Evropa dhe vlerat e krishtera: impenjimi i palodhur i Gjon Palit II për një kontinent
të bashkuar e solidar, me rrënjë të forta të krishtera.
“Thua nuk do Krishti, nuk premton, thua Shpirti Shenjt, që papa Polak, papa sllav,
pikërisht tani të manifestojë bashkimin shpirtëror të Evropës së krishterë?”: këto
fjalë Karol Vojtila i shqiptoi më 3 qershor të vitit 1979, pak muaj pas zgjedhjes
së tij, gjatë vizitës në Atdhe. Është kulmi i luftës së ftohtë: Evropa ndahet në
dy blloqe e Polonia ndodhet pas perdes së hekurt. Po tjetër është Evropa që ka në
mendje Gjon Pali II. Ai flet për “një shtëpi të përbashkët” të popujve evropianë.
Bën thirrje për ribashkim. Pohon se Evropa duhet të rifillojë të marrë frymë me dy
mushkëri”. E në këto rrethana, shpall bashkëpajtorë të Evropës Shën Çirilin e Shën
Metodin, ungjillëzues të popujve sllavë. Dy vjet më vonë, në vitin historik 1989,
thërret në Vatikan një asamble të posaçme të Sinodit të ipeshkvijve për Evropën me
temë “Së bashku, dëshmitarë të Krishtit që na çliroi”. Popujt, që po hapin një
faqe të re të historisë së tyre, e në radhë të parë, popullin polak, Papa i porosit
të mos harrojnë se Evropës, pa fenë e krishterë, do t’i mungonte shpirti. E është
ende larg Kushtetuta e diskutimi për përmendjen e rrënjëve të krishtera edhe kur,
në vitin 1982, Gjon Pali II, nga Santjago i Kompostelës, i bën thirrje mbarë Evropës:
“Gjej vetveten! Ji vetvetja! Rizbuloje origjinën tënde! Gjallëroi rrënjët tua!”. E
nxitja e tij “për t’i rigjallëruar vlerat universale të bashkëjetesës paqësore, përsëritet
me forcë kur kërkon që Evropa e re të jetë “një simfoni kombesh” e jo një fortesë
e mbyllur në vetvete. Procesi i integrimit – vëren Ati i Shenjtë – nuk ka të bëjë
vetëm me aspektet gjeografike dhe ekonomike, por duhet të sjellë një harmoni të re
vlerash, që të gjejnë shprehjen e vet në drejtësi e në jetë. Kur, në Bruksel,
punohet për tekstin e Traktatit kushtetues, Gjon Pali II s’ pushon s’i kujtuari “rrënjët
e krishtera” në fjalime e mesazhe të ndryshme, që ia kushton Evropës. Krishtërimi
– vëren Ati i Shenjtë - përshkon gjithë historinë, artin e kulturën e evropiane.
“Nga tokat e saj, ndër abacitë, ndër katedralet e ndër kishat, i janë lartuar
paprerë lavde Krishtit, Zotit të kohës e të historisë”. Në verën
e vitit 2003 Papa i kushton kësaj teme 8 Lutje të Engjëllit të Tënzot. Më 13 qershor,
pohon…..: “…një proces i rëndësishëm – bashkimi i Evropës përmes zgjërimit
të Bashkimit Evropian me vende të tjera. Kisha e shikon me një vështrim plot dashuri
këtë Kontinent”. Më 24 gusht nënvizon: “Të pranosh shprehimisht
traktatin e ligjet e krishtera të Evropës, për Kontinentin bëhet garanci kryesore
e ardhmërisë”. Nxitja pas-sinodale “Ecclesia in Europa” – “Kisha
në Evropë” - vë theksin mbi problematikat dhe mundësitë e reja që i krijon stina e
re Kontinentit të Vjetër, në sa lëkundet ndërmjet shtytjeve laiciste e lirisë së rifituar. “Kisha
e sotme – shkruan Papa – nënvizon me përgjegjësi të re, urgjencën për ta ndihmuar
Evropën që të ndërtojë vetveten, duke rigjallëruar rrënjët e krishtera nga të cilat
zu fill. “Në kundërshtim me vetveten, djepi i të drejtave njerëzore
rrezikon kështu të humbasë themelin, gërryer nga relativizmi e utalitarizmi”. Kur
miratohet Karta Kushtetuese, pa përmendjen e trashëgimisë së përbashkët të krishterë,
Gjon Pali II nuk e fsheh hidhërimin e tij: “Nuk priten rrënjët nga të cilat je lindur”
– shpjegon. Vjen, pastaj, nënshkrimi i Kushtetutës më 29 tetor 2004 e, në prag
të kësaj dite historike, Papa duke u takuar në Romë me Prodin, kryetar i Komisionit
Evropian, uron që Bashkimi t’i shprehë gjithnjë më mirë traditat e mëdha të shteteve
anëtare, duke punuar gjallërisht në fushën ndërkombëtare për paqen ndërmjet popujve
e duke u ofruar ndihmën vet bujare për zhvillim, popujve më nevojtarë të Kontinentit.
E më pas nënvizon se Selia e Shenjtë u ka kujtuar të gjithëve se krishterimi, në shprehjet
e veta të ndryshme, ka kontribuar në formimin e vetëdijes së përbashkët të popujve
evropianë dhe i ka dhënë një mbështeje të fuqishme ngjizjes së qytetërimeve të tyre.
E njohur ose jo në dokumentet zyrtare – ripohon Papa - ky është fakt i pamohueshëm,
të cilin nuk mund ta harrojë asnjë historian”. Në Lutjen e Engjëllit të Tënzot,
një të diele më pas, Papa nënvizon se u jetua çasti jashtëzakonisht domethënës i një
rruge, që do të jetë ende e gjatë e që duket gjithnjë më impenjative. Gjon Pali II
shpjegon se e ka fjalën për “ndërtimin e Evropës së re, të cilën – pohon – vijojmë
ta shikojmë plot besim”. Selia e Shenjtë – kujton Papa – ka qenë gjithnjë në favor
të promovimit të një Evrope të bashkuar mbi bazën e vlerave të përbashkëta, që bëjnë
pjesë në historinë e saj. E shpjegon: “T’i përfillësh rrënjët e krishtera
të Kontinentit do të thotë të përfitosh nga një pasuri shpirtërore, që mbetet themelore
për zhvillimet e ardhshme të Bashkimit”. E së fundi uron që edhe në vitet
e ardhshme, të krishterët të vijojnë t’i çojnë në të gjitha mjediset e institucioneve
evropiane, ato tharme ungjillore që janë garanci për paqen e për bashkëpunimin ndërmjet
të gjithë shtetasve në impenjimin e njëjtë për t’i shëbyer të mirës së përbashkët”.