Mediat e mbarë botës, gati për Lumturimin e Papës Vojtila; më 1 maj, priten 87 delegacione.
(29.04.2011 RV)Jo vetëm Kisha, por mbarë bota, përgatitet për të ndjekur, me
emocione të thella, Lumturimin e Gjon Palit II, të dielën e ardhshme: 2300, gazetarët
e akredituar për të përfaqësuar 101 kombe; 87, delegacionet zyrtare të vendeve të
ndryshme, ndërmjet të cilave, edhe delegacionet e rangut të lartë, që do të përfaqësojnë
Shqipërinë e Kosovën. Do të jenë të pranishëm 19 presidentë dhe përfaqësuesit e 5
shtëpive mbretërore. Lidhur me përgatitjen e kësaj ngjarjeje të madhe, u mbajt sot
paradite një takim në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë. Nga çastet e lutjes,
tek dëshmitë personale; nga Rruzarja, tek social network: Kisha, e posaçërisht dioqeza
e Romës, përgatitet për kremtimin koral: Lumturimin e Gjon Palit II. Një festë, që
do të vijojë tri ditë. Imzot Marko Frizina, drejtor i zyrës Liturgjike të Vikariatit
të Romës, foli kryesisht për kremtimin e parë, organizuar nga dioqeza e Romës, që
e kishte Papën Vojtila ipeshkëv, për natën përgatitore e lutjes, nesër mbrëma, në
Cirkun romak Massimo. Kremtimin do ta kryesojë kardinali Agostino Valini. Pjesa e
parë do të jetë kremtim i Kujtimit, me dëshmitë e atyre, që e njohën nga afër Papën
Vojtila: “Dëshmia e parë do të jetë ajo e doktor Navarro –Valls, pas të cilit
do të flasin Motra Maria Simon Pierre, e cila u shërua mrekullisht, përmes lutjeve
drejtuar Papës, mrekulli, që bëri të mundur edhe Lumturimin; pastaj do të flasë kardinali
Dxhivish. Janë dëshmitë e dy bashkëpunëtorëve më të afërt të Atit të Shenjtë e të
një dëshmitareje të jashtëzakonshme, që provoi në trupin e në shpirtin e saj, afërsinë
e Gjon Palit II, duke u shëruar plotësisht e mrekullisht, nga sëmundja e Parkinsonit”. Kardinali
Agostino Valini, Mëkëmbës i përgjithshëm i Shenjtërisë së Tij për dioqezën e Romës,
do të flasë përmbledhtas për personalitetin shpirtëror e baritor të të Lumturit.
Çast kulmor i natës pa gjumë, do të jetë ai, kur besimtarët do të thonë Rruzaren Shenjte,
së cilës do t’i prijnë Misteret e Dritës, që iu shtuan mistereve të tjera pikërisht
nga Papa Vojtila. Rruzaja do të thuhet në lidhje me 5 shenjtëroret më të njohura mariane
nëpër botë: me atë të Zojës së Libanit, Zojës së Fatimës, të Guadalupes, të Bugandos
në Tanazani e atë Çestokovës, në Poloni. Don Valter Insero, drejtor i Zyrës së Komunikimeve
Shoqërore të Vikariatit të Romës, theksoi se 8 kishat kryesore, në qendër të Romës,
nga Cirku Massimo, tek Bazilika e Shën Pjetrit, do të jenë të hapura gjithë natën,
duke u krijuar, kështu, besimtarëve, mundësinë të luten e të reflektojnë: “Roma
do të jetojë, për herë të parë “natën e bardhë të lutjes”. Nuk do të hapen dyqanet
e as muzetë: do të jenë të hapura vetëm dyert e Kishave të qendrës, e jo vetëm ndërtesat
me gurë, por mbi të gjitha, ato me gurë të gjallë, grupet e të rinjve. Një Kishë,
kjo e Romës, do të jetë ditë-natë zgjuar, për t’i pritur shtegtarët e për t’i shoqëruar!
Natë pritjeje, natë lutjesh!”. U vu theksi edhe mbi mbulimin multimedial
të ngjarjes, nga Twiter, tek face book e tek Youtube, falë projektit “Rojet dixhitale”
koordinuar nga nga Këshilli Papnor i Komunikimeve Shoqërore e nga Qendra Televizive
e Vatikanit që, së bashku me Radio Vatikanin, ka bërë punë të madhe në këtë sektor.
Drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, saktësoi
se që nga ora 3.00 e ditës së nesërme, zona e Sheshit të Shën Pjetrit dhe Rruga e
Pajtimit do të jenë të mbyllura: “Të shtunën pasdite, natën e deri në orën
5 të mëngjesit, nuk mund të hyhet në Rrugën e Pajtimit, as në Sheshin e Shën Pjetrit.
Hapësirat, që lejojnë hyrjen në Shesh, do të hapen pikërisht në orën 5”. Më
pas u kujtua se Papa Gjon Pali II lumturohet më 1 maj, nën shenjën e Mëshirës Hyjnore,
që Karol Vojtila e kishte aq për zemër. Ngjarja do të ndiqet nga 1300 testata televizive,
230 fotografë, 700 radio e gazeta të 101 kombeve. Do të bashkëkremtojnë me Papën,
të gjithë kardinajtë e pranishëm në Romë. Me ta, do të bashkohet edhe imzot Miesislav
Mokricki, nga 1995 deri më 2005, sekretar i dytë i Papës Vojtila. Atë Lombardi
shpjegoi se kelku, që do të përdoret gjatë kremtimit, është ai që përdorte Papa Vojtila
në vitet e fundit të papnisë. Përveç një relikuari, në formën e degëve të ullirit,
në treme të bazilikës, do të ekspozohet edhe ampula me gjakun e Gjon Palit II. Do
të ketë shumë blerim, nga qeparisat, që të kujtojnë jetën e amshuar, tek blerimi i
harlisur i ditës së parë të muajit të luleve, majit, që të kujton mrekullinë e Krijesës! Fotografia
e të Lumturit të ri, një portret i vitit 1995, punuar me teknikën e sixhadesë, vendosur
në fasadën e Bazilikës, do të zbulohet pas Lumturimit. Në përfundim të Meshës, Papa
do të shkojë për të nderuar reliken e Gjon Palit II në Bazilikë. Pas tij, turma e
besimtarëve.Nderimi i relikeve të të Lumit të ri nga ana e besimtarëve do
të vijojë deri sa të gjunjëzohet besimtari i fundmë. Të hënën, pastaj, në
orën 10.30, në Sheshin e Shën Pjetrit, Mesha e falënderimit, kryesuar nga kardinali
Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij. Së fundi, trupi i
të Lumit të ri do të vendoset, në formë private, në Bazilikën e Vatikanit, pranë
kapelës së Shën Sebastianit. E për herë të parë, Kisha mund t’i lutet për ndërmjetësim,
të Lumturit Karol Vojtila.