Herën e fundit, në Vatikan, kur deshi të më falënderojë personalisht
për një shfaqje në mitingun e Ankonës: në program ishte edhe një pjesë e kompozitorit
italian, Marko Titino, frymëzuar nga një poezi e Papës. I shpreha Shenjtërisë së Tij
dëshirën t’i njoh poezitë e tjera: e dija se, që i ri, para se t’i kushtohej Kishës,
kishte qenë aktor e edhe shkrimtar. Së bashku me tim bir, Plaçidon, që është kompozitor,
fillova të kërkoj. Arritëm, duke u bazuar tek Triptiku Romak, të krijojmë një përmbjedhje
të bukur poezish fetare, me meditime të ndërlikuara mbi Biblën. Ndonëse mendoja se
do të ishte diçka e mrekullueshme të bëja një CD, na pëlqeu më shumë të fillonim me
punime më të lehta për t’u kuptuar. Vijuam, kështu, të kërkojmë, derisa gjetëm disa
poezi, të përshtatshme për melodi më të thjeshta, më popullore, ndonëse jo më pak
të thella. Një poezi, titulluar ‘Nënës’, kushtuar, besoj, nënës së tij, ose nënave
në përgjithësi, i flet drejtpërdrejt zemrës sonë; të tjerat, frymëzohen nga dashuria
për punëtorët. Njëra, shumë e bukur, flet për një njeri, që prodhon armë, pa e ndjerë
fare përgjegjësinë e tij për luftërat, duke ngulur këmbë se është thjesht zejtar.
Na kujton kohën kur Papa luftonte për atdheun e tij. Poezitë, që po parqesim, janë
të shkruara në gjuhën italiane, spanjolle e angleze. Për të shmangur rrezikun, që
kjo përmbledhje të përfshinte vetëm copëza, ftuam pesë artistë për të marrë pjesë
në planin tonë. Më duket tejet i bukur zëri i Josh Groban e i Andrea Boçelit, prej
kohe miku im, që pranoi me gjithë zemër. Së bashku me mezosopranon irlandeze, Katherine
Jenkins, dhashë disa koncerte. Ishte një përvojë ideale për përgatitjen e kësaj përmbledhjeje.
Im bir, Plaçido, kompozoi një këngë të këndshme, tejet të përshtatshme për Vanesa
Uiljams, që u këndua në filmin muzikor Carmen Jones. Vetë Plaçido ka zë të bukur baritoni
e këndoi një këngë, që e kompozoi së bashku me Jorge Kalandrelin, muzikantin, që ishte
strumbullar i këtij projekti. London Symphony Orchestra është një skuadër e shkëlqyer.
Duhet të them se muzikantët e Londrës, më çudisin: si arrita nga Londra, në studiot
e Abbey Road, gjeta këto instrumente të mrekullueshme, që e shoqëruan këtë muzikë
krejt të panjohur; tri orë më pas kisha gati 30 minuta regjistrimi të padiskutueshëm,
diçka që nuk do të ishte jetëshkurtër. Do t’u flasë jo vetëm njerëzve, që besojnë,
por të gjithë atyre, që e repektojnë thellësisht Gjon Palin II, njeri me një madhështi
të rrallë, që e vuri gjithë jetën në shërbim të njerëzimit e të Zotit.
Falë
admirimit tonë për mikun e madh të Shqipërisë, tekstet e këngëve shohin për herë të
parë dritën gjuhën shqipe, në faqen tonë të internetit.
Përmbajtja: 1. Ndërgjegjja 2. Thjeshtësia jote 3. Kumbo,
ti shpirti im 4. Mrekullia e nënës 5. Shpirt brenda shpirtit 6. Kënga e diellit
të pashuar 7. Fjalë 8 Dashuri 9. Dashuri e lumnuar 10. Mirënjohje 1.
Liria 12. Nanë!
1.
Ndërgjegjja
Nuk mund t’i ndryshoj unë fatet e botës! S’jam unë që
luftërat i shpall. E s’di, jam unë me ty, a ndoshta jam kundër teje? S’mëkatnoj, po
gjithëkjo m’ trazon fort.
Pushkë prodhoj, e më duket se s’dëmtojnë, grimca
që kullojnë gjak, e s’vras asnjë njeri.
E pra, mund të krijoj një botë
tjetër, gjithë bashkë mund ta krijojmë një botë që askush nuk e shemb, s’e
rrënon, s’e poshtëron, s’e gënjen...
Nuk është e bukur, e di, bota që unë
krijoj, Mes jetës e vdekjes rri varur, E pra s’jam unë që e shëmtoj.
2.Thjeshtësia
jote
Pranë Teje rri, e sytë t’i nguli: në bebëz kryqëzohen udhët
yjore
e sytë e Tu që krejt pa bujë, zemrat sundon. Merr dritë prej
yjesh e të mbush me dritë
Pranë teje rri, ditën mendoj kur dora
jote, thjeshtësia jote, që në shplakë mban botën do ta ndalë dritën pezull
mbi ne!
3 Kumbo, ti shpirti im!
Lumturinë time ty ta
mblatoj, o Zot, se shpirtin ma mbushe me tinguj. Dy sytë e mi shkrihen me kaltërsinë, që
melodi pikon në korda të zemrës këngëtare.
Këndo, ti shpirti im! Në
gojë s’ke veç një gjuhë për të thënë vetëm një fjalë. Këndo me të gjitha gjuhët, lumninë
engjëllore të Zotit!
Me ritëm tënd ma përkunde rininë. Ma ndeze gjakun me
kelkun e jetës, E bekoj farën që më hodhe në shpirt: Jam dhe pjellor i arave
tua, e shkëmb i fortë, që ti e skalit.
Do të ec pa dredhuar ndër shtigjet
e tua: me zjarrin e mallit për jetë. E himne për Ty do të këndoj!
Këndo,
pra shpirti im, lumninë e Zotit këndo, në himnin që kurrë s’ka mbarim.
4. Mrekullia e nënës
Mistershëm drita depërtonte,
në fillim, e ëmbëlsisht rrezatonte mendimin që prej kohe e di si të
vërtetë: Se nëna ndjen me sy edhe me duar mbi foshnjën kur përkulet.
Ndrisnin
e flisnin e këndonin Fjalët përhumbur në gji të mrekullisë; bëheshin duar,
të miat shtrëngonin. Ti kishte një emër. Emri yt ishte Nënë. E syri yt
depërtonte deri në zemrën e jetës.
E pra ti dukesh si nënë mes nënash, në
familjet e varfëra, që u mësove t’i duash.
Veç unë e dalloja dritën, që
i printe çapit tënd. Nuk ishte drita ime, unë s’kisha dritë për të dhuruar.
E
pra, kur dola teje, kur unë e ti u bëmë dy, ma fale dritën tënde; më mësove
të vërtetën, se nëna di të ndjejë me sy edhe me duar, kur përmbi djep përkulet.
5.
Shpirt brenda shpirtit
Një herë unë veshin mbi dhe e mbështeta, e
depërtova në thellësi, atje ku lindin tingujt që pastaj luajnë mbi kordat
tua tingëlluese e zbresin në fund të shpirtit e dalin përsëri e përhapen në
largësi.
Tingëllo, natyrë! Jam grimca jote, tingull në akord, t’ frymëzimit
tënd! Shpirt brenda shpirtit.
S’i ndal korrentet të kalojnë se mbartin
me vete, melodi.
Ti luaj me gjithë shpirt mbi telat e harpës së dridhshme. Me
notat tua më prij, më prij në të katër erërat. T’tingëllojë në shark lahute dhe
kënga e shpirtit tim. Oh! Tinguj, muzikë melodi, Ti, i Gjithëpushtetshëm, harmoni!
Tingëllo
natyrë! Jam tingull këngëtar në akordin tënd të frymëzuar.
S’i ndal korrentet
të kalojnë se mbartin me vete melodi.
Hapësirën tënde e kam në shpirt, në
shpirt kam paqen tënde, Paqen pa fund, tingëllo....
6. Kënga
e diellit të pashuar
Shpirti s’është fletë që këputet e zhduket, kur
zverdhet gjethnaja. Ecën gjithnjë drejt diellit, larg e më larg, tek e padukshmja. Elispi
- gjithnjë më i hapët, e rrethon: kënga e diellit me zjarr të pashuar.
Shpirti
s’është pluhur. Mund të dridhet rishtas, kur dielli lind përsëri. Gjethit
s’i mjafton agu, që kthehet mahnitshëm për ditë.
Vdekja është rrezja më
e shkurtër që shpresat i ndrin. Sytë tu do të ngulen në shpirt si dielli. Do
të çikin horizontin, Pastaj do të bjerë muzgu.
Shpirti s’është gjethe, s’e
ndal shtegtimin e diellit. Vjen dita, e zbret bashkë me të në hark të perëndimit. Atje
e arrin, atje ndalet, e diellit nuk i ndahet. Këngës së diellit të pashueshëm. Diellin
e ndjek përsëri, gjithnjë më larg, drejt së padukshmes. Vdekja është
rrezja më e shkurtë!
7. Fjalë
Bota është plot me
hije të fshehura: s’kam frikë t’i padis, t’i quaj me emër! E fjalët e mia
nuk shuhen, një forcë e pamposhtur i shtyn. Nuk rrjedhin me vrull, porsi
uji, si gurët n’ rrokullisje nga mali. Rryma të vrullshme mendimi vërshojnë
në mendimin tim. Në reflektim më reshen, me mijëra pikëza urtie.
Netëve
pa yje kërkoj thellësitë. S’i fshihen dot syve si drurët pas gjethimit, si
fshihet insekti, pas perdesh kristali.
Në reflektim më reshen, me mijëra
pikëza urtie. Netëve pa yje kërkoj thellësitë...
8.
Dashuri
Shpresoj se ju të gjithë, dikush e gjithkush ju do fort, ju
ngroh, ju ndih e ju ndrin, e zemrën jua mbush plot, me zemrën e njerëzimit...
Njeriu
duhet të kuptojë së paku për një çast, se zemra njerëzore ka etje, se etja
duhet shuar.
Se mund të kesh gjithçka e të mos kesh hiç asgjë.
Pasje
pa gëzim, ditë pa jetë, se re e harruar në qiell e varkë e vetmuar në det!
Shpresoj
se ju të gjithë, dikush e gjithkush ju do fort, ju ngroh, ju ndih e ju ndrin, e
zemrën jua mbush plot.
Jezusi zbriti mes nesh me dashurinë e Zotit, erdhi
plot dashuri e dashuri kërkon.
Se mund të kesh gjithçka e të mos kesh
hiç asgjë, kur nuk ke dashuri. Kur Krishtin në zemër s’e ke!
9
Dashuri e lumnuar
Kjo dashuri ma ndriti gjithçka, gjithçka është për
mua kjo dashuri. Prandaj dashurinë e dua kudo lulëzon, sidomos, kur lulet
i çel në shpirtin tim.
E duke qenë se unë jam hapësirë hapur rrymash, e
heshtur, valën e qetë e kujtoj që dritën zbulon nëpër hone, e ndriçon shpirtin
tim.
Në heshtjen e thellë s’më shqetësojnë, kujtimet e ditëve që shkuan. Gjithçka
ma shpjegon dashuria, në dashuri gjej gjithçka.
10. Mirënjohje
E
çka mund të t’jap, që rri kaq pranë meje e më ndrin me gjuhë flakësh në shpirt e
rrahjet ritmon në zemër time?
Çka mund të t’jap për besimin, që e mbyll
në bebëz të ferishtes, e bëhet lumturi që hija e dhimbjes s’e prek?
Si
mund të falënderohet deti me valët që i shembëllejnë betejave të mia të përditshme? E
dielli, si mund të falënderohet, që s’më braktisi kurrë, si s’e braktis kurrë
ditën në terr të natës së gjatë?
E çka mund të t’jap, që rri kaq pranë
meje...
E çka mund të t’ jap për dashurinë që vë në zemër të ferishtes, zemër
që kurrë trishtimi nuk e pushton?
Si mund ta falënderoj detin...
Ç’mund
të të jap, që më mbron e nuk më harron asnjë çast? E si mund të kesh, Zoti
im, besim në një, si jam unë?
Si mund ta falënderoj detin...
11.
Liria
Liria është betejë që duhet luftuar çdo ditë. Liria nuk pushtohet një
herë e përgjithmonë.
Liria është lufta më e rreptë, luftohet ditë për ditë, në
djersë të ballit tënd, në shpirt, në thellësi.
Liria paguhet shtrenjt, me
çmimin e vetvetes. Gjithçka me fund ta kërkon, se me fund gjithçka prap ta jep.
Liria
është dhanti që ta mbush zemrën plot Por s’mund ta shijosh po s’luftove deri
në të fundmen pikë gjaku.
Flatra të kërkon, fluturime, të sulesh drejt diellit
me hov. U ndale vetëm një çast, Mjafton! E humbe lirinë.
Mbi flatra
të peshon historia, je shtyllë e plasaritur, e një pallati të stërlashtë që
pret ta përtërish ditë për ditë.
Liria kushton shtrenjt...
12.
Nanë
“Mbi vorrin tand të bardhë, Shpërthejnë lulet e jetës. Sa vjet,
oh! Nanë, pa ty, Se vjeta ngau mbas vjetës!
Mbi vorrin tand të bardhë, Mbi
rrasë, që randon fort, Lulet losin me diell, E jeta lot me mort.
Mbi
vorrin tand të bardhë O Nanë, dash’ni që m’u shkim, Fjollë kêmi flut’ron lutja: “Zot,
jepja t’pasos’nin pushim!”.