2011-04-21 17:18:04

Papa në Meshën e Bagmit: nuk mjafton ta quajmë veten të krishterë, duhet të jemi të tillë


(21.04.2011 RV)Nuk mjafton ta quajmë veten të krishterë, duhet edhe të jemi të tillë: kështu tha Papa Benedikti XVI në Meshën e Bagmit, që e kremtoi sot paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, së bashku me ipeshkvijtë e me meshtarët e pranishëm në Romë. Papa u ndal në domethënien e vajrave të shenjta, që u bekuan gjatë kremtimit. Më pas, pohoi me dhimbje se në Perëndim, shumica e të krishterëve janë kthyer në një “popull që s’beson e largohet nga Zoti”. Në fund, Ati i Shenjtë kujtoi figurën e të Lumit të ardhshëm, Gjon Pali II, dëshmitar i Zotit në kohën tonë........RealAudioMP3
Një homeli e ndjerë për të medituar mbi vlerën e Vajrave të Shenjta, por sidomos për të shtruar pyetjen: “ç’do të thotë të jesh i krishterë?”. Papa tha se vaji është simbol i Shpirtit Shenjt e na kujton Krishtin, të Zgjedhurin, të Vojuarin e Zotit. Prandaj, nënvizoi Benedikti XVI, të krishterë do të thotë të vojuar, njerëz që i përkasin Krishtit. E megjithatë, theksoi Ati i Shenjtë, duke cituar shën Injacin e Antiokisë, nuk mjafton të quhemi të krishterë. Duhet edhe të jemi të tillë:
“T’i lemë pikërisht këto vajra të shenjta, që bekohen tani, të na e kujtojnë atë detyrë, që bën pjesë në fjalën “i krishterë” e ta lusim Zotin, që gjithnjë e më tepër, jo vetëm të quhemi të krishterë, por edhe të jemi”.
Duke folur për Vajin e Krezmimit, Papa nënvizoi se të krishterët “janë popull meshtarak në botë”, prandaj ashtu si meshtari i shuguruar në Krishtin, duhet ta bëjnë të dukshëm Zotin e gjallë në botë, ta dëshmojnë e t’i çojnë njerëzit drejt Tij. Por kjo, vërejti Ati i Shenjtë, nuk është ndonjë detyrë, me të cilën të lavdërohemi e të shesim mend:
“Është një pyetje, që na jep gëzim e ankth së bashku: a jemi vërtet shenjtërorja e Zotit në botë e për botën? A ua hapim njerëzve portën e rrugëve të Zotit, apo e fshehim atë? A nuk jemi ne ata – ne, populli i Zotit – që jemi bërë në pjesën më të madhe, popull i mosbesimit dhe i largimit nga Hyji?”
“A s’është e vërtetë – vazhdoi Papa – se Perëndimi, vendet qendrore të krishterimit, janë të lodhur nga feja e tyre dhe, të mërzitur nga historia e kultura e tyre e nuk duan ta njohin më fenë në Jezu Krishtin?” Që këndej, një thirrje e fuqishme:
“Kemi arsye t’i bëjmë thirrje në këtë orë Zotit: ‘Mos lejo të kthehemi në një jo-popull! Bëj të të njohim sërish! Vërtet, na ke vojuar me dashurinë tënde, ke dikuar Shpirtin Shenjt mbi ne. Bëj që forca e Shpirtit tënd të japë sërish fryte në ne, që me gëzim, të dëshmojmë mesazhin tënd!”
Nga ana tjetër, pohoi Papa, pavarësisht nga turpi për gabimet tona, të mos harrojmë se edhe sot, ekzistojnë shembuj të ndritshëm feje, njerëz, që me fenë e dashurinë e tyre i japin shpresë botës:
“Kur më 1 maj do të shpallet i Lum Papa Gjon Pali II, do të mendojmë me mirënjohje për të si për dëshmitarin e Zotit e të Jezu Krishtit në kohën tonë, si njeri përplot me Shpirtin Shenjt. Së bashku me të, të mendojmë për numrin e madh të atyre, që ai i ka shpallur të Lum e të Shenjtë, të cilët na sigurojnë se premtimi i Zotit e misioni që na la, edhe sot, nuk shkojnë kot”.
Papa nuk mungoi të reflektonte për domethënien e Vajit të Katekumenëve, që është mënyra e parë me të cilën na prek Krishti e Shpirti i Tij:
“Vaji i katekumenëve na thotë: jo vetëm njerëzit e kërkojnë Zotin. Vetë Hyji vihet në kërkimin tonë. Fakti që Ai vetë u bë njeri e zbriti në errësirën e ekzistencës njerëzore, deri në natën e vdekjes, na tregon se sa e do Zoti njeriun, krijesën e vet”.
Zoti – vazhdoi Papa – i do njerëzit. Ai u jep përgjigje shqetësimeve të zemrës sonë. Edhe ne jemi në rrugë drejt Tij, për ta dashur më shumë e në këtë kuptim, duhet të mbetemi gjithnjë katekumenë. Më pas, Benedikti XVI u ndal në Vajin për Vojimin e të Sëmurëve, duke kujtuar se nëse detyra kryesore e Kishës është shpallja e Mbretërisë së Zotit, duhet të jetë ky lajm ai, që shëron zemrat e plagosura të njerëzve:
“Njeriu…është një qenie shoqërore, në marrëdhënie me të tjerët. Por, nëse cënohet marrëdhënia themelore, lidhja me Zotin, atëherë cënohet gjithçka tjetër. Nëse marrëdhëniet tona me Zotin janë cënuar, nëse orientimi themelor i ekzistencës sonë është i gabuar, nuk mund as të shërohemi vërtet në korp e në shpirt”.
Gjithsesi, shtoi në fund Papa, edhe shërimi konkret i sëmundjes dhe i vuajtjes është pjesë e misionit të Kishës, prandaj falenderoi të gjithë ata që ndihmojnë të sëmurët e të vuajturit, duke dëshmuar kështu vetë mirësinë e Zotit:
“Vaji për Vojimin e të Sëmurëve është shenjë e mirësisë së zemrës, që këta njerëz – së bashku me aftësitë e tyre profesionale – u çojnë të sëmurëve. Pa folur për Krishtin, e bëjnë Atë të dukshëm”.
Pasdite, Benedikti XVI u zhvendos në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, gjithnjë në qytetin e Romës, për të kremtuar Meshën e Darkës së Mbrame të Zotit tonë Jezu Krisht.







All the contents on this site are copyrighted ©.