2011-05-01 15:12:03

Atë Lombardi: Gjon Pali II, parë nga Benedikti XVI.


Në këtë ditë, kur sytë e mbarë njerëzimit janë drejtuar nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, prej nga Gjon Pali II vijon t’i flasë botës nga fotografitë dhe ekranet vigane, e kur Benedikti XVI ngjitet në elter, për të Lumturuar Paraardhësin, atë Federiko Lombardi nuk mund të mos e titullonte “Gjon Pali II, parë nga Benedikti XVI”, editorialin e kësaj fundjave për Octava Dies, e përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit.

“Benedikti XVI është Papa i parë i kohëve moderne, që shpall të Lumtur paraardhësin, përkrah të cilit, për më se dy dhjetvjeçarë, punoi si njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë. Ndërmjet zërave të ndryshme, që këto ditë flasin për Gjon Palin II, është më se e arsyeshme të dëgjojmë posaçërisht zërin e tij, duke kujtuar intervistën e bukur, që i pati dhënë televizionit polak pak muaj para vdekjes së Papës Vojtila.
“Përsa i përket botës, sot është bërë shumë më e ndjeshme ndaj përmasës fetare të njeriut”, pati thënë Papa Benedikti. “Të gjithë të krishterët, pavarësisht nga ndryshimet, e kanë pranuar se Ipeshkvi i Romës ishte zëdhënës i krishtërimit, ndërsa fetë e tjera e shikonin si zëdhënës të vlerave të mëdha të njerëzimit. E pastaj, diti ta entuziazmojë rininë për Krishtin. Vetëm një personalitet me karizmën e tij, mund ta entuziamonte rininë për Krishtin e për Kishën, madje edhe për të mbrojtur vlerat më të vështira. Vetëm ai mund t’ia dilte mbanësh ta mobilizonte me atë zjarr rininë e botës për kauzën e Zotit e për dashurinë e Krishtit. Së fundi, ishte njeri i Koncilit, na ndihmoi të jemi vërtet Kishë e kohës sonë dhe e ardhmërisë”.
Zoti, Jezu Krishti, bashkimi i të krishterëve, dialogu ndërmjet feve, për të mirën e njeriut e të mbarë njerëzimit: këto janë, që nga dita e parë e papnisë, përparësitë e Papës Benedikti. Është trashëgim, që i la Paraardhësi. E jo vetëm si udhëzime për vijimin e punës, por si frymëzim shpirtëror i fuqishëm, i ndikuar nga dëshmia e tij e nga prania e tij e vijueshme shpirtërore në udhën e popullit të Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.