2011-05-01 18:11:43

Benedikti XVI lumturon Gjon Palin II: vigan, që u mësoi të krishterëve ta dëshmojnë fenë me guxim.


Një gjigant, që me dëshminin e fesë, me dashurinë e me guximin apostolik, shoqëruar me ndjenja të thella njerëzore, i ndihmoi të krishterët e mbarë botës ta pohojnë fenë pa frikë, t’i përkasin Kishës e të flasin për Ungjillin”: ky është mendimi kryesor, që Papa Benedikti XVI i kushtoi Gjon Palit II gjatë homelisë së Meshës, me të cilën, sot paradite, e shpalli solemnisht të Lumtur, paraardhësin e tij. Një milion e gjysëm shtegtarë e besimtarë, ardhur nga të katër anët e Planetit, ishin korniza e kësaj ceremonie tejet prekëse, që u ndërpre shumë herë nga brohoritë e duartrokitjet:
Formula e Lumturimit: "Auctoritate Nostra Apostolica facultates facimus ut Venerabilis Servus Dei Ioannes Paulus II, papa, Beati nomine in posterum appelletur ..." .
Nga elteri i zemrave të tyre, ku për gjashtë vjet me radhë e patën vënë milionat, në elterin e Kishës, që sot e njeh zyrtarisht të Lumtur. E njëjta turmë pa fund e 8 prillit 2005, që qante e kërkonte, në shumë gjuhë, të shpallej menjëherë shenjt, u rikthye për ta mbushur cep më cep Sheshin e Shën Pjetrit, Rrugën e Pajtimit dhe sheshet romake, ku ishin krijuar të gjitha kushtet për të ndjekur kremtimin, për të dëgjuar Formulën e Lumturimit e për të shikuar portretin (gjigant, edhe ky) e Papës së shumëdashur nga të gjithë. Turma e pafundme e pa përsëri, në lozhën ku qe dukur një ditë të paharrueshme, ardhur nga larg, i pritur me një duartrokitje të stuhishme. Të rinj e pleq; bij të atij viti të largët, tani prindër, e fëmijët e tyre, por edhe njerëz, që nuk e njohën: një milion e gjysëm, e kaluan natën në shtegtim, në rrugë të madhe, në lutje, për ta provuar fizikisht emocionin shpirtëror e njerëzor, në pritjen gazmore për ta parë Gjon Palin II duke u nderuar me një emër, të cilin ata ia kishin njohur që nga dita e funeralit:
“Që atë ditë ne ndjemë si përhapej parfumi i shenjtërisë së tij, e Populli i Zotit e tregoi në shumë mënyra nderimin që kishte për të. Prandaj, duke respektuar normat e Kishës, desha që çështja e Lumturimit të tij të ecte përpara me shpjetësi të matur. E ja se dita e shumëpritur erdhi; erdhi shpejt, sepse kështu deshi Zoti: Gjon Pali II është i Lumtur!”.
I hipur mbi një makinë të zbuluar, pak pas orës 10.00, Benedikti XVI arriti tek elteri i vendosur në tremen e Bazilikës së Vatikanit. Më të djathtë e më të majtë të tij, kardinajtë dhe bashkëkremtuesit e tjerë si dhe anëtarët e rreth 90 delegacioneve zyrtare të shteteve, përfaqësues të kombeve të tyre në ceremoni.
Përbrenda Bazilikës, në vetmi e në heshtje e thellë, të thyer sapak nga zhurma e lehtë e mjeteve televizive, trupi i Gjon Palit II, vendosur para Elterit të Madh. Mbi arkivolin, Ungjilli i hapur, Evangelario di Lorch, një vëllim tejet i lashtë, zbukuruar me miniatura, që ruhet në Bibliotekën e Vatikanit. Ungjilli, sot brenda në Bazilikë, u kujtoi besimtarëve ditën e funeralit, kur era e shfletonte me vrull, si të donte t’i kujtonte botës mbarë se nuk do të mbetej kurrë i mbyllur: turma, që ishte aty pranë, do të vijonte ta shfletonte, për të plotësuar porosinë e përsëritur mijëra herë në tokë nga Ai, që tani fliste nga qielli.
Përjashta, një diell në fillim i druajtur, pastaj i zjarrtë, i davariti retë e me to, edhe parashikimin për një ditë me shi. Rrezet e tij nisën të vezullonin mbi relikuarin prej argjendi, që përmban Gjakun e Papës Vojtila, duke e rrethuar me një kornizë të artë, kur Motra Mari Simon Pierre – rregulltarja e shëruar mrekullisht me ndërmjetësinë e Papës Vojtila, e mbajti gjatë shtrënguar në duar, në një nga çastet më të ndjera të ceremonisë. E pasur, si shoqërimi muzikor, drejtuar nga Imzot Frizina, homelia e Bendiktit XVI, i cili kujtoi, me admirim në rritje e me dashuri të ndjerë, parabolën e jashtëzakonshme, që e çoi Papën Vojtila nga toka, në qiell: “Gjon Pali II është i Lum për fenë e tij, të fortë, të fisme, apostolike” pohoi Papa Racinger, duke kaluar nga gjuha italiane, në atë polake, për të skalitur, me një frazë të vetme, thelbin e figurës së të Lumturit të ri, që priu për 27 vjet me radhë, e duke nënvizuar vlerën e tij për Kishën e për botën::
“Me dëshminë e tij të fesë, të dashurisë e të guximit apostolik, shoqëruar me një forcë të madhe njerëzore, ky bir shembullor i Kombit polak i ndihmoi të krishterët e mbarë botës ta pohojnë pa frikë fenë e tyre, t’i përkasin Kishës, të flasin për Ungjillin. Me një fjalë, na ndihmoi të mos kemi frikë nga e vërteta, sepse e vërteta është garancia e lirisë”.
Emocioni i atyre që dëgjonin, u bë gjithnjë më i fuqishëm, duke arritur një kulm, kur Papa Benedikti rikujtoi fjalët e Gjon Palit II, të paharrueshme për ata, që nuk pushuan kurrë së ecuri sipas mësimeve të Tij:
“Mos kini frikë! Hapjani, madje, në të dy kapakët, portat Krishtit. Këtë, që Papa i sapozgjedhur ua kërkonte të gjithëve, e bëri vetë, i pari: ia hapi Krishtit shoqëritë, kulturat, sistemet politike dhe ekonomike, duke përmbysur me forcë vigani – forcë që i vinte nga Zoti - një tendencë, të cilën shumkush e shikonte si të përjetshme”.
Me këtë forcë, vijoi Benedikti XVI, Gjon Pali II i priu popullit të Zotit për të kapërcyer pragun e Mijëvjeçarit të Tretë, “pragun e shpresës”, që për dhjetra vjet me radhë ishte rrethuar nga telat me gjemba të idelogjive, të cilat e shikonin me sy armiqësor krishterimin:
“Këtë ngarkesë shprese, që iu nënshtrua në një farë mënyre marksizmit dhe idelogjisë së progresit, ai ia riktheu ligjërisht krishtërimit, duke i dhënë përsëri fizionominë e vërtetë të shpresës, që duhet jetuar në histori me frymën e “Kohës së Ardhjes”, me një jetë personale e komunitare, të orientuar kah Krishti, përsosuri e njeriut e përmbushje e të gjitha shpresave të tij për drejtësi e paqe”.
Për vite me radhë ai ishte një shkëmb, që pa të shemben mure, të cilat besohej se do t’i qëndronin kohës, derisa energjia e fesë iu shkimb dalëngadalë nga vuajtja.
Tani Benedikti XVI, thellësisht i prekur, nisi të shfletojë kujtimet e tij, si mik e bashkëpunëtor i ngushtë i Gjon Pali II, krah për krah e gju më gju me të për 23 vjet me radhë, duke vënë në plan të parë figurën e Papës Vojtila si njeri në kërkim të vazhdueshëm të takimit me Zotin e të aftë për t’u kapur fort pas Kryqit të Krishtit, për t’u mbështetur mbi të, deri në shterimin e plotë të forcave:
“Zoti e zhveshi dalngadalë nga gjithçka e megjithatë, ai mbeti gjithnjë shkëmb, ashtu si e deshi Krishti. Përvujtëria e tij e thellë, me rrënjët në bashkimin me Krishtin, e ndihmoi t’i printe Kishës e t’i jepte botës një mesazh edhe më shprehës, pikërisht në kohën kur po i shteronin të gjitha forcat fizike. Kështu ai realizoi në mënyrë të jashtëzakonshme, thirrjen e çdo meshtari e të çdo ipeshkvi: të bëhet një gjë e vetme me atë Jezus, që e merr dhe e jep ditë për ditë në Eukaristi”.
Përshëndetja e fundit ishte një lutje, dalë nga shpirti, drejtuar Papës, që atë çast nuk delte më në dritaren e Bibliotekës së tij private, por në dritaren e qiellit:
“I Lumi ti, Papa i dashur Gjon Pali II, sepse besove! Vijo, të lutemi, ta përfocosh nga qielli, fenë e popullit të Hyjit. Shumë herë na bekove në këtë Shesh… Sot, të lutemi: Atë i Shenjtë , na beko përsëri! Amen”.Me lutjen drejtuar Mbretëreshës Qiellore, shqiptuar në shtatë gjuhë, Benedikti XVI deshi, mbi të gjitha, të vinte theksin mbi universalitetin e Gjon Palit II, apostull pa kufij, mbrojtës i njeriut dhe i të drejtave të tij më të paprekshme, mik i njerëzimit, që tani mund të mështetet fort mbi shkëmbin e një Pajtori të ri qiellor.







All the contents on this site are copyrighted ©.