Ngjallja e Krishti na nxit ta përhapim Ungjillin deri në kufijtë më të largët të tokës.
Jemi akoma plot me galdimin shpirtëror që sjellin kremtimet solemne të Pashkëve në
zemrën e besimtarëve. Krishti u ngjall! Me këtë kumtim e brohori Kisha e kremton
sot të Hënën e Engjëllit. Këtij misteri kaq të madh të Ngjalljes së Krishtit, liturgjia
nuk i kushton një ditë të vetme, por pesëdhjetë ditë, do me thënë gjithë Kohën e Pashkëve,
që përfundon me Rrëshajët. E Diela e Pashkëve, pastaj është një ditë krejtësisht
e veçantë, që shtrihet në të gjithë hapësirën e kësaj jave, deri të dielën e ardhshme,
duke formuar kështu Tetëditshen e Pashkëve. Në atmosferën e gëzimit të solemnitetit,
liturgjia e sotme na çon te varri i Krishtit, ku kishin shkuar Maria e Magdalës dhe
Maria tjetër, të nxitura nga dashuria e pakufishme për Jezusin. Ungjilltari tregon
se Krishti iu afrua grave e u tha: “Mos kini frikë! Shkoni e lajmëroni vëllezërit
e mi të më presin në Galile. Atje do të më shohin!” E, duke përshkuar gëzimin e jashtzakonshëm
që ndjenë gratë kur e panë përsëri Zotin dhe vrapimin e tyre plot entuziazëm për t’u
bërë pjesë në këtë gëzim edhe nxënësve, shohim se ky gëzim nuk i përket një kohë të
largët, por të gjitha kohërave, nuk është vetëm i të krishterëve të parë, por i gjithë
njerëzve, të çdo kohe e të çdo vendi, sepse Krishti erdhi për të shëlbuar mbarë njerëzimin. Edhe
neve sot, ashtu si këtyre grave që nuk iu ndanë Jezusit në orën e mundimeve, i Ngjalluri
na përsërit të bëhemi, pa frikë, lajmëtarë e Tij e t’i kumtojmë mbarë botës lajmin
e Ngjalljes së Tij. S’ka pse të trembet ai që e takon Jezusin e ngjallur dhe e lëshon
vetveten në duart e Tij. E Kisha na porosit të gjithë të krishterëve ta përhapin në
të katër anët e botës këtë lajm të madh, që ia ndryshoi rrjedhën historisë njerëzore. Ky
është mesazhi që të krishterët janë të thirrur ta përhapin deri në kufijtë më të largët
të botës. Feja e krishterë nuk lind nga pranimi i një doktrine, por nga takimi me
një Vetje, takimi me Krishtin e Ngjallur. Në jetën tonë të përditshme nuk mungojnë
rastet për t’ua përcjellë të tjerëve në mënyrë të thjeshtë e bindëse fenë tonë. E
duhet ta kemi mirë parasysh se është më urgjente se kurrë që burrat e gratë bashkëkohës
ta njohin e ta takojnë Jezusin e, në sajë edhe të shembullit tonë, ta lenë vetën të
pushtohen nga Ai. E të ndaleimi pak te figura e Virgjërës Mari në orën e Engjëllit,
që kumtonte Ngjalljen. Ungjilli nuk thotë asgjë për Marinë, po tradita e krishterë
dëshiron ta kundrojë kur galdon më shumë se kushdo tjetër, në sa përqafon përsëri
Birin e saj hyjnor, të cilin e mbajti me dhimbje të parrëfyeshme në prehër kur e zbritën
nga kryqi. Tani, pas Ngjalljes, Nëna e Shëlbuesit galdon së bashku me miqtë e Jezusit,
që krijojnë Kishën në fasha. Ndërsa shijojmë urimet më të përzemërta të Pashkëve,
ti lutemi Mbretëreshës Qiellore ta mbajë të gjallë në zemrën e secilit nga ne besimin
në Ngjalljen e të na bëjë lajmëtarë të shpresës e të dashurisë së Krishtit. Në
këtë të Hënë të Engjëllit, me të cilën zgjatet galdimi i Pashkëve, Virgjëra Mari,
Nëna e Zotit të ngjallur, na nxjerrtë nga Hyji hirin e prehjes e të paqes. Edhe një
herë urime të gjithëve: Për shumë vjet Pashkët të gjithëve!