2011-04-27 14:25:38

Kosovë: shënohet Dita e të Pagjeturve nga lufta


Me rastin e 27 Prillit - Ditës së të Pagjeturve në Kosovë, Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, me anë të një deklarate ka bërë thirrje që të shtohen përpjekjet për të zbardhur fatin e personave të pagjetur. "E drejta për ta ditur fatin e më të dashurve është brengë themelore e secilit njeri, e secilës familje dhe është e drejtë ndërkombëtare humanitare, e drejtë elementare e njeriut, të cilën duhet respektuar", theksohet në këtë deklarata. Presidentja Jahjaga tha se kishte takuar disa nga përfaqësuesit e familjeve të pagjeturve dhe i ka dëgjuar brengat e tyre. "Ato ishin rrëfime të dhimbshme, shumë prekëse dhe shumë të vërteta. Të gjithë ne e kuptojmë kërkesën e tyre themelore se është e drejtë e patjetërsueshme që secili ta ketë varrin ku familja dhe të afërmit do t'i kryejnë ceremonitë fetare, ku i kujtojnë dhe i nderojnë dëshmorët e viktimat që u vranë në konfliktin e armatosur në Kosovë". "Si Presidente e Republikës së Kosovës unë do të përpiqem dhe do të bëj gjithçka që është në fuqinë time që t'u ndihmoj familjeve të gjejnë dhe të dinë për fatin e më të dashurve të tyre. Ka më shumë se një dekadë që nga mbarimi i luftës dhe çështja e të pagjeturve mbetet një kujtesë tragjike e të kaluarës së afërt të Kosovës dhe vazhdon të jetë një barrë e dhimbshme, jo vetëm për familjet që humbën të dashurit e tyre, por për tërë shoqërinë tonë". Presidentja e Republikës i ka bërë apel edhe autoriteteve të Republikës së Serbisë që të japin të gjitha informatat dhe të ndihmojnë për të zgjidhur fatin e personave të pagjetur nga Kosova. "Zbardhja e fatit të personave të pagjetur dhe sjellja para drejtësisë e autorëve të këtyre krimeve monstruoze, do t'i ndihmonte familjet për të kapërcyer të kaluarën tragjike dhe do të kontribuonte për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon. Qeveria e Republikës së Kosovës do ta ketë gjithë përkrahjen time që të forcojë kapacitetin profesional të institucioneve që merren me çështjen e personave të pagjetur, në veçanti të kapaciteteve të Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur". Gjithashtu Presidentja kërkon edhe nga EULEX i që në përputhje me Ligjet e Republikës së Kosovës, të bashkërendojë të gjitha aktivitetet me institucionet e Kosovës dhe të intensifikojë përpjekjet për gjetjen dhe identifikimin e të gjithë atyre që janë zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Ndërkaq në një takim me anëtarë të Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur dhe përfaqësues të shoqatave të të pagjeturve, Presidentja Jahjaga u ka premtuar angazhim të pakursyeshëm për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Presidentja Jahjaga tha se ndan dhimbjen me të gjitha familjet e personave të pagjetur dhe theksoi se pasojat e luftës në Kosovë kanë qenë të rënda. Presidentja tha se shteti i Kosovës ka bërë, është duke bërë dhe duhet të bëjë çdo gjë që është e mundur për të lehtësuar dhimbjen e familjarëve të familjeve të dëshmorëve dhe të të pagjeturve si dhe të rikuperojë dëmin. Ajo tha se kjo punë po bëhet me një bashkëpunim ndërinstitucional dhe theksoi se në të ardhmen kjo punë duhet të jetë edhe më konkrete dhe më efikase. Delegacioni i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur dhe të shoqatave të të pagjeturve tha se në Kosovë ende janë afro 1800 persona që konsiderohen si të pagjetur dhe kërkuan angazhim të institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare për zbardhjen e fatit të tyre. Ata kërkuan që t'u bëhet presion më i madh autoriteteve të Serbisë për hapjen e arkivave dhe të paraqesin vendvarrezat e qytetarëve të Kosovës që janë zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Delegacioni kërkoi që të formohen grupe ekspertësh për mbledhjen e dëshmive për krimet dhe gjenocidin e kryer ndaj popullatës në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998 99 dhe që kryesit e tyre të dalin para drejtësisë. Ata kërkuan që të përshpejtohet procesi i identifikimit të kufomave që ndodhen në murgun e Departamentit të Mjekësisë Ligjore për Persona të Zhdukur. Delegacioni gjithashtu kërkoi edhe miratimin e ligjit për personat e pagjetur dhe që në skemën e asistencës sociale të futet edhe kategoria e të pagjeturve.







All the contents on this site are copyrighted ©.