2011-04-21 13:41:56

Çelësi i fjalëve të Kishës: Eukaristia!


(21.04.2011 RV)Në këtë ditë, në të Enjten e Madhe të Javës së Pashkëve, nuk mund të mos flasim për “Eukaristinë”, të cilën Jezu Krishti e themeloi pikërisht gjatë Darkës së Mbrame me Apostujt, ngjarje që u kujtua sot nga gjithë Kisha Katolike.
Skena u vjen ndër mend të gjithëve. Mbi Jeruzalem po zbriste muzgu. Ndoshta, ishin ditët e para të prillit të vitit ’30. Jezusi ngjitet në katin e sipërm të një ndërtese të qytetit, në “një sallë të madhe me tapete”, që shërbejnë edhe si “divanë”, pasi darka përgatitet në një sofër, rreth së cilës ulen apostujt për ritin tradicional hebraik të Pashkëve, megjithëse nga studimet e mëvonshme mbi kalendarin, duket se solemniteti i Pashkëve kremtohej pak ditë më vonë. Vërtet, ungjijtë sinoptikë – sipas Mateut, Markut e Lukës – flasin për “ditën e Bukëve të Pambrume, kur duhej të flijohej qengji i Pashkëve”.
Gjithsesi, fjalët që thotë Krishti për bukën e për verën, shkojnë përtej ritit të flijimit të një qengji, i cili ishte një kremtim me zanafillë nomade, i lidhur me shtegtimin veror të bagëtive, shndërruar nga Bibla në festën e çlirimit të Izraelit nga zgjedha e faraonëve. Para bukës së pambrujtur të ritualit judaik, Jezusi deklaron: “Ky është korpi im…”. Para njërës prej katër kupave me verë të atij rituali pohon: “Ky është gjaku im – gjaku i Besëlidhjes – që do të derdhet për të gjithë në shpërblim të mëkateve” (Mt 26,28); ose siç thuhet në Ungjillin sipas Markut: “Ky është gjaku im, gjaku i Besëlidhjes, që derdhet për të gjithë” (Mk 14,24). Ndërsa shën Luka ungjilltar e Shën Pali Apostull i referohen jo aq ritit të besëlidhjes, kremtuar në Sinai - siç tregohet në kapitullin 24 të Librit të Daljes e siç bëjnë shën Mateu e shën Marku, ungjilltarë - por “besëlidhjes së re” në Shpirtin Shenjt, kënduar nga Jeremia profet (31,31-34). “Ky kelk është Besëlidhja e re në gjakun tim që derdhet për ju” thotë shën Luka (22,20); “Ky kelk është Besëlidhja e re në gjakun tim” thotë shën Pali (1 Kor 11,25).
Është i qartë aspekti i flijimit, që Letra drejtuar Hebrenjve e thekson me forcë, në pjesën ku reflekton mbi vdekjen e ringjalljen e Krishtit: “U dëftua një herë të vetme – në mbarimin e kohës – për ta asgjësuar mëkatin me anën e flijimit të vetvetes” (9,26). Vërtet, “korpi” i eukaristisë “flijohet për ju”(Lk 22,19) dhe “gjaku derdhet për shumë”, që në gjuhën semite do të thotë për “të gjithë”. Por ka edhe një aspekt tjetër për t’u nënvizuar: eukaristia – term grek, që do të thotë “vepër hiri”, “falenderim” e që do të përdoret nga tradita për emrin e këtij riti të Pashkëve, rit i krishterë flijimi – lidh edhe besën, krijon një bashkim ndërmjet Krishtit, Kishës e besimtarëve.
Kjo tregohet gjerësisht në predikimin e Jezusit në sinagogën e Kafarnaumit, paraqitur në Ungjillin e shën Gjonit, pas shumëfishimit të bukës e të peshqve (6,26-58). Fjalët e Krishtit janë homeli e vërtetë, që ka në qendër “bukën e jetës”. Në atë faqe të ungjillit flitet për “korp e gjak”, shprehje semite, që tregon njeriun në identitetin e tij tokësor. Vihet në dukje kështu bashkimi i frytshëm ndërpersonal ndërmjet njeriut e Zotit, deri aty sa besimtari – ai që beson në Krishtin – bëhet pjesëmarrës në jetën hyjnore: “Nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim…Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim, ka jetën e pasosur. Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit” (6,51.54).
Shën Pali Apostull shkon më tej e në këtë bashkim – në greqisht “koinonìa” – me korpin e me gjakun e Krishtit në eukaristi, sheh edhe burimin e bashkimit/”koinonìa” vëllazëror ndërmjet nesh: “Buka të cilën ne e ndajmë, a nuk është bashkim me Trupin e Krishtit? Pasi është një bukë e vetme, ne, edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm: pse të gjithë jemi pjestarë të një buke” (1 Kor 10,16-17). Jo më kot, eukaristia, që në Besëlidhjen e Re quhet “thyerja e bukës”, është e lidhur ngushtë me “koinonì”-në vëllazërore që përshkruan shën Luka Ungjilltar kur flet për Kishën e Jeruzalemit (Vap 2,42).







All the contents on this site are copyrighted ©.