2011-04-28 18:01:32

Jetëshkrim i shkurtër i Gjon Palit II


Papa Gjon Pali II (Ioannes Paulus PP. II), në shekull Karol Józef Wojtyła, lindi në Vadovice (Poloni), më 18 maj 1920; vdiq në qytetin e Vatikanit, më 2 prill 2005. Vojtila ishte pasardhësi i 263-të i Shën Pjetrit; Papa i 264-t i Kishës Katolike Romake; Kryeipeshkvi i Romës, Kreu i Qytet-Shtetit të Vatikanit. I zgjedhur papë më 16 tetor 1978, po mbushte 27 vjet papnie, e treta për gjatësi në historinë e Kishës.
Karol Vojtila para papnisë
Karol Wojtyla lindi më 18 maj të vitit 1920, në Wadovicë (Poloni), rreth 50 km larg Krakovisë. Karol Vojtila, Ati, ishte oficer; nëna, Emilia Kacazorowska, mësuese. Vëllau më i madh, Edmundi, mjek, ndërsa motra më e vogël, Olga kishte vdekur në lindje. Karoli u pagëzua më 20 qershor 1920.
Më 13 prill 1929 i vdiq e ëma; tri vjet më vonë, edhe vllau, Edmundi (5 dhjetor 1932). Mbeti vetëm me të jatin.
Më 1934, pasi kreu shkollën fillore, u regjistrua në gjimnazin klasik (Marcin Wadowitza). Përveç sportit, nisi të interesohej edhe për teatër, duke themeluar teatrin amator të Wadowices.
Në maj të vitit 1938 mori sakramentin e Krezmimit dhe dëftesën e pjekurisë. Gjatë verës, së bashku me të atin, u vendos në Krakovi. Në vjeshtë u regjistrua në Universitetin Jagiellonian të Krakovisë, ku nisi studimet në degën e gjuhës e të letërsisë polake, pa e harruar dashurinë për teatrin. Arriti të përvetësojë 11 gjuhë të ndryshme: polonisht, sllovakisht, rusisht, italisht, frëngjisht, spanjisht, portugalisht, gjermanisht, ukrainisht, anglisht e latinisht. U radhit, kështu, ndërmjet intelektualëve më të njohur poliglotë të kohës.
Me 1939 filloi Lufta II Botërore. Nazistët pushtuan Poloninë dhe e mbyllën Universitetin. Karol Wojtyla u detyrua t’i ndërpresë studimet.
Me 1940, për të shpëtuar nga internimi në Gjermani, punoi në guroren e lidhur me fabrikën kimike Solvay. Nisi të lexojë veprat e Shën Terezës së Avilës, përmes së cilës u njoh me përshpirtërinë e karmelitanëve.
Më 18 shkurt 1941 i vdiq edhe i ati.
Gjatë viteve 1942-1944 punoi në një fabrikë prodhimesh kimike.
Me 1942 hyri në Seminarin e Madh klandestin të Krakovisë. Filloi, fshehurazi, edhe studimet në Fakultetin teologjik të Universitetit Jagellonica, pa e ndërprerë punën në fabrikë.
Më 01. 11. 1946, ditën e Gjithë Shenjtorëve, kardinali Adam Stepan Sapieha e shuguroi meshtar, në kapelën e tij private.
Më 02. 11. 1946, ditën e Purgatorëve, kremtoi Meshën e parë në kripten e shën Leonardit, në katedralen e Wavelit.
Gjatë viteve 1946-1948 vazhdoi studimet pasuniversitare në Romë, në Universitetin Papnor të Shën Tomës (Angelicum). Shkroi punimin e doktoraturës mbi shën Gjonin e Kryqit, duke theksuar natyrën personale të takimit të Zotit me njeriun.
Me 1947, gjatë pushimeve verore, vizitoi Francën, Holandën e Belgjikën.
Në korrik 1948 mbrojti doktoratën dhe u kthye në Krakovi. U emërua famullitar në fshatin Niegowicy.
Më 1949 u transferua në famullinë e Shën Florianit, në Krakovi. Famullitari e caktoi atë shpirtëror të studentëve të Krakovisë dhe të punjonjësve të shërbimit shëndetësor. Nisi të krijojë poezi me pseudonimin Andrzej Jawien, të shkruajë artikuj për revistën ˝Tygodnik Powszechny˝, t’u japë mësim katekizmi studentëve, të inskenojë pjesë teatrale, të organizojë shëtitje e shtegtime.
Më 1951 kryeipeshkvi i Krakovisë, Eugeniusz Baziak, e liroi nga detyrat famullitare, duke i krijuar kushtet për punë shkencore, në fushën e etikës dhe të teologjisë morale.
Më 1953 nisi të japë leksione në disiplinën e etikës katolike, pranë Universitetit Jagellonica.
Më 1954 vijoi punën në Lublin, në Universitetin Katolik. Drejtoi katedrën e etikës, pranë fakultetit të filozofisë.
Më 28. 09. 1958 u emërua ipeshkëv–ndihmës i Krakovisë e, katër vjet më pas, drejtoi dioqezën si mëkëmbës kapitullar. Vetëm 38 vjeç, ishte ipeshkvi më i ri i episkopatit polak.
Në vitin 1960 botoi librin “Dashuria dhe përgjegjësia”.
Më 30 dhjetor 1963 Papa Pali VI e emëroi kryeipeshkëv të Krakovisë.
Prej 1962 deri më 1965 mori pjesë në Koncilin II të Vatikanit, ku dha ndihmesë të çmuar për hartimin e Dignitatis Humanæ dhe Gadium et Spes, dy dokumentet historike më të rëndësishme të Koncilit.
Më 5- 15. 12. 1963 shtegtoi për herë të parë në Tokën e Shenjtë.
Më 30. 12. 1963 Papa Pali VI e emëroi Karol Wojtylën kryeipeshkëv metropolit të Krakovisë.
Më 26. 06. 1967 u krijua kardinal i Shën Cesareo në Palatio, diakoni e lartuar në titullin pro illa vice nga Papa Pali VI.
U kthye në Krakovi, ku nisi të dallohet për veprimtari kundër komunizmit. Filloi të botojë në gazetën e tij dioqezane disa libra, që ishin ndaluar nga censura komuniste. Ndërmjet tyre, “Hamendje mbi Jezusin” shkruar nga Vitorio Mesori dhe “Letër e një fëmije, që s’doli kurrë në dritë”, shkruar nga Oriana Falaçi.
Në vitin 1969 botoi librin e dytë “Njeriu e vepra”.
Më 1970 vizitoi disa vende të Evropës.
Me 1973 mori pjesë në Kongresin Eukaristik në Australi; vizitoi Manilën dhe Guinenë e Re. Udhëtoi në Belgjikë e në Francë. Si u rikthye në Krakovi, bëri thirrje për mbledhjen e parë të sinodit të ipeshkvijve.
Gjatë vitit 1974 ishte disa herë për vizitë në Romë.
Më 1975 vazhdoi punën për përfundimin me sukses të sinodit të ipeshkvijve; mbajti një ligjëratë në Seminarin Ndërkombëtar në Friburg dhe në Konferencën e Milanos.
Me 1976 kryesoi ushtrimet shpirtërore të Kuries në Vatikan, në praninë e Papës Pali VI; vizitoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadanë, mori pjesë në kongrese filozofësh në Romë dhe Gjenevë.
Me 1977 Universiteti Johannes Gutenberg i Mainz-it i dha titullin e nderit doctor honoris causa. Mori pjesë në disa konferenca në Romë, Milano, Paris.
Në gusht të vitit 1978, pas vdekjes së Palit VI, ishte i pranishëm në konklavin, që përfundoi me zgjedhjen e Patrikut të Venedikut, kardinalit Albino Luçiani, Papa Gjon Pali I. Në moshën 65 vjeçare, Luçiani konsiderohej si papë i ri, në krahasim me paraardhësit. Më 28 shtator 1978, pasi papnoi vetëm 33 ditë, Gjon Pali I vdiq. Në tetor 1978 Vojtila u rikthye në Vatikan, për të marrë pjesë në konklavin e dytë, brenda dy muajve.
Më 16. 10. 1978, në orën 18.18 tymi i bardhë lajmëroi zgjedhjen e Papës së ri. Gjysëm ore më vonë në lozhën e Bazilikës së shën Pjetrit u paraqit kardinali Felici, që njoftoi: Habemus papam! Kemi Papën! Papa i ri i Kishës Katolike ishte kardinali i Krakovisë, Karol Vojtila, që deshi të zgjidhte emrin Stanislau I, por me që ky emër nuk përfshihej në traditën romake, u quajt Gjon Pali II. Ishte i 264-ti papë, i pari papë polak.
Pak minuta pas zgjedhjes, Papa i ri u duk në lozhë për të përshëndetur mijëra besimtarët e mbledhur në Shesh. Në fjalimin e tij të shkurtër, u paraqit si ‘papa i ri, i thirrur nga një vend i largët”. Me entuziazmin e tij ia fitoi menjëherë zemrën italianëve, që e shikonin me dyshim zgjedhjen e një pape të huaj, pas kaq shekujsh. Mbeti e famshme fraza: “Në se do të gaboj, ju do të më korrigjoni” dhe i paharrueshëm për ata që patën fatin të ishin të pranishëm, Bekimi i tij i parë Urbi et Orbi - Romës dhe Botës, transmetuar përmes Mondovizionit.
Të nesërmen Papa i ri kremtoi Meshën shenjte, së bashku me Kolegjin Kardinalor, në Kapelën Sikstine e më 22 tetor, nisi solemnisht shërbimin papnor.







All the contents on this site are copyrighted ©.