2011-04-29 11:46:06

Benedikti XVI kujton Gjon Palin II: shpirt i zgjedhur, që kumtoi Krishtin e ngjallur.


Papnia e Atit të Shenjtë Gjon Palit II qe një papni që i dëshmoi mbarë botës mëshirën e Krishtit të Ngjallur, e jetuar nga një Papë, që diti ta mbartë me guxim Kryqin e Mundimeve të Krishtit. Janë dy skajet e misterit të jetës së Papës Vojtila, të cilin Benedikti XVI e përkujtoi shumë herë në raste e kremtime të ndryshme. Papa Vojtila i la Kishës një dëshmi të jashtëzakonshme.
“Me Kryqin shtrënguar fort ndër duar, ky njeri, Karol Vojtila, që nuk diti kurrë ç’është lodhja fizike as shpirtërore, mbeti në kujtesën e njerëzimit si Papa shtegtar, që shkeli në të katër anët e botës, posaçërisht atje ku ndjehej më shumë nevoja e pranisë së Tij. E Kryqin e shtrëngoi më fort, i bindur se ishte mbështetje e sigurtë, edhe kur mosha e sëmundja bënë punën e vet, duke ia ligështuar trupin, por kurrë shpirtin, që përgatitej të kthehej në shtëpinë e Atit qiellor”. Kështu e kujtoi Benedikti XVI Shërbëtorin e Hyjit, Gjon Palin II, në praninë e mijëra besimtarëve, mbledhur të tërhequr shpesh herë pas vdekjes, nga dashuria për Papën Vjojtila, që mbetet po aq e freskët, si atëherë kur zëri i tij tundte Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan e sheshet më të mëdha të planetit, pa harruar këtu edhe sheshin e vogël para Katedrales së Shkodrës, që sot mban emrin Gjon Pali II, si dhe Sheshin e madh ‘Skënderbej’ në zemër të Tiranës.
Benedikti XVI kujtoi, me dy figura të gjetura, fillimin dhe fundin e një papnie të jashtëzakonshme: e nisi homelinë e tij të dy prillit 2008 me figurën e Papës së ri Vojtila, i cili pas Meshës së fillimit të papnisë larton me vrull drejt turmës Kryqin e shkopit baritor – gati si të donte t’i ripohonte fjalët që kishte thënë pak më parë: “Hapjani portat Krishtit!” – dhe e mbylli me figurën e Papës së moçëm Vojtila, që gati-gati mbështetet tek Kryqi në të fundmen të Premte të Madhe të jetës, i ulur në Kapelën e tij private, për të ndjekur meditimet e Udhës së Kryqit në Kolose më 2005, shkruar nga ai që, një muaj më pas, do t’i zinte vendin në krye të Kishës universale.
Kryqi e Ngjallja: për Benediktin XVI janë dy pikat kyçet kryesore, që na shërbejnë për ta lexuar e për ta kuptuar figurën madhore të Gjon Palit II:
“Në të vërtetë, gjithë jetën e paraardhësit tim të dashur, e posaçërisht shërbimin e tij papnor, mund ta lexojmë vetëm nën shenjën e Krishtit të ngjallur. Ai kishte besim të jashtëzakonshëm në Krishtin, me të cilin vijonte një bisedë intime, të veçantë, të pandërprerë. Ndërmjet shumë cilësive njerëzore e mbinjerëzore, kishte edhe një ndjeshmëri të posaçme shpirtërore e mistike. Mjaftonte ta shikoje kur lutej: bëhej një me Hyjin e dukej se në atë çast, gjithçka tjetër ishte krejt e huaj për të”.
Por lisi madhështor me këto cilësi, përmes të cilave Papa i ardhur nga një vend i largët fitoi shumë shpejt admirimin e dashurinë e gjithë botës, i kishte rrënjët në vuajtjet, të cilat Gjon Palit II nuk i munguan kurrë, si para, ashtu edhe pas thirrjes së Zotit për t’u bërë Shërbëtor i Tij.
Që kur ishte fëmijë – vërejti Benedikti XVI – Karol Vojtila u takua vazhdimisht me Kryqin: në hapat e para të udhës së jetës, në familje e në rrugën e popullit të tij:
“Ai vendoi ta mbartë këtë Kryq së bashku me Jezusin, duke ecur në gjurmët e Tij. Deshi të ishte shërbëtori besnik i Krishtit deri në atë masë, sa ta pranonte thirrjen për rrugën e meshtarisë si dhuratë e si impenjim për gjithë jetën. Me Krishtin jetoi e me Të edhe deshi të vdiste. E gjithë kjo, me ndërmjetësimin e Zojës së Bekuar, Nënës së Kishës, Nënës së Shëlbuesit, që lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me misterin shpërblyes të Vdekjes e të Ngjalljes së Tij”.
Sot, ashtu si vjet më parë - vijoi Benedikti XVI - Kisha jeton atmosferën shpirtërore të Pashkëve e, gjatë leximeve të Meshës së kremtuar për shpirt të Tij, ridëgjuam fjalët e Engjëllit për Ngjalljen e Krishtit, të cilat Gjon Pali II i shndërroi në program apostolik: “Mos kini frikë!”:
“I shqiptoi gjithnjë me vendosmëri të patundur, fillimisht duke vringëlluar shkopin baritor me Kryqin në majë e pastaj, kur nisën t’i shterronin energjitë fizike, gati-gati duke u kapur pas tij, deri në të fundmen të Premte të Madhe, kur mori pjesë në Udhën e Kryqit nga Kapela e tij private, me Kryqin shtrënguar ndër krahë. Nuk mund ta harrojmë këtë dëshmi të fundme, të heshtur, të dashurisë për Jezusin. Edhe kjo skenë, që flet vetë për dhimbjen njerëzore e për fenë, në këtë të Premte të fundit të Madhe, u tregonte besimtarëve dhe mbarë botës, sekretin e gjithë jetës së krishterë”.
Thirrja “Mos kini frikë!” – nënvizoi Benedikti XVI, duke vijuar reflektimin - nuk bazohej mbi forcat njerëzore, as mbi sukseset e arritura, por vetëm e vetëm mbi Fjalën e Hyjit, mbi Kryqin e mbi Ngjalljen e Krishtit. Sa më shumë ky Papë guximtar zhvishej nga gjithçka, deri nga aftësia për të folur, aq më i dukshëm bëhej besimi i tij tek Krishti. E Papa Vojtila nisej, duke i lënë trashëgim Kishës gurë kilometrikë magjisteri, prandaj me të drejtë shumë njerëz shpresojnë se do të lartohet shpejt në nderimet e elterit, ashtu si shumë e shumë figura të ndritura, të cilat ai i ngriti në të njëjtën lartësi. Kujtojmë Faustina Kovalskën, shpallur shenjtore në vitin 2000 si Apostulle e misterit të Mëshirës së Hyjit në botë. E ky mister është një kyç tjetër, që na ndihmon për të hapur portat e magjisterit të Papës Vojtila:
Shërbëtori i Hyjit, Gjon Pali II, i njohu e i jetoi personalisht tragjeditë e përbindshme të shekullit XX e, për shumë kohë, vijoi ta pyeste veten si mund t’i vihej prita baticës të së keqes, që sulej pa gjetë pengesë mbi njerëzimin. Përgjigjen mundi ta gjente vetëm tek dashuria e Hyjit. Vetëm Mëshira Hyjnore është në gjendje t’i verë kufi së keqes; vetëm dashuria e gjithëpushtetshme e Hyjit mund ta mposhtë prepotencën e njerëzve të prapë dhe pushtetin shkatrrimtar të egoizmit e të urrejtjes”.
Papa e përfundoi homelinë e 2 prillit 2008 duke falënderuar Zotin që i dhuroi Kishës një ‘shpirt të zgjedhur” si Gjon Pali II dhe uroi që:
“Kisha, duke ndjekur mësimet dhe shembujt e Tij, të vijojë besnikërisht e pa kompromise, misionin e saj ungjillëzues, duke përhapur, pa u lodhur kurrë, dashurinë përdëllyese të Krishtit, burim i paqes së vërtetë për botën mbarë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.