2011-04-30 18:38:10

Lumturimi i Gjon Palit II në festën e punëtorëve


Pritje e madhe për Lumturimin e Papës Vojtila. Sonte në Cirkun Massimo në Romë mbahet mbrëmja e lutjes me pjesëmarrje të mase 100 mijë besimtarëve të ardhur nga të katër anët e botës. Nesër në agim hyrja në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan ku priten mase një milion njerëz nga mbarë bota, me dhjetëra e dhjetëra kryetarë Shtetesh e mbretërish, e ndër delegacionet shtetërore janë edhe ato nga Shqipëria e Kosova, për të marrë pjesë në këtë ngjarje të madhe kishtare e për të nderuar personaliteti e jashtëzakonshëm të Karol Vojtilës.
Ceremonia e Lumturimit të Gjon Palit II do të bëhet nesër, të Dielën e Mëshirës Hyjnore, e po nesër, 1 maj, bie edhe Festa e Punëtorëve. E realitetit e botës punëtore, Papa Vojtila i ka kushtuar tri Enciklika: Laborem Exercens, Sollecitudo rei socialis dhe Centesimus Annus e fjalime të panumërta, disa prononcime gjatë vizitave nëpër fabrika në vende të ndryshme. Vëmendja e përkujdesimi i veçantë i të Lumturit të ri ndaj botës punëtore i ka rrënjët në përvojën e tij personale që kur ishte i ri, e Karol Vojtila pat punuar në një gurore e më vonë në një fabrikë kimike të Solvay-it.
Pra, Gjon Pali II kurrë nuk e ka harruar se ka qenë punëtor. Në një fabrikë tjetër në Rosignano më 1982 do t'i thërriste punëtorët “shokë të mi të punës”. - “Edhe unë kam qenë punëtor”, e ka përsëritur shpesh në takimet me botën e punës, takim i caktuar më 19 mars, në festën e Shën Jozefit punëtor. Punëtorë, tregtarë, fshatarë, Vojtila i ka takuar të gjitha realitetet e botës së punës. Ndjeshmëria e tij përballë problemeve të njeriut punëtor është një tjetër tipar i papnisë së tij, që ia ka hapur portat e Vatikanit sindikatave. Kësaj bote ia ka kushtuar një nga dokumentet e tij më të mëdha, Laborem Exercens (1981), në të cilin përshkruan të drejtën e njeriut për punën dhe respektin e dinjitetit të atij që punon. Koncepte të zhvilluara në Enciklikat pasuese sociale Sollicitudo rei socialis (1987) dhe Centesimun annus (1991).
Pastaj nuk mund të mos e kujtojmë edhe kremtimin e Jubileut të punëtorëve që u mbajt më 1 maj të vitit 2000 në Tor Vergata në periferi të Romës me Papën Gjon Palin e Dytë. Me atë rast Ati i Shenjtë Karol Wojtila, para mase 200 mijë punëtorëve të mbledhur, ku bënin pjesë sindikatat, studentët, të papunët, financierët, politikanët e drejtorët e firmave, tha se “solidariteti dhe drejtimi i ndryshimeve rrënjësore që kanë përfshirë procesin e prodhimit, janë garancia etike që i mundëson popujt të bëhen protagonistë të së ardhmes së tyre. Shpikjet teknologjike janë të rëndësishme por dallimet e mosbarazitë që ekzistojnë në botë ende sot, janë ende të shumta e kërkojnë zgjidhje urgjente. Jo gjithmonë organizimi i punës e respekton dinjitetin e personit njerëzor” – tha Papa .
Një tjetër temë e rëndësishme e atij 1 maji të Vitit Jubilar 2000 ishte edhe falja apo shlyerja e borxhit të jashtëm të Vendeve më të varfëra. Me atë rast Papa Gjon Pali II u bëri thirrje Vendeve të pasura të bëjnë hapa konkrete solidariteti. “Nevojitet globalizimi i solidaritetit, pati theksuar Papa Wojtila. Jo pak Kombe, në mënyrë të posaçme më të varfërat janë të shtypura e të munduara nga borxhet që kanë marrë përmasa të tilla sa ta bëjnë praktikisht të pamundur pagesën”. Punë për të gjithë si rrugë e solidaritetit dhe e drejtësisë, u nënvizua në Një majin e Vitit Jubilar 2000 kremtuar në Romë në praninë e Papës Gjon Pali II.







All the contents on this site are copyrighted ©.