2011-04-30 16:55:55

Emocione të papërshkrueshme sot në Kriptën e Vatikanit e në ekspozitën-homazh të Benediktit XVI për Gjon Palin II.


Emocione të papërshkrueshme, sot, në Kriptën e Vatikanit. Klerikë, rregulltarë, rregulltare e laikë rrethuan gjithë ditën arkën me trupin e Gjon Palit II, mbështjellë me një çarçaf të qindisur me ar, vendosur në Kapelën pranë varrit, ku pushoi në paqe për gjashtë vjet me radhë. Tani Gjon Pali II ka dalë nga varri, për t’u lartuar në elter, si Papë i Lumtur. Varri, i zbrazët, i ngjet një Varri tjetër, që të kujton ringjalljen. Njerëzit gjunjëzohen para këtij trupi, thonë me devocion të papërshkrueshëm Rruzaren Shenjte, prirë nga Misteret e Dritës, flasin me Papën e paharruar e i besojnë ndjetet më të fshehta të zemrave, duke iu lutur për ndërmjetësim. I afrohen, pastaj, në majë të gishtrinjve, në heshtje të thellë, e puthin e mbështesin një ças mbi Të Rruzaret, si të donin t’ua bekonte. Ndjesi të paprovuara ndonjëherë ua mbushin shpirtin, në sa i pushton gëzimi i parrëfyeshëm i takimit, gati fizik, me një Njeri të Lumtur. E, duke prekur arkën, që ndryn një të vdekur, ndjejnë mrekullisht sesi prej saj buron jeta, bekimi, lumturia. Lapidari i madh prej mermeri, nën të cilin Karol Vojtila pushoi në paqe gjashtë vjet me radhë, është vendosur në një anë tjetër të Kriptës së Vatikanit, për t’u transportuar, më pas, në Krakovi, në një Kishë të re, kushtuar të Lumturit. Guri i rëndë nuk e mbyll më varrin, që ka mbetur i zbrazët. Ndërsa besimtarët kërkojnë copëzat prej mermeri, mbetur nga hapja e varrit, për t’i ruajtur, si relike.
E, dy hapa më tej, në Krahun e Karlit të Madh, me hyrje nga Sheshi i Vatikanit, takohemi përsëri me Papën polak, në ekspozitën-homazh, kushtuar Karol Vojtilës, nga Jozef Racinger.
Vizitori përshkon pesë sektorët e ekspozitës, duke u njohur nga afër me fëmijërinë e Karol Vojtilës. E shikon, pastaj të ri e të rritur: punëtor, poet, aktor, seminarist klandestin, meshtar, ipeshkëv, kardinal, papë, shkrimtar e filozof. Ndalohet para vitrinave, ku janë ekspozuar librat që ka shkruar. Vizitori, që ndoshta memëzi ka shkruar vetëm pak radhë gjatë gjithë jetës, pyet veten: “Si mundi të realizonte një punë kaq titanike?”. Sepse nuk ishte penda, misioni i tij kryesor. Penda ishte vetëm një mjet, në shërbim të Krishtit, të cilit i kushtoi kremtime, shtegtime, enciklika, i shërbeu me lumturimet e shenjtërimet në të katër anët e botës, me sinodet, koncistoret. Janë aty, të gjitha, para syve të vizitorit. Mbi këtë hapësirë, zhytur në gjysëm errësirë, për të shijuar më mirë pamjet që parakalojnë nga ekranet, sundon Motoja e gjithë jetës së Karol Vojtilës “Totus tuus”, me të cilën ia kushtoi papninë Virgjërës Mari, e cila u bë nëna e atij, që e humbi nënën ende i mitur. Pastaj, një Papë tjetër, pak i njohur, i jashtëzakonshëm: Një papë që vozitë me kanoa, që rrëshqet me ski, që noton, që shkruan vargje… Hyjmë në jetën e tij intime. Shikojmë pjatën e thjeshtë, ku hëngri bukë për ditë; pendën, me të cilën shkroi e, sidomos, kanoe-n a sandallin, me të cilën voziti në Poloni e në Itali, skitë, biçikletën e vjetër të markës polake, me të cilën përshkonte udhët e Vadovices, të Krakovisë e të Varshavës, kur ishte prift i thjeshtë, këpucët sportive, të ngrëna nga përdorimi… E pastaj, paramentet e ditëve të mëdha, ndërmjet të cilave, Manteli i qindisur me ar, që i mbulonte supet, ditën kur ai, që ia hapi Lindjes portat drejt perëndimit, hapi Portën e Shenjtë në Shën Pjetër e, me të edhe Jubileun e Madh të Vitit dymijë. Hapte, kështu, edhe portën simbolike drejt një shekulli të ri, ashtu si ia pati profetizuar kardinali Vishinski.
Sektor pas sektori, vizituesi arrin, i ngarkuar me emocione të thella, në faqen e fundme të historisë së kësaj jete të jashtëzakonshme, të njeriut, që shpallet i Lumtur: Papa kthehet tek shtëpia e Atit qiellor. Ndërsa vizitori del nga ekspozita i prekur thellë, në pritje të 1 majit, kur do ta shikojë në balloren e Bazilikës, në atë lozhë, ku pati dalë kur u zgjodh Papë, për ta ftuar mbarë njerëzimin t’ia hapë pa frikë portat Krishtit.










All the contents on this site are copyrighted ©.