Kaloi edhe një ditë! Ora vendimtare është fare pranë. Krishti del nga streha e pemëve,
ku kaloi natën e riduket mes njerëzve, në tempull. Krerët e popullit sillen rreth
presë. Të mbështjellë me mantelet e tyre luksoze e me mllef, e gjuajnë me fjalë. Ai
ua çjerr maskat, ua zbulon fytyrat e vërteta prej vreshtarësh vrasës, që do të shfarosen
nga Zotëria i vreshtit; e flet për Hyjin e Abrahamit, të Isakut e të Jakobit: për
atë që nuk është Hyj i të vdekurve, por i të gjallëve. Ata mund ta mbysin; plani misterioz
i Atit e parashikon vdekjen e Shëlbuesit, por ai ka fuqi të rikthehet në jetë. Turma
e shikon, e varur ndërmjet frikës e shpresës. E toka rrotullohet pambarimisht rreth
diellit, e sahati diellor aty pranë shënon orët e fatit të Jezusit. Është e Marta
e Madhe. Kanë mbetur vetëm tri ditë! Fjalët rrokullisen si ortekët nga shekulli
në shekull e arrijnë deri tek ne. Në ditët e largëta armiq të shumtë u sulën kundër
Krishtit, për ta zhdukur atë e edhe kujtimin e tij. Ndërsa sot s’e përfillin. Duan
ta ndërtojnë ardhmërinë e tyre, pushtetin, pasurinë, vetë jetën, pa Të. Duan të arrijnë
progresin që nuk njeh tjetër, veçse mburrjen vetjake, vrapojnë për të provuar emocione
gjithnjë të reja, pa e çarë fare kokën për zbraztësinë që lënë pas, skllevër të ethes
së kënaqësisë, që s’të jep paqe. Fjalët e Jezusit fluturojnë drejt qiejve të tjerë
e bota ka gjithnjë më pak shenjtëri e gjithnjë më shumë mëkat. Ndalu mes nesh,
o Zot, e na bëj pjesëmarrës në fatin tënd shëlbues. Na jep, pra, forcë të rrijmë
larg mashtrimeve, egoizmit, prepotencës. Na prij drejt zbulesës sate, në këtë çast
kur ti je në fund të kohës, që i caktohet edhe secilit nga ne. E dimë mirë se fundi
i botës vjen atëherë, kur merr fund jeta. Na e forco, prandaj, o Zot, fenë tonë
që luhatet e në sa dridhemi nga frika e vdekjes, na ngushëllo me pavdekësinë!