2011-04-24 15:05:31

Papa bekon mbarë njerëzimin, duke uruar që Krishti i ngjallur të hapë udhën e lirisë, të drejtësisë e të paqes!


Rreth njëqind mijë besimtarë morën pjesë sot paradite në Meshën e kryesuar nga Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, me rastin e Pashkëve. Krishti i ngjallur – kjo ishte lutja e Papës, hapët udhën e lirisë, të drejtësisë e të paqes në mbarë botën.
Në mesditë, Benedikti XVI doli në lozhën qëndrore të Bazilikës së Vatikanit për Mesazhin e Pashkëve Urbi et Orbi, drejtuar Romës e Botës, duke u uruar Pashkët mbarë popujve të Planetit, në të gjitha gjuhët kryesore.

“Krishti u ngjall! Që prej dymijë vjetësh vijon të jehojë ky kumtim, që e ndryshoi rrjedhën e historisë. Mijëra lule, dhuruar me këtë rast nga Holanda, e kishin shndërruar Sheshin e Shën Pjetrit në një kopsht të harlisur, në gji të pranverës, me një harmoni mahnitëse ngjyrash.
Mbarë gjithësia galdon, brohoriti Papa, e përfshirë në pranverën e njerëzimit, e shpërblyer nga flijimi i Krishtit. E mijëra trëndafilat, tulipanët, zëmbakët, zymbylat e lulet e tjera, dukej sikur i ripohonin fjalët Atit të Shenjtë, duke u kujtuar të gjithëve bukurinë e së tërës, pasuruar me larmi ngjyrash. Sivjet Pashkët katolike e ortodokse u kremtuan në të njëjtën datë. Prandaj, pas shpalljes së Ungjillit, një kor ortodoks këndoi para Benediktit XVI himin bizantin të Pashkëve.

Pas Meshës, Papa u duk në lozhën qëndrore të Bazilikës së Vatikanit për mesazhin e Solemnitetit dhe Bekimin Urbi et Orbi, drejtuar Romës e Botës. Akoma sot, pohoi Ati i Shenjtë, në epokën tonë të komunikimeve ultrateknologjike – feja e të krishterëve bazohet mbi dëshminë e atyre, që e panë Krishtin e ngjallur:
“Ngjallja e Krishtit nuk është fryt i ndonjë spekulimi, i ndonjë përvoje mistike. Është ngjarje që, natyrisht, i kapërcen caqet e historisë, por që ndodh në një çast të mirëpërcaktuar të historisë e lë në të gjurmë të pashlyeshme. Drita, që i verboi rojet e vendosura pranë varrit të Jezusit, për ta ruajtur, përshkoi kohë e hapësirë. Nuk është çfarëdolloj drite: është dritë hyjnore, që e davariti errësirën e vdekjes e solli në botë shkëlqimin e Zotit, shkëlqimin e së Vërtetës, të së Mirës”.
Ngjallja e Krishtit i jep forcë e kuptim çdo shprese njerëzore, çdo pritjeje. Në qiell mbretëron paqja e hareja! Por, për fat të keq, në tokë nuk është kështu, kujtoi Ati i Shenjtë. Këtu, në këtë botën tonë, Aleluja e Pashkëve është në kontrast me vajtimet e britmat, pasojë e situatave të shumta, të dhimbshme, të mjerimit, urisë, luftërave, dhunës. E pra pikërisht për këtë vdiq e u ngjall Krishti!
“Prandaj mesazhi im dëshiron të arrijë tek të gjithë e, si kumtim profetik, sidomos tek popujt dhe bashkësitë, që po vuajnë sot orën e mundimeve. Uroj që Krishti t’u hapë udhën e lirisë, të drejtësisë e të paqes”.
Benedikti XVI u lut për pajtim në mbarë botën, posaçërisht për Tokën e Shenjtë, për Lindjen e Mesme e Bregun e Fildishtë, që drita e paqes dhe e dinjitetit njerëzor të fitojë mbi errësirën e përçarjeve, të urrejtjes, të dhunës. Për Libinë, uroi që në vend të vringëllimit të armëve, të fitojnë diplomacia e dialogu e, në këtë situatë konflikti, të krijohen mundësitë për arritjen e ndihmave humanitare tek njerëzit, që vuajnë pasojat e ndeshjes:
“Në vendet e Afrikës Veriore e të Lindjes së Mesme, uroj që të gjithë qytetarët, e në veçanti të rinjtë, të përpiqen për të mirën e përbashkët, për të ndërtuar një shoqëri, që e mund varfërinë e kërkon rrugëzgjidhje politike, të frymëzuara nga respekti për njeriun”.
Kërkoi, në vijim, që refugjatëve të shumtë, ardhur nga vendet e ndryshme afrikane, të mos u mungojë solidariteti i përgjithshëm:
“Njerëzit vullnetmirë, të ndriçohen për t’ua hapur zemrën, për t’i mikpritur, për t’iu përgjigjur në mënyrë solidare e të njëzëshme nevojave të ngutshme të shumë vëllezërve. Ngushëllimi e vlerësimi im t’i nxisë edhe më shumë, të gjithë ata, që bëjnë përpjekje bujare e japin dëshmi shembullore në këtë drejtim”.
Papa iu lut Zotit t’i japë ngushëllim e shpresë Japonisë, së shkatërruar nga tërmeti e tsunami, si dhe vendeve, që muajt e fundit vuajtën nga fatkeqësitë e natyrës, të cilat mbollën dhimbje e ankth. Kujtoi me dashuri të thellë të krishterët e persekutuar për shkak të besimit të tyre në Zotin e ngjallur, duke uruar…:
“Kumtimi i ngjalljes së tij fitimtare i mbushtë plot me guxim e shpresë!”
Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë ta ndjekin pas Jezusin, në këtë botë të plagosur, duke kënduar Aleluja:
“Në zemrën tonë ka gëzim e dhimbje; në fytyrë, gaz e lot. Kështu është jeta tokësore. Po Krishti u ngjall, jeton e ecën me ne. Prandaj këndojmë e ecim, besnikë të impenjimit tonë në këtë botë, me sytë drejtuar kah Qielli!”.
Pas mesazhit, urimet e Pashkëve në 65 gjuhë të ndryshme. E dhe urimi drejtuar popullit shqiptar, me të cilin hapëm programin tonë të solemnitetit të madh të ngjalljes së Krishtit: Për shumë vjet Pashkët!







All the contents on this site are copyrighted ©.