2011-04-27 14:51:01

Topi kërkon prej partive maturi dhe vullnet politik në zgjedhjet e 8 majit


Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi sërish u bëri thirrje partive politike të Vendit për maturi dhe vullnet politik në zgjedhjet e 8 majit, të cilat sipas tij nuk janë test force e as garë simbolesh të partive, por garë alternativash zhvillimi. Ne takimin me vëzhguesit vendorë, Topi kërkoi nga qytetarët pjesëmarrje masive ne këto zgjedhje, duke u kujtuar se 8 maji është dita e tyre.
8 maji ka shansin të jetë akti i fundit i eksperimentit politik me zgjedhjet dhe kështu, një sprovë me rëndësi për partitë politike, për kandidatët, për administratorët e zgjedhjeve dhe për institucionet apo grupet e tjera publike e civile të përfshira në proces, tha Topi. Secila palë ka peshën, rolin dhe përgjegjësitë e veta, dhe 8 maji do të duhet të testojë aftësinë e secilit për të respektuar ligjin dhe parimin kushtetues të ushtrimit të sovranitetit të popullit përmes zgjedhjeve të lira, të drejta dhe demokratike" tha Topi, duke shtuar se këto zgjedhje janë një bilanc i mandatit qeverisës gjate 4 viteve dhe alternativa e projekteve për 4 vitet e ardhshme.
Presidenti Shqipërisë kërkoi nga partitë, anëtarët dhe kandidatët e tyre, t'i largohen sa më shumë praktikave të gabuara të së kaluarës zgjedhore, të distancohen nga çdo formë e presionit dhe e përfitimit të paligjshëm elektoral, të nxisin debatet alternative mbi retorikën konfliktuale personale.
"I ftoj partitë politike të mos përfitojnë nga monopoli bipolar në administrimin zgjedhor për të bllokuar apo imponuar procesin ligjor e teknik; të mos i shfrytëzojnë numrat e shumicës në komisione të niveleve të ndryshme për të cenuar sadopak klimën zgjedhore, barazinë apo integritetin e zgjedhjeve, dhe së fundi, por më me rëndësi, të dëshmojnë maturi e vullnet politik për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje në formë konsensuale, të kërkojnë e të gjejnë pika afrimi për të kapërcyer çdo boshllëk apo nen të interpretueshëm zgjedhor, duke dalë kështu mbi interesat e momentit dhe në shërbim real të qytetarëve", tha kreu i shtetit të Shqipërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.