Me të Dielën e Larit, besimtarët katolikë fillojnë Javën e Madhe të Pashkëve. Po çfarë
kuptimi ka kjo javë e cila është domethënia e ditëve të saj, që shënojnë kulmin e
vitit liturgjik?
Domethënia është se Kisha Shenjte Amë kremton misteret e Dhëndrit
të vet Shpërblyes. Jezusi zbriti mbi tokë për dashurinë e për shëlbimin tonë. Ai na
shpëtoi me gjithë jetën e tij: me mrekullitë, me predikimet por në mënyrë të posaçme,
me mundimet, me vdekjen e Ngjalljen e tij.
Këtë kremtojmë gjatë Javës së Madhe
të Pashkëve. E dimë se kremtimi Eukaristik i Meshës Shenjte është ri-paraqitje e mistereve
shëlbimpruese të Krishtit që mundohet, vdes, ngjallet; e flijimi i Kryqit është ora
e Jezusit. Çdo i krishterë, çdo katolik e ri-jeton këtë flijim, e kremton me Kishën,
në Kishë, bën përpjekje për t’i lexuar e kuptuar ritet, para se të niset drejt Kishës,
për t’i ndjekur pastaj më mirë, për të marrë pjesë më me përshpirtëri. Pjesëmarrja
nuk është thjeshtë veprimtari e jashtme: në radhë të parë është bashkim shpirtëror
me Krishtin përmes Kishës.
Natyrisht çdo besimtar kërkon më parë të rrëfehet,
ta marrë në zemër Jezusin Eukaristi, të vihet për udhë së bashku me Kishën, së bashku
me të Lumen Mari, gjithmonë Virgjër, që ishte pranë Krishtit kudo, posaçërisht mbi
Kalvar. Vihet për udhë edhe me Apostujt. Kush nuk e kupton Javën e Madhe, nuk e kupton
krishterimin; kush nuk merr pjesë në ritet kishtare, është tepër i cektë në jetën
e krishterë. E kjo, sepse Pashkët i japin kuptim çdo të diele që ne e kremtojmë në
ditën e parë të javës. E ditën e parë të javës, jo më të shtunën, por të dielën -
ne e kremtojmë si ditën e Zotit. S’kemi jetë pa të dielën – kanë thënë martirët e
Abitenes, në Afrikën veriore. Ja, pra, kuptimi i Javës, që është zemra e vitit liturgjik
të Kishës.
Në atmosferën e shenjtë të kësaj Jave të Pashkëve, është e trishtueshme
të mendosh se për disa njerëz Pashkë do të thotë vezë të kuqe, shëtitje në det, vizita
në shtëpitë e miqve, udhëtime pa fund, shëtitje në mal, ndeshje futbolli, ngujim para
televizorit…. Të gjitha këto gjëra janë të mira, nuk janë të këqija. Por sigurisht
nuk janë zemra e Pashkëve. Zemra e Pashkëve është pjesëmarrja në kremtimet e mistereve
të Krishtit, të pranishme në Kishë. Secili nga ne duhet ta programojë gjithçka
tjetër rreth kremtimit të këtyre mistereve, përfshirë këtu edhe pushimin.
Kujtojmë
edhe hiret e posaçme që fitohen duke marrë pjesë me gjithë shpirt në kremtimet e Javës
së Madhe. Si gosti shpirtërore rreth sofrës së Zotit, Jezusi na ushqen me fjalën e
tij, me sakramentet e tij, me Korpin e Gjakun e tij, na ushqen edhe me shoqërinë e
mbarë bashkësisë së krishterë, sepse Zoti nuk na shpëtoi si një njeri i vetëm, por
edhe si bashkësi. Kemi nevojë për të tjerët: për të qenë bashkë.