2011-04-20 18:25:13

Perspektiva të reja në Kubë, pas largimit të Fidel Kastros nga udhëheqja e partisë


(20.04.2011 RV)Pas mëse 50 vjetësh socializëm, Kuba vendos të “azhornojë” modelin e saj ekonomik, përmes një sërë reformash, të miratuara nga Kongresi VI i partisë, që përfundoi dje në Havanë. Fidel Kastro, udhëheqësi historik i Kubës, formalizoi largimin e tij edhe nga detyra e fundit, që i kishte mbetur, ajo e sekretarit të Partisë Komuniste. Kjo detyrë i kalon të vëllait, Raulit, i cili që prej disa vjetësh është në krye të Këshillit të Shtetit.RealAudioMP3
84-vjeçari Fidel Kastro mori pjesë në ditën e fundit të punimeve të Kongresit, duke miratuar reformat ekonomike, të propozuara nga i vëllai 79-vjeçar. Në thelb, kubanët do të mund të blejnë e të shesin shtëpi e makina. Deri tani lejohej vetëm shkëmbimi i shtëpive, ndërsa mund të qarkullonin vetëm makinat e prodhuara para vitit 1959. Këto kufizime konsiderohen “absurde” nga Raul Kastro e nuk respektohen prej vitesh nga kubanët. Me reformat e reja i jepet më shumë hapësirë iniciativës private në përgjithësi. Të dëgjojmë komentin e ekspertit të radios sonë për Amerikën Latine, Luis Badilja:
Mendoj se ç’tha Raul Kastro është shumë interesante e, në një farë mënyre, krijon shpresa për Kubën e për popullin e saj, si edhe për vetë regjimin, i cili po has vështirësi të mëdha. Problemi është të dimë se cila do të jetë klasa drejtuese, që do ta realizojë këtë program. Raul Kastro paraqiti shumë reforma interesante, që janë kërkuar nga kubanët, por duhet parë nëse grupi drejtues i zgjedhur e që duhet plotësuar në ditët e ardhshme, do t’i ketë energjitë shpirtërore e kulturore për realizimin e kësaj kthese. Së dyti: disa boshllëqe të raportit të Raul Kastros do të mbushen më vonë. E kam fjalën për faktin se Raul, duke pohuar se partia duhet të ndahet nga qeveria dhe anasjelltas, nuk tha asgjë për llojin e autonomisë e të lirisë, që do t’u jepet shoqatave ndërmjet shtetit e popullit si organizatat territoriale, kulturore, fetare e kështu me radhë.







All the contents on this site are copyrighted ©.