Gjashtë vjet më parë, më 08. 04. 2005, trupi i Gjon Palit II vendosej në një arkivol
me dru qeparisi, me veshjet liturgjike e mitrën në kokë, ashtu siç ishte kur priti
besimtarët për herë të fundit. Para se të vendosej në arkë, Mjeshtri i Kremtimeve
papnore dhe sekretari i posaçëm i Gjon Palit II shtrinë mbi fytyrën e Papës një vel
të hollë mëndafshi të bardhë, gjest që u shoqërua me lutjen e Kardinalit Kamerleng,
Martines Somalo:
“Po e mbulojmë fytyrën e tij me respekt e nderim, e
me shpresë të gjallë se ai tani kundron fytyrën e Atit, me të
Lumen Virgjër Mari e të gjithë Shenjtorët. O Perendi i gjithëpushtetshëm
e i amshuar, ti Zot i jetës e i vdekjes, ne shpresojmë e besojmë se
jeta e Atit të Shenjtë tani fshihet në Ty. Fytyra tij, së
cilës i mungon drita e kësaj bote, u ndriçoftë përgjithmonë e jetës nga
drita e vërtetë që në ty ka burimin e pashterrshëm. Fytyra e tij, që
shqyrtoi udhët tuaja, për t’ia treguar Kishës paftë fytyrën tënde
atërore. Fytyra e tij që sytë tanë më s’e shohin kundroftë
bukurinë tënde e ta porositët grigjën e vet ty, o Bari i amshuar, që
jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.
Më pas arkivoli u vendos në qendër
të tremes së bazilikës vatikanase. Mbi arkivol, Ungjilli i hapur: sipas domethënies
së liturgjisë, ishte era ajo, që e shfletoi. E era atë ditë fryu në një mënyrë, që
mbeti në kujtesën e njerëzimit, duke hapur me vrull faqet e Ungjillit mbi arkën e
përmortshme, si të donte që bota ta lexonte me një frymë.
Fytyra e tij,
që sytë tonë më s’e shohin – ishin fjalët e fundit, që u shqiptuan gjashtë vjet
më parë, kur mbi arkivolin e thjeshtë rëndoi fort kapaku. Por sot, gjashtë vjet
më pas, fytyrën e Gjon Palit II e shikojmë përsëri, sepse bën pjesë në listën e shkurtër
të njerëzve, që kanë vetëm një datë: atë të lindjes E shikojmë në Sheshin e Shën
Pjetrit në Vatikan, në fasadën e Bazilikës e në të katër anët e Romës, që e pati kryipeshkëv.
E shikojmë me sytë e mendjes në dritaren e qiellit, mbi Sheshin e Shën Pjetrit, në
Vatikan, duke bekuar qindra mijëra besimtarët në Lutjen më të jashtëzakonshme të Engjëllit
të Tënzot, tani që është pranë Tij. E shikojmë në të gjitha bazilikat, katedralet,
kishat e kapelëzat e shpërndara deri në skajet më të humbura të botës. E shikojmë
në ekranin e mondovizionit. E shikojmë e na shikon. Me sytë e tij depërtues, prej
nga buron një shkëlqim i jashtëzakonshëm, një shkëlqim i mprehtë e i ngrohtë njëkohësisht.
Në këto sy vijon të vezullojë dukshëm inteligjenca. Shikimi ynë, i ngulur në fytyrën
e Tij, gjashtë vjet pas vdekjes, duke e soditur këtë portret të jashtëzakonshëm, zbret
ngadalë e ndalet në buzët fine, as të trasha as të holla, të lakuara në një mënyrë,
që të kujton diçka ndërmjet gazit të ëmbël e seriozitetit të hekurt. Gjithë inteligjenca,
që shkreptinte e shkreptin prej syve të tij, delte nëpër ato buzë të lakuara me një
hir krejt të veçantë. Inteligjenca bëhej fe e njeriu, Papë, që krijon, ndritë, sqaron,
ndryshon njerëz, kohë, vende, histori. Sot, gjashtë vjet pas vdekjes, fytyra
e Papës na shikon deri në thellësi të ndërgjegjes e, duke i njohur mirë druajtjet
tona, na përsërit: “Vëllezër e motra! Mos kini frikë, hapjani në të dy kapakët
portat Krishtit. Krishti e njeh shpirtin e njeriut. Vetëm Ai e njeh deri në fund!”.