2011-04-26 15:43:22

Historia e jashtëzakonshme e dashurisë së Zotit për njeriun: fjalët e Benediktit XVI në Javën e Shenjtë të Pashkëve.


Në Javën e Shenjtë e të Madhe të Pashkëve, qendër e tërë Vitit liturgjik të Kishës, Benedikti XVI shqiptoi fjalë forta, fjalë të fuqishme: një lloj thirrjeje të përzemërt e plot shqetësim drejtuar njerëzimit për të ripohuar se porta e Qiellit për të arritur tek Zoti është hapur.
Kështu, gjatë Javës së Shenjtë të Pashkëve që posa kaloi, Ati i Shenjtë Racinger ka ilustruar historinë e jashtëzakonshme të dashurisë që Zoti ka për njeriun. Atyre që e mohojnë Zotin apo që dyshojnë, u kujtoi se përsosmëritë e gjithësisë nuk janë prodhuar vetvetiu: krijimi nuk ka lindur rastësisht apo në mënyrë irracionale. Prapa një gjëje të bërë e të krijuar mirë ekziston inteligjenca që e ka prodhuar. Kjo Inteligjencë, kjo Arsye krijuese, është Zoti, e Zoti është Dashuri dhe Ai dashurinë e tij ka dashur t’ia komunikoi në mënyrë të veçantë një krijese, njeriut:
“Po të ishte njeriu vetëm prodhim i rastit nga evolucioni në një farë vendi në ndonjë skaj të gjithësisë, atëherë jeta e tij do të ishte e pa kuptim e madje pengesë e natyrës. Po përkundrazi, jo: Arsyeja është në fillim, Arsyeja krijuese, hyjnore” (homelia e Natës së Pashkëve, 23 prill 2011)
Pa liri nuk ka dashuri të vërtetë. Për këtë njeriu është i lirë ta refuzoi Zotin, ta mohoi madje edhe ekzistencën e tij. E Zoti nuk imponohet. Mirëpo në zemër të njeriut gjithsesi mbetët gjurma hyjnore e pa Zoti ajo është përjetësisht e shqetësuar. Njeriu anon ta arrijë pafundësinë, infinitin, Atë që s’ka mbarim, anon të jetë porsi Zoti, krejtësisht i lirë, i përsosur, e këtë orvatet ta arrijë me forcat e veta:
Vetvetiu ne jemi tepër të ligsht ta lartojmë zemrën tonë deri në lartësitë e Hyjit. Me forcat tona ne nuk jemi në gjendje ta bëjmë këtë. Pikërisht krenaria që kemi se mund të arrijmë vetvetiu, na çon drejt përulësisë e na largon nga Zoti. Vet Hyji duhet të na tërheq lartë, e këtë ka filluar ta bëjë Krishti mbi Kryq. Ai ka zbritur deri në uljen e skajshme të ekzistencës njerëzore, për të na tërhequr lartë drejt vetes, drejt Hyjit të gjallë. Ai është bërë i përvujtë...Vetëm kështu krenaria jonë mund të tejkalohej: përvujtëria e Hyjit është forma e skajshme e dashurisë së tij, e kjo dashuri e përvujtë na tërheq drejt lartësisë”. (homelia e Dieles së Lartit, 17 prill 2011).
Zoti ka zbritur në mënyrë që njeriu të mund të ngritët e të lartohet. Të ngjitesh është punë e vështirë, nuk është lehtë. Vullneti jonë është krejt diçka tjetër. E ta ndjekësh vullnetin e Tjetrit është diçka e vështirë: është kryqi jonë, vdekja jonë. Mirëpo Jezusi na ka treguar se nga kjo vdekje vjen e buron jeta. Ai e ka kryer vullnetin e Atit dhe është ngjallur:
“Ngjallja e Krishtit nuk është fryt i një spekulimi, nuk është fryt i një përvoje mistike: është ngjarje, që me siguri e tejkalon historinë, por që ndodh në një moment të saktë të historisë e në të lë gjurmë të pashlyeshme” (Mesazhi i Pashkëve, 24 prill 2011).
Ngjallja e Jezusit është ngjarje e padëgjuar që e ndryshon historinë, e ndryshon jetën e të gjithëve. Dishepujt, që ikën para Mësuesit të arrestuar e të kryqëzuar, do të ishin shkapërderdhur po të mos kishin pa me sytë e tyre diçka të paimagjinueshme. Për këtë kanë mundur ta japin jetën për Zotërinë e tyre: sepse e kanë pa të ngjallur. Tani nuk kishin më frikë nga vdekja. Lind Kisha:
“Kisha nuk është çfarëdolloj shoqate që merret me nevojat fetare të njerëzve, po që ka, pikërisht, si qëllim ta sjell njeriun në kontakt me Zotin”. (homelia e Natës së Pashkëve, 23 prill 2011).
Kisha është e përbërë prej njerëzve të ligshtë që duhet të kumtojnë gjëra shumë më të mëdha se ata, Fjalën e Zotit. Për këtë Kisha sulmohet nga Djalli para botës. Ne e duam një Kishë ndryshe, tjetër, të përsosur siç është i përsosur Zoti. Edhe apostujt nuk e pranonin idenë e një Krishti të ligsht, të përvujtë, të kryqëzuar:
“Të gjithë ne gjithmonë duhet të mësojmë ta pranojmë përsëri Hyjin dhe Jezu Krishtin ashtu siç Ai është, e jo siç do të donim të ishte. Edhe ne e pranojmë me vështirësi faktin që Ai të jetë i lidhur brenda kufijve të Kishës së tij e të mbarështuesve të tij. Edhe ne nuk duam të pranojmë që Ai të jetë pa pushtet në këtë botë. Edhe ne fshihemi prapa arsyetimeve, kur përkatësia jonë ndaj Tij na kushton tepër e bëhet tepër e rrezikshme. Të gjithë kemi nevojë për kthimin e zemrës e për ta pranuar Jezusin në qenien e tij Zot e në qenien e tij Njeri. Kemi nevojë për përvujtërinë e dishepullit që e ndjek vullnetin e Mësuesit”. (homelia për Meshën e Darkës së Zotit, 21 prill 2011).
Të jesh i krishterë nuk është punë krenarie, por përgjegjësie: do të thotë ta dëshmosh në botë Zotin e gjallë. Papa u drejtohet të krishterëve: të krishterëve që e konsiderojnë veten më të mirë sepse kanë përshkuar një udhë të gjatë feje. I qorton të jenë të përvujtë si katekumenët, gjithmonë në fillim të udhës, gjithmonë në kërkim të Fytyrë së Zotit. U drejtohet të krishterëve në dremitje, të pandjeshëm para së keqes që e trondit botën, sepse të pandjeshëm ndaj Zotit e dashurisë. E pa dashuri e fe nuk ka jetë por vdekje. U drejtohet popujve të Perëndimit, të lodhur nga feja e tyre, dhe i fton të mos e përbuzin Kryqin: është shpresa e vetme e njerëzimit:
“Kryqi nuk është shenjtë e fitores së vdekjes, e mëkatit, e së keqes por është shenjë e shndritshme e dashurisë, madje e dashurisë së pakufishme të Zotit, e asaj që nuk do të kishim mundur ta kërkonim, imagjinonim apo shpresonim: Zoti është përkulur mbi ne, është ulur për të arritur deri edhe në skajin më të errët të jetës sonë, për të na dhënë dorën e tërhequr tek vetja, për të na sjell deri tek Ai”. (Fjalimi gjatë Udhës Kryqit pranë Koloseut, 22 prill 2011).







All the contents on this site are copyrighted ©.