2011-04-27 13:18:35

Në një libër të ri për Gjon Palin II, bisedat me gazetarët në avion


(27.04.2011 RV)Një Papë krejt i jashtëzakonshëm, i thellë, i çiltër, por i pajisur edhe me ironi tejet të hollë. E vërejmë menjëherë këtë në vëllimin e ri kushtuar Papës Vojtila, me titull “Shokë udhe. Intervista në fluturim me Gjon Palin II”, shkruar nga Angjela Ambrogjeti, paraqitur këto ditë në selinë e emitentes sonë. Libri i ri, i shtypur nga LEV, është përmbledhje e bisedave, që bënte Gjon Pali II me gazetarët, gjatë fluturimeve shumorëshe me avion, në të katër anët e botës. Dalin, kështu, në dritë, nga arkivat e Radio Vatikanit, dëshmi tejet interesante, krejtësisht të panjohura:

Pyetje: - Si jeni? Dukeni fare mirë, megjithë lodhjen e madhe…
Papa: - Lodhen për mua gazetarët, të varfërit…
Pyetje: - Na ke quajtur ‘shokë udhe”. Në ç’kuptim?
Përgjigje: - Sepse udhëtojmë në të njëjtin avion, apo jo?
Pyetje: - Cilat janë qëllimet e këtij shtegtimi?
Përgjigje: - Përpiqem të çoj dëshminë e fesë.

“Shokë udhe”- kështu i quante Gjon Pali II gazetarët, që e ndiqnin në fluturimet e gjata ndërkontinentale nëpër rrugët ajrore të mbarë botës. I quante kështu, sepse bisedonte gjatë me ta, me një ton që kalonte prej atij të konferencave zyrtare të shtypit, në atë të informalitetit të dialogut ndërmjet udhëtarëve. Biseda publike, regjistruar me kujdes të madh në arkivat e Radio Vatikanit, të panjohura, deri në botimin e këtij libri, që mbledh e seleksionon çastet më domethënëse të këtyre takimeve, të cilat, gjatë viteve, formuan “magjisterin lëvizës” të fluturimeve të shumta, me aromën e të pesë Kontinenteve.
Të dëgjojmë atë Federiko Lombardin, drejtor i Radios e një nga “shokët më të dashur të udhës” për Papën Vojtila:

“Radio Vatikani, me teknikët e vet, i regjistroi të gjitha këto bashkëbisedime, që janë, pa dyshim, një nga materialet më interesante e më të reja të Papnisë së Gjon Palit II, të cilat ne i ruajmë si thesar. Nuk ishin shkruar, as publikuar plotësisht. Kur i rizbulon sistematikisht, të krijojnë vizionin e mënyrës së komunikimit të Gjon Palit II, jashtëzakonisht interesant e plot vërtetësi”.

Ky i bisedave në avion, është zakon, që ka për autor një gazetar të guximshëm amerikan i cili, jashtë rregullave, iu drejtua Papës Vojtila gjatë shtegtimit të tij të parë në Santo Domingo, në vitin 1979, duke e pyetur kur e kishte në mend t’i vizitonte SHBA. Prej këndej, zakoni, që vijoi rregullisht, pothuajse gjatë gjithë shtegtimeve të Papnisë e që na ruan figurën e një Pape të qartë, të gatshëm për të dhënë përgjigje nga më të mprehtat, me tone shpesh herë ironike, por gjithnjë përplot me zellin e pamposhtur për ta çuar Ungjillin në skajet më të harruara të botës. Të dëgjojmë Angjela Ambrogjetin, autore e librit:

“Ky njeri, plotësisht njeri e plotësisht Papë, dinte t’i përdorte mrekullisht mirë fjalët, e, kur ishte nevoja, dinte të jepte edhe përgjigje të prera e të forta, duke i shoqëruar me një buzëqeshje krejt të posaçme. Dinte ta përdorte me mjeshtri mjetin e ironisë, ashtu si edhe mjetin e përgjigjes së thellë filozofike, sidomos kur u jepte përgjigje ca pyetjeve të veçanta. Prej këndej, mund të pohojmë se ia dilte mbanesh t’i harmonizonte këto dy përmasa, duke realizuar një komunikim 360 gradësh”.

“Nuk jam politikan”, përsëriste shpesh Papa Vojtila, duke dialoguar me gazetarët, që e pyesnin me këmbëngulje ç’ pasoja do të kishin shtegtimet e tij në vendet që shkonte t’i vizitonte. “Shkoj vetëm për t’u lutur e për të takuar njerëzit, që i dua shumë”, përgjigjej Papa, duke u ankuar se nuk kishte mundur të vizitonte këtë a atë vend, sepse të gjitha vendet e botës i dukeshin të denja për t’u vizituar nga Papa, pavarësisht nga numri i të krishterëve, që banonin në to. Këtë kujton kardinali Tuçi, organizator i shumicës së shtegtimeve të Papës:

“Ky vëllim na e pasqyron Papën në të gjithë thjeshtësinë, shumë më tepër se fjalimet. Fjalimet shpjegojnë mirë mendimin e tij, por përgjigjet që i dha gazetarëve, tregojnë se Papa nuk kishte kurrfarë frike t’i takonte. Shikojmë, pastaj, edhe aftësinë për t’u përgjigjur mirë, menjëherë, në gjuhë të ndryshme, pa dredhuar kurrë. Edhe në se kur e kur ndonjë nga pyetjet e acaronte, ai nuk ngurronte të jepte përgjigje, shoqëruar me ironi të hollë, por pa u turbulluar. Ky vëllim na njeh me Papën ndoshta më mirë se çfarëdo lloj jetëshkrimi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.