2011-04-29 13:42:56

Arkivoli me trupin e Papës Vojtila u nxor nga varri. Do të jetë në Shën Pjetër pas Lumturimit, për t’u nderuar nga besimtarët.


Duke pasur parasysh rivendosjen në Bazilikën e Shën Pjetrit, për nderimet, që do t’i bëhen menjëherë pas kremtimit të Lumturimit , sot paradite arkivoli me trupin e Gjon Palit II u nxor nga varri, në Kriptën e Vatikanit, ku pushonte që prej gjashtë vjetësh. Hapja e varrit, njofton një notë zyrtare e Sallës së Shtypit të Vatikanit, filloi në mëngjes heret e vijoi deri në orën 9.00, kur u kremtua një çast i shkurtër lutjeje, kryesuar nga kardinali Komastri, që intonoi litanitë. Të pranishëm, edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone; kardinali Gjovani Lajolo, kardinali Stanislao Dxhivish si dhe personalitete të tjera të Kuries, motrat që i patën shërbyer Gjon Palit II dhe drejtuesit e Xhandamërisë e të Rojes Zvicerane. Më pas, në sa vijonin litanitë, arkivoli u mbart për një pushim të shkurtër para varrit të Shën Pjetrit, gjithnjë në Kriptë, i vendosur mbi një mjet lëvizës e i mbuluar me një pëlhurë të qindisur me ar. Atje kardinali Bertone tha një lutje të shkurtër përfundimtare, me të cilën e mbylli këtë kremtim rreth orës 9.15
Nota zyrtare kujton se gjashtë vjet më parë, para mbylljes së arkivolit, në të u vendos një çantë me medalje, argjendi e bronzi, që përkujtojnë papninë e Gjon Palit II e u lexua një biografi e shkurtër, që në gjuhën kishtare quhet “Rogito”, e cila, si u mbyll në një tub plumbi, u varros me trupin e Atit të Shenjtë. Arkivoli prej qeparisi u lidh me kordhele të kuqe, mbi të cilat qenë vënë vulat e Papës e të Vatikanit. Arka, pastaj, u vendos në një arkë të dytë zinku e në një të tretë, me dru arre, e u vulos përfundimisht. Mbi kapakun e arkivolit prej druri ishin vënë Kryqi e Stema e Papës. Arkivoli u varros në Kriptën, ku pati pushuar në paqe Papa Gjoni XXIII, para se të vendosej në elter, në Bazilikën e Vatikanit.
Sot, gjatë zhvarrosjes, arkivoli prej qeparisi u nxor nga dy arkivolet e tjera: "Arka – saktëson nota e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – ishte ruajtur shumë mirë, ndonëse në të dukeshin shenjat e kohës. E veshur me një pah të hollë myku, u pastrua menjëherë, duke i kthyer arkivolit pamjen që kishte pasur kur zbriti në varr. Lapidari i madh prej mermeri, nën të cilin Karol Vojtila pushoi në paqe gjashtë vjet me radhë, u vendos në një anë tjetër të Kriptës së Vatikanit, për t’u transportuar, më pas, në Krakovi, në një Kishë të re, kushtuar Të Lumturit.
Arka do të mbetet në Kriptën e Vatikanit deri të dielën paradite, kur do të mbartet në bazilikë e do të vendoset para Elterit qëndror për homazhet e Benediktit XVI e të besimtarëve, pas Lumturimit.
Ndërkaq Kripta do të jetë e mbyllur për publikun.Nota kujton edhe se arkivoli i Atit të Shenjtë do të vendoset në kapelën e Shën Sebastianit. Kështu besimtarët do ta kenë më të lehtë të gjunjëzohen tek vendi ku pushojnë në paqe reliket e Papës polak, ashtu siç bëjnë, kur duan të luten para trupit të balsamosur të Gjonit XXIII, poshtë elterit të Shën Jeronimit, në bazilikën e Shën Pjetrit.







All the contents on this site are copyrighted ©.