2011-04-24 13:14:35

Benedikti XVI: Mesazhi i Pashkëve (tekst i plotë)


Të dashur vëllezër e motra të Romës e të mbarë botës,
Agimi i Pashkëve na solli përsëri kumtin e lashtë, e gjithnjë të ri: “Krishti u ngjall!”. Jehona e kësaj ngjarjeje, nisur nga Jeruzalemi njëzet shekuj më parë, vijon të jehojë në Kishën, që mbart në zemër fenë prekëse të Marisë, Nënës së Krishtit, fenë e Magdalenës e të grave të tjera, që e panë të parat varrin e zbrazët, fenë e Pjetrit dhe të Apostujve të tjerë.
Deri më sot, e edhe në epokën tonë të komunikimeve ultrateknologjike – feja e të krishterëve bazohet mbi këtë kumtim, mbi dëshminë e këtyre motrave e të këtyre vëllezërve, që e panë të parët gurin e flakur nga gryka e gropës e varrin e zbrazët; e panë edhe lajmëtarët misteriozë, të cilët pohuan se Jezusi, i Kryqëzuari, ishte ngjallur; ishte Ai vetë, Mësuesi e Zoti, i gjallë e i prekshëm. Ishte Ai, që iu duk Marisë nga Magdala, dy dishepujve të Emausit e, së fundi, të njëmbëdhjetëve, mbledhur së bashku në Çenakull (cfr Mk 16,9-14).
Ngjallja e Krishtit nuk është fryt i ndonjë spekulimi, i ndonjë përvoje mistike. Është ngjarje që, natyrisht, i kapërcen caqet e historisë, por që ndodh në një çast të mirëpërcaktuar të historisë e lë në të gjurmë të pashlyeshme. Drita, që i verboi rojet e vendosura pranë varrit të Jezusit, për ta ruajtur, përshkoi kohë e hapësirë. Nuk është çfarëdolloj drite: është dritë hyjnore, që e davariti errësirën e vdekjes e solli në botë shkëlqimin e Zotit, shkëlqimin e së Vërtetës, të së Mirës.
Ashtu si nën rrezet e diellit në pranverë, mugullon sythi i ri mbi degët e pemëve, kështu rrezatimi, që buron nga ngjallja e Krishtit i jep forcë e kuptim çdo shprese njerëzore, çdo pritjeje, çdo dëshire e çdo plani. Prandaj sot mbarë gjithësia galdon, e përfshirë në pranverën e njerëzimit, e këndon himnin e heshtur të lavdërimit të Krijesës. Alelujën e Pashkëve. Jehon Aleluja në Kishën shtegtare në botë, shpreh ngazëllimin e heshtur të universit e, sidomos, etjen e çdo shpirti njerëzor, që kërkon Zotin e i shpreh mirënjohjen për mirësinë, bukurinë e vërtetësinë e tij të pafundme.

“Në ngjalljen tënde, o Krisht, gazmojnë qiell e tokë. Kësaj ftese për të kënduar himne lavdërimi, që lartohen sot nga zemra e Kishës, “qiejtë” i përgjigjen plotësisht: aradhet e engjëjve, të shenjtorëve e të të Lumëve bashkojnë zërat me këngën tonë ngadhënjyese. Në qiell mbretëron paqja e hareja! Por, për fat të keq, në tokë nuk është kështu! Këtu, në këtë botën tonë, Aleluja e Pashkëve është në kontrast me vajtimet e britmat, pasojë e situatave të shumta, të dhimbshme, të mjerimit, urisë, luftërave, dhunës. E pra pikërisht për këtë vdiq e u ngjall Krishti! Vdiq edhe për shkak të mëkateve të sotme, e u ngjall edhe për shpëblimin e historisë sonë, të sotme! Prandaj mesazhi im dëshiron të arrijë tek të gjithë e, si kumtim profetik, sidomos tek popujt dhe bashkësitë, që po vuajnë sot orën e mundimeve. Uroj që Krishti t’u hapë udhën e lirisë, të drejtësisë e të paqes.
Të galdojë Toka, që e para rrezëlloi nga Drita e të Ngjallurit. Shkëlqimi i Krishtit i ndriçoftë popujt e Lindjes së Mesme, që drita e paqes dhe e dinjitetit njerëzor të fitojë mbi errësirën e përçarjeve, të urrejtjes, të dhunës.
Uroj që në Libi, në vend të vringëllimit të armëve, të fitojnë diplomacia e dialogu e, në këtë situatë konflikti, të krijohen mundësitë për arritjen e ndihmave humanitare tek njerëzit, që vuajnë pasojat e ndeshjes.
Uroj që në vendet e Afrikës Veriore e të Lindjes së Mesme, të gjithë qytetarët, e në veçanti të rinjtë, të përpiqen për të mirën e përbashkët, për të ndërtuar një shoqëri, që e mund varfërinë e kërkon rrugëzgjidhje politike, të frymëzuara nga respekti për njeriun.
Refugjatëve të shumtë, që ravgojnë nga vendet afrikane e detyrohen të largohen nga viset më të dashura, u uroj solidaritet të përgjithshëm. Njerëzve vullnetmirë, t’ua hapin zemrën, t’i mikpresin, t’u përgjigjen në mënyrë solidare e të njëzëshme nevojave të ngutshme të shumë vëllezërve. E uroj që ngushëllimi e vlerësimi im t’i nxisë edhe më shumë, të gjithë ata, që bëjnë përpjekje bujare e japin dëshmi shembullore në këtë drejtim.
Popujve të Bregut të Fildishtë, vend ku ndjehet nevoja urgjente e rifillimit të udhës së pajtimit e të faljes, për të mjekuar plagët e thella, ndërsa përballojnë pasojat dramatike të shkaktuara nga dhuna e kohëve të fundit, u uroj ta përtërijnë bashkëjetesën civile.
I uroj ngushëllim e shpresë tokës së Japonisë, në sa përballon pasojat dramatike të tërmetit të fundit. Ashtu dhe vendeve, të cilët muajt e fundit vuajtën nga fatkeqësitë e natyrës, që mbollën dhimbje e ankth.
Të galdojnë qielli e toka për dëshminë e të gjithë atyre, që përballojnë kundërshtime e persekutime për shkak të besimit në Krishtin Zot. Kumtimi i ngjalljes së tij fitimtare i mbushtë plot me guxim e shpresë!

Të dashur vëllezër e motra! Krishti i ngjallur ecën para nesh drejt qiellit të ri e tokës së re (cfr Ap 21, 1) ku, më në fund, do të jetojmë të gjithë, si një familje e vetme, si bij të të njëjtit Atë. Ai është me ne deri në fund të fundit të kohëve. Të ecim pas Tij në këtë botë të plagosur, duke kënduar Aleluja! Në zemrën tonë ka gëzim e dhimbje; në fytyrë, gaz e lot. Kështu është jeta tokësore. Po Krishti u ngjall, jeton e ecën me ne. Prandaj këndojmë e ecim, besnikë të impenjimit tonë në këtë botë, me sytë drejtuar kah Qielli!







All the contents on this site are copyrighted ©.