2011-04-27 14:54:08

Një enë e vogël me gjak ekspozohet si relike për Lumnimin e Gjon Palit II


(27.04.2011 RV)“Një ampulë e vogël me gjak, ruajtur në gjendje të lëngshme përmes përdorimit të një substance, që ndalon mpiksjen”. Do të jetë kjo relikja e Gjon Palit II, që do të ekspozohet për t’u nderuar nga besimtarët me rastin e Lumnimit. E mësojmë këtë nga një komunikatë zyrtare e Sallës së Shtypit të Vatikanit. Nota shpjegon me hollësi origjinën e relikes, vendosur në një relikuar të çmuar, përgatitur pikërisht për këtë rast nga Zyra e Kremtimeve Liturgjike të Atit të Shenjtë. Në ditët e fundit të sëmundjes së Papës Vojtila, lexohet në komunikatë, personeli mjekësor, që i shërbente, i mori gjak. Gjaku u çua në Qendrën Hemotransfuzionale të Spitalit “Bambin Gesù”, që të analizohej për një transfuzioin të mundshëm. Kjo qendër, drejtuar nga Profesor Isaki, ishte ngarkuar pikërisht për t’i bërë këtë shërbim Papës. Por Papa nuk pati nevojë për transfuzion, e gjaku u ruajt në katër enë të vogla. Dy prej tyre i ruajti sekretari i posaçëm i Papës Vojtila, kardinali Dxhivish; dy të tjerat mbetën në spitalin Bambin Gesù, të përkujdesura me devocion të thellë nga motrat që u shërbejnë të sëmurëve të vegjël.
Me rastin e Lumnimit , dy enët e vogla u vendosën në relikuarët. I pari, pohon nota zyrtare, do të paraqitet për t’u nderuar nga besimtarët me rastin e ceremonisë së Lumnimit, më 1 maj e pastaj do të ruhet në Mauzole, nën kujdesin e Zyrës së Kremtimeve Liturgjike të Atit të Shenjtë, së bashku me relike të tjera të rëndësishme. Relikuari i dytë do t’i dorëzohet përsëri spitalit Bambin Gesù, rregulltaret e të cilit e ruajtën besnikërisht për shumë vjet reliken e Gjon Palit II.
Komunikata e Sallës së Shtypit përfundon me një shënim të rëndësishëm: “Gjaku, saktëson, është i pampiksur, sepse pikërisht në çastin kur u mor, u përdor një substancë kundër mpiksjes”.







All the contents on this site are copyrighted ©.