2011-04-23 19:10:27

Maratona TV për Papën Vojtila


(23.04.2011 RV)Që nga 22 prilli, Rai Storia transmeton çdo natë, në orën 23.00, një emision, titulluar “Speciale dixit”, kushtuar Gjon Palit II, në prag të kremtimtit të Lumnimit të 1 majit. Transmetimet do të vijojnë deri më 29 prill. Rrjeti, i drejtuar nga Giovanni Minoli, pasqyron ngjarjet kryesore të papnisë së gjatë, me filma e komente të historianëve e vatikanistëve, si Andre Rikardi, Saverio Gaeta, Marko Politi, Sandro Magistre e të tjerë, më shumë a më pak të njohur.
Pas javës së parë, më 30 prill do të ndiqet drejtpërdrejtë mbrëmësorja e lutjes, duke nisur nga ora 23.00. Gjatë kremtimit, lidhja me Fatimën e Gudalupen, Libanin, Tanzaninë e Poloninë. Natyrisht transmetimet do të arrijnë kulmin më 1 maj, me kremtimin e Lumnimit, që do të transmetohet njëkohësisht me Rai1. Është një maratonë e vërtetë televizive.
I pyetur : “A e keni njohur Gjon Palin II”, Minoli përgjigjet:
“E kam takuar disa herë, gjithnjë në rrethana zyrtare. Herën e parë e takova në vitet 80. Isha me familjen time. Pata mundësi të shkëmbej me të vetëm pak fjalë e megjithatë mbeta i prekur thellë nga energjia, që komunikonte. Megjithse takimi qe i shkurtër, m’u duk se e njihja prej kohe. E kjo, sepse dija shumë gjëra për të. M’i kishte treguar zëdhënësi i tij, e miku im, Navarro-Valls”.
Kërkesës së dytë: “Në se do ta kishi intervistuar, ç’pyetje do t’i bënit?”, Minoli iu përgjigj:“Do ta pyesja për marrëdhëniet ndërmjet fesë e mjeteve të komunikimit. Gjon Pali II, më shumë e më mirë se të gjithë, diti ta vlerësojë forcën e jashtëzakonshme, që kanë mjetet e komunikimit në përhapjen e mesazhit ungjillor. E këtë e bëri jo vetëm me fjalët e tij, tejet komunikuese, por edhe me praninë e tij fizike”.







All the contents on this site are copyrighted ©.