E Shtuna e Madhe, dita e tretë e Treditëshit e Nata e Shenjtë e Pashkëve të Ngjalljes
së Krishtit.
E Shtuna e Madhe e Pashkëve është dita e varrimit dhe e heshtjes. Mirëpo në barkun
e tokës ruhet e rritet porsi fara, fidanishtja e jetës së re. Në këtë Natë të
Shenjtë, në të cilën Jezu Krishti, Zoti ynë kaloj nga vdekja në jetë, Kisha, e përhapur
kudo në botë, i thërret bijtë e vet të rrinë zgjuar në uratë. Në këtë Natë të Shenjtë,
e rijetojmë Pashkën e Zotit përmes dëgjimit të Fjalës Hyjnore dhe pjesëmarrjes në
Sakramente; Krishti i Ngjallur e përforcon në ne shpresën e pjesëmarrjes tonë në
fitoren e Tij mbi vdekje e na ofron mundësinë të jetojmë me Të në Hyjin Atë. Kremtimi
i Natës së Ngjalljes së Jezu Krishtit është zemra e thelbi i krishterimit, është qendra
e kulmi i tërë vitit liturgjik kishtar. Besimtarët e krishterë, në këtë Natë të
Shenjtueshme, janë në pritje të kumtimit të Lajmit të Mirë të Ngjalljes së Shpëtimtarit
të botës, Jezu Krishtit. E liturgjia e Vigjiljes së Pashkëve rregullohet në
disa pjesë, rite e simbole, që shprehin e kumtojnë mesazhin qendror të Natës së Pashkëve,
e cila quhet dhe konsiderohet me të drejtë si “Nëna e të gjitha netëve të lutjes”,
mesazhin e fitores së Jezu Krishtit mbi vdekje, mesazhin e Ngjalljes së Krishtit.