2011-04-27 13:18:27

Papa: Ngjallja e Krishtit na tregon udhën e jetës së vërtetë


“Krishti ngjallur prej së vdekurish është themeli i fesë sonë “– tha Papa gjatë audiencës së përgjithshme – duke folur mbi festën e Pashkëve. “Prej Pashkëve rrezaton, si prej një qendre të shndritur, plot dritë, të shkëlqyeshme, tërë liturgjia e Kishës, duke nxjerr prej saj përmbajtjen dhe domethënien. Kremtimi liturgjik i vdekjes e ngjalljes së Krishtit nuk është thjeshtë përkujtim i kësaj ngjarjeje, por është aktualizimi i saj në mister, për jetën e çdo të krishteri e të çdo bashkësie kishtare, për jetën tonë”, tha Papa e bëri thirrje të përtërihemi, të rilindemi në Dritën e Ngjalljes së Krishtit, duke luftuar çdo mëkat që na largon nga kjo Dritë e domosdoshme, që është Jezusi.
“Lakmia është rrënjë e çdo mëkati”. Benedikti XVI ka cituar këto fjalë të shën Palit në Audiencën e Përgjithshme mbajtur sot paradite në sheshin e shën Pjetrit në Vatikan. “Lypet – u tha afër 35 mijë besimtarëve të pranishëm në katekizmin e së mërkurës në Vatikan – të jetojmë misterin e Pashkëve në jetën tonë të përditshme. T’u shmangemi sendeve tokësore”, të cilat Papa teolog gjithnjë duke cituar Apostullin e paganëve i numëroi: “papastërtia, dëshirat e këqija, epshet, idhujtaria dhe lakmia, që është dëshira e tepruar e të mirave materiale”. Duhet ta shuajmë, madje ta asgjësojmë në ne dashurinë e pangopur të të mirave materiale, egoizmin, rrënjën e çdo mëkati. E pra, kur Apostulli i fton të krishterët të shkëputen me vendosmëri prej £sendeve tokësore”, dëshiron në mënyrë të qartë të bënë të kuptohet atë që i përket “njeriut të vjetër”, prej të cilit i krishteri duhet të zhvishet, për t’u veshur me Krishtin”.
Pashkët, me kremtimin e ngjalljes së Krishtit, na tregojnë “jo vetëm udhën për të ndryshuar, shndërruar vetveten tonë, por të shndërruar botën, për t’i dhënë qytetit tokësor një fytyrë të re që favorizon zhvillimin e njeriut e të shoqërisë sipas logjikës së solidaritetit, të mirësisë, në respekt të thellë të dinjitetit të çdonjërit”. Kështu pohoi mes tjerash Benedikti XVI në katekizmin e audiencës së përgjithshme, kushtuar Pashkëve, “zemrës së misterit të krishterë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.