2011-04-30 18:39:06

Japoni: i besohen të Lumturit Gjon Pali II vuajtjet e popullit niponik.


“Një grup shtegtarësh të krishterë japonezë, të shoqëruar nga një rregulltar salezian, arriti në Romë për të marrë pjesë në kremtimin e 1 majit e për t’ia besuar Papës polak, vuajtjet që po jeton në këto ditë tragjike, populli japonez, duke kërkuar ndërmjetësimin e Tij”. Njoftimin e jep, në agjensinë Fides, atë Mario Yamanouchi, mëkëmbës provincial i salezianëve në Tokio. Saleziani japonez tregon se e gjithë bashkësia e vogël katolike në Japoni, është mobilizuar për një pjesëmarrje sa më të thellë shpirtërore në këtë ngjarje të madhe për Kishën universale. Të gjitha dioqezat e famullitë, duke i njoftuar besimtarët për programin e kremtimit, i ftuan të bashkohen në Mbrëmësoret e lutjeve e në Meshët Shenjte, kremtuar në të gjitha bashkësitë, sidomos atje, ku kryejnë misionin salezianët. Edhe realitetet e tjera kishtare, si Fokolarinët e besimtarët e Udhës së Re Katekumenale, organizojnë prej ditësh kremtime e takime, për t’u bashkuar, nesër, shpirtërisht, me Kishën universale në Sheshin e Shën Pjetrit. Katolikët japonezë e shikojnë Lumturimin edhe si mundësi për ungjillëzim, duke pasur parasysh se ftesa për të marrë pjesë në kremtim, u është drejtuar edhe jo të krishterëve. E në sa Japonia kalon një periudhë vërtet të vështirë, jeta e vepra e Gjon Palit II shërbejnë si mesazh shprese e afërsie për të gjithë ata, që vuajnë. E kjo, sepse Papa misionar, që vuajti vetë e që ishte tejet pranë të mjeruarve, sot vijon t’u prijë të krishterëve japonezë. E frymëzuar prej Tij, Kisha katolike vendase e dëshmon dashurinë e Zotit për njeriun përmes solidaritetit, lutjes e afërsisë me viktimat e tsunamit e të tërmetit.







All the contents on this site are copyrighted ©.