2011-04-30 16:41:37

Tri ditë lutjesh për Lumturimin e Papës Vojtila: sonte, Mbrëmësorja e Lutjes, nesër ceremonia e Lumturimit, pasnesër, Mesha e Falënderimit.


Filluan sot tri ditët, kushtuar Lumturimit të Gjon Palit II: sonte, kremtimi i parë, nata përgatitore e lutjes, në Cirkun romak Massimo. Nesër, më 1 maj, Mesha në Sheshin e Shën Pjetrit, kryesuar nga Ati i Shenjtë e pasuar nga nderimi i relikeve të të Lumit të ri nga ana e besimtarëve; pasnesër, Mesha e falënderimit, po në Sheshin e Shën Pjetrit, kryesuar nga kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij.
8 kishat kryesore, në qendër të Romës, nga Cirku Massimo, tek Bazilika e Shën Pjetrit, do të jenë të hapura gjithë natën, duke u krijuar kështu, besimtarëve, mundësinë të luten e të reflektojnë.

Gjithçka është gati për këtë ngjarje të madhe kishtare: sonte, duke nisur nga ora 20.00, do të kremtohet Mbrëmësorja e Lutjes në Cirkun Massimo. Në fillim do të dëgjohen tri dëshmi: dëshmia e parë do të jetë ajo e doktor Navarro–Valls, e dyta, e motrës Maria Simon Pierre, shëruar mrekullisht, nga sëmundja e Parkinsonit, pas lutjeve drejtuar Papës, mrekulli, që bëri të mundur edhe Lumturimin; e treta, e kardinalit Dxhivish, për 40 vjet sekretar i Karol Vojtilës.
Mbrëmësoren e lutjes do ta kryesojë kardinali Agostino Valini, Mëkëmbës i përgjithshëm i Shenjtërisë së Tij për dioqezën e Romës i cili, në mikrofonin tonë, flet për domethënien e këtyre tri ditëve, të ngarkuara me veprimtari të jashtëzakonshme kishtare:
“Jemi të gjithë të kënaqur për këtë shtegtim shpirtëror, sepse Lumturimi është ngjarje, përmes së cilës Gjon Pali II njihet botërisht si dashuronjës i madh i Zotit e i Njeriut; prandaj nga një ngjarje e tillë mund të burojë vetëm gëzim, gëzim i madh. Papa ishte i dashuruar me Zotin, njerëzit, me dëshminë e tij e me zemrën e tij prej Ati”.
Çast kulmor i natës pa gjumë, do të jetë ai, kur besimtarët do të thonë Rruzaren shenjte, së cilës do t’i prijnë Misteret e Dritës, që iu shtuan mistereve të tjera pikërisht nga Papa Vojtila. Rruzaja do të thuhet në lidhje me 5 shenjtëroret më të njohura mariane nëpër botë: me atë të Krakovisë, të Zojës së Libanit, Zojës së Fatimës, të Guadalupes, të Bugandos në Tanazani e atë Çestokovës, në Poloni.
Kremtimin e Lumturimit, nesër, më 1 maj, në orën 10.00, në Sheshin e Shën Pjetrit, do ta kryesojë Benedikti XVI. Arka me trupin e të Lumturit do të vendoset në Bazilikë, para Elterit të Rrëfimit, për homazhet e Papës e të besimtarëve. Nderimi i relikeve të të Lumturit të ri do të vijojë derisa të gjunjëzohet besimtari i fundmë.
Për t’u kujtuar: sot, duke filluar nga ora 13.00, e deri në orën 5 të mëngjesit, nuk mund të hyhet në Rrugën e Pajtimit, as në Sheshin e Shën Pjetrit. Hapësirat, që lejojnë hyrjen në Shesh, do të hapen pikërisht në orën 5.
Ndërkaq në Romë po mbërrijnë edhe delegacionet e shumta nga mbarë bota. Ndërmjet tyre, edhe ato nga Shqipëria e Kosova.







All the contents on this site are copyrighted ©.