2011-04-28 16:48:23

Benedikti XVI flet për miqësinë e tij me Gjon Palin II


Vlojnë përgatitjet në Romë e në Vatikan, për Lumturimin e Gjon Palit II. Priten qindra mijëra shtegtarë. Nesër, në orën 11.30, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë do të mbahet një takim, në të cilin do të paraqiten veprimtaritë kryesore të kësaj ngjarjeje të madhe. Kujtojmë se Kremtimi i parë, organizuar nga dioqeza e Romës, që e kishte Papën Vojtila ipeshkëv, do të jetë nata përgatitore e lutjes, më 30 prill, në Cirkun romak Massimo. Kremtimin do ta kryesojë kardinali Agostino Valini, Mëkëmbës i përgjithshëm i Shenjtërisë së Tij për dioqezën e Romës. Benedikti XVI do të lidhet përmes videos.
Kremtimi i dytë, të dielën, më 1 maj, do të fillojë në orën 10.00 në Sheshin e Shën Pjetrit e do të kryesohet nga Ati i Shenjtë. Shtegtarët mund ta ndjekin pa biletë, nën kontrollin e Forcave të rendit.
Kremtimi i tretë, nderimi i relikeve të të Lumit të ri nga ana e besimtarëve do të fillojë që më 1 maj, menjëherë pas kremtimit të Lumturimit e do të vijojë deri sa të gjunjëzohet besimtari i fundmë. Reliket e të Lumit do të ekspozohen për nderim në bazilikën e Shën Pjetrit, para Elterit të Rrëfimit.
Kremtimi i katërt, do të jetë Mesha e falënderimit, programuar për të hënën, 2 maj, në orën 10.30, në Sheshin e Shën Pjetrit. Do të kryesohet nga kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij,
Së fundi, trupi i të Lumit të ri do të vendoset, në formë private, në Bazilikën e Vatikanit, pranë kapelës së Shën Sebastianit.
Në televizionin italian e botëror mund të ndiqet një maratonë e vërtetë kushtuar ngjarjes. Që të hënën, çdo mbrëmje, të gjitha kanalet nisën të vënë në qendër të programeve të tyre Mikun e madh të popujve, që Lumturohet, duke lumturuar! Të dielën, në Rai1, duke filluar nga ora 9.05 mund të ndiqet drejtpërdrejt kremtimi i Lumturimit, pasuar nga një emision i posaçëm, kushtuar kësaj ngjarjeje të madhe. Në TV 2000, një sërë transmetimesh kushtuar Karol Vojtilës, duke nisur nga Lumturimi dhe nderimi i trupit të tij, e duke vijuar me Letrën e Gjon Palit II drejtuar të moshuarve, me një koncert e me filmin “Gjon Pali II”. Do të shkonim tepër gjatë po të kujtonim të gjitha programet televizive, kushtuar Njeriut, që diti të fitojë zemrën e mbarë njerëzimit! Papës, që u priu besimtarëve të mbarë botës, duke i takuar personalisht, në një rrugë të re, nga lumturia shpirtërore tokësore, në atë qiellore.

Në vijim, ju propozojmë një intervistë të Benediktit XVI për televizonin polak, transmetuar më 16 tetor 2005, në të cilën flet për miqësinë që e lidhte me Gjon Palin II, miqësi lindur në konklavin e vitit 1978. Intervista është e jezuitit polak, atë Andrea Majevski:

Përgjigje: - Që në fillim pata simpati të madhe e, për hir të Zotit, pa kurrfarë merite, kardinali i asokohshëm më dhuroi, që në fillim, miqësinë e tij. I jam mirënjohës, që më besoi. Më tërhoqi posaçme mënyra si lutej. E duke e parë të gjunjëzuar para elterit, kuptova se ishte njeri i Zotit. Kjo ishte pështypja kryesore: njeri që jeton me Zotin, që jeton në Zotin. Pastaj më la mbresa të thella përzemërsia e tij, pa kurrfarë paragjykimi, që e vërejta që në takimin tonë të parë. Pa fjalë të mëdha. Lindte, kështu, një miqësi, që buronte drejt nga zemra e, menjëherë pas zgjedhjes së tij në fronin e Shën Pjetrit, Papa më thirri disa herë në Romë për bisedime. Në fund, më emëroi Prefekt të Kongregatës për Doktrinën e Fesë.

Pyetje: - Cilat janë, sipas jush, Atë i Shenjtë, pikat kryesore të papnisë së Gjon Palit II?

Përgjigje: - Mund të kemi, do të thosha, dy këndvështrime: një ad extra- drejt botës- e një ad intra-drejt Kishës. Përsa i përket botës, më duket se Ati i Shenjtë, me fjalimet e tij, me personin e tij, me praninë e tij, me aftësinë e tij për të bindur, krijoi një vetëdije të re për vlerat morale, për rëndësinë e fesë në botë. E kjo bëri që të niste një fillesë e re, të fitohej një vetëdije e re për problemet e fesë, për nevojën e përmasës fetare të njeriut e, sidomos, u rrit në mënyrë të papërfytyrueshme – rëndësia e Ipeshkvit të Romës. Të gjithë të krishterët, pavarësisht nga ndryshimet, e pavarësisht se nuk e njohin Pasardhësin e Shën Pjetrit, pranuan se Ipeshkvi i Romës ishte zëdhënës i krishtërimit. Askush tjetër në botë, në nivel botëror, nuk mund të fliste kështu në emër të krishterimit e t’i jepte zë e forcë aktualitetit të fesë së krishterë, në aktualitetin e botës. Por edhe për ata, që nuk ishin të krishterë, ashtu si për ata, që ndiqnin fe të tjera, ishte ai zëdhënësi i vlerave të mëdha të njerëzimit. Është për t’u theksuar edhe se ia doli mbanësh të krijojë klimën e dialogut ndërmjet feve të mëdha si edhe vetëdijen e përgjegjësisë, që ka secili nga ne për fatet e botës, duke i bindur njerëzit se feja e dhuna nuk mund të përkojnë kurrë me njëra-tjetrën e se të gjithë së bashku duhet të hapin rrugën e paqes, me përgjegjësi të përbashkët për njerëzimin.
Ta zhvendosim vëmendjen, tani, tek situata e Kishës. Do të thosha se, mbi të gjitha, diti ta entuziazmojë rininë për Krishtin. Kjo ishte një gjë krejt e re, në se mendojmë për rininë e viteve ’68 e’ 70. Vetëm një personalitet me karizmën e tij, mund ta entuziamonte rininë për Krishtin e për Kishën, madje edhe për të mbrojtur vlerat më të vështira. Vetëm ai mund t’ia dilte mbanësh ta mobilizonte me atë zjarr rininë e botës për kauzën e Zotit e për dashurinë e Krishtit.
Mendoj edhe se krijoi në Kishë një dashuri të re për Eukaristinë, krijoi një vetëdije të re për madhështinë e Mëshirës Hyjnore: e thelloi shumë dashurinë për Zojen e Bekuar, duke na mësuar, kështu, ta ndjejmë fenë në shpirt e me shpirt e, njëkohësisht, të punojmë me përkushtim për të. Natyrisht duhet kujtuar – siç e dimë të gjithë- edhe kontributi i tij themelor për ndryshimet e mëdha të botës, në ’89-ën, ndihmesa e jashtëzakonshme për shembjen e të ashtuquajturit socializëm real.

Pyetje: - Gjatë takimeve tuaja personale dhe bisedimeve me Gjon Palin II, ç’i la më shumë mbresë Shenjtërisë Suaj? Mund të na i tregoni takimet tuaja të fundit me Gjon Palin II?

Përgjigje: - Po, dy takimet e fundit ishin: i pari, në Poliklinikën “Gjemeli”, rreth 5-6 shkurtit; e i dyti, një ditë para se të ndërronte jetë, në dhomën e tij. Kur e takova herën e parë, në fytyrë i lexohej vuajtja e thellë, e megjithatë ishte shumë i kthjellët, tejet i pranishëm. Kisha shkuar thjeshtë për një takim pune, sepse kisha nevojë për disa vendime të tij. Ati i Shenjtë – ndonëse po vuante tmerrësisht – ndiqte me vëmendje të madhe, atë që po i thosha. M’i komunikoi me pak fjalë vendimet e tij, më dha bekimin, më përshëndeti në gjuhën gjermane, duke më dhuruar gjithë besimin e tij, gjithë miqësinë e tij. Ishte tepër prekëse ta shikoje si vuante, në bashkim të plotë me Zotin e munduar, si e jetonte vuajtjen e tij, me Zotin e për Zotin; e nga ana tjetër, të shikoje si i ndriste në fytyrë drita shpirtërore, paqja, kthjelltësia e plotë.
Takimi i dytë ishte ditën e vdekjes: vuante, natyrisht, shumë më tepër, i rrethuar nga mjekët e nga miqtë. Ishte ende krejt i kthjellët. Më dha bekimin apostolik. Mund të fliste vetëm pak fjalë. Ky durim i jashtëzakonshëm në çastet e vuajtjes së thellë, ishte për mua një mësim i madh, i paharrueshëm. Posaçërisht duke e parë e duke e ndjerë sesi e kishte lëshuar gjithë vetveten në duart e Zotit, si ishte në gjendje të bënte vullnetin e Tij, në ato çaste tejet tragjike. Pavarësisht nga dhimbjet, që pasqyroheshin në fytyrën e lodhur e të hequr nga sëmundja, ishte i qetë, sepse, në duart e Dashurisë Hyjnore!
Së fundi, ishte njeri i Koncilit, na ndihmoi të jemi vërtet Kishë e kohës sonë dhe e ardhmërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.