2011-04-22 08:38:26

Ipeshkvijtë e Tokës së Shenjtë për Lumnimin e
Gjon Palit II


“Njeri i fesë e i vuajtjes, i dialogut e i paqes, dëshmitar sypatrembur i Krishtit”: ky është portreti i Gjon Palit II, parë nga Asambleja e Ipeshkvijve katolikë të Tokës së Shenjtë, në një letër, drejtuar meshtarëve, rregulltarëve dhe besimtarëve me rastin e lumnimit të Papës Vojtila. Letra përfshin programin e veprimtarive, që do të organizohen më 1 maj në Vatikan. “Ne, që e njohëm si shtegtar në Tokën e Shenjtë, si njeri të fesë, të dialogut e të paqes; që ia dëgjuam fjalët plot me fe e shpresë, që folëm me të për gëzimet, vuajtjet e shpresat e dioqezave tona e të popullit tonë, nuk mund ta kalojmë këtë ngjarje kaq të rëndësishme, pa i bërë jehonën e duhur në këto Troje, aq të dashura për Të. Prandaj, kujtojnë ipeshkvijtë, nuk mund të mos e ndjekim nga afër Lumnimin e Papës Gjon Pali II”.
Me këtë rast – sipas Agjensisë Sir - ipeshkvijtë kanë hartuar një program të pasur me veprimtari, që do të mbahen në Jeruzalem, në Betlehem, Nazareth e Aman nga data 28 prill, deri më 8 maj. Ndërmjet veprimtarive, bien në sy një koncert me organo, mbrëmësore eukaristike e mariane dhe disa ekspozita artistike. Më 30 prill, të rinjtë e Jordanisë do të takohen për të kujtuar Mikun e Madh të rinisë. Më 1 maj ipeshkvijtë i ftojnë famullitarët dhe të gjithë meshtarët t’i njoftojnë besimtarët se lumnimi do të transmetohet drejtpërdrejtë nga Jeruzalemi dhe nga Fondacioni Gjon Pali II në Betlehem, ku do të jetë i pranishëm edhe kryeministri palestinez Salam Faiad. Gjithnjë më 1 maj (në orën 16.30), në Jeruzalem, patriku Fuad Tual do të kremtojë një Meshë për nder të të Lumit Gjon Pali II.
Së fundi, në maj, do të organizohet një tryezë e rrumbullaktë, ku të krishterë, hebrenj e myslimanë do të dialogojnë për Gjon Palin II, si njeri i paqes e i dialogut.







All the contents on this site are copyrighted ©.