2011-04-18 17:25:53

Të djathtët fitojnë zgjedhjet në Finlandë


(18.04.2011 RV)Konservatorët e Koalicionit Kombëtar fituan zgjedhjet politike të djeshme në Finlandë, por risi është arritja në vendin e tretë të partisë populiste dhe euroskeptike të së djathtës ekstreme “Finlandezët e Vërtetë”. Sipas disa analistëve, suksesi i tyre mund të ketë pasoja edhe në Evropë, me ngadalësimin e procesit të Helsinkit dhe me mbylljen e rubinetave financiare për vendet në vështirësi, si Portugalia. Por votat e marra nga kjo parti e nga të tjera në Suedi e në vende të ndryshme evropiane, tregojnë edhe për mungesë komunikimi ndërmjet qeverisë e qytetarëve, siç shpjegon pedagogu i ekonomisë dhe i integrimit evropian në Universitetin “Bocconi” të Milanos, Karlo Altomonte:RealAudioMP3
Faktikisht nuk u është thënë qytetarëve evropianë se shpëtimi i këtyre vendeve të periferisë së zonës Euro, në të vërtetë, do të thotë të shpëtohen bankat evropiane. Nëse shohim se kush i kishte titujt e borxhit publik grek, portugez, apo irlandez, del se shumica e tyre ishin në bankat gjermane, franceze e britanike. Prandaj, u hidhet faji – që natyrisht nuk u mungon – vendeve të periferisë, duke e konsideruar shpëtimin e tyre si gjest bujarie, por nuk u shpjegohet qytetarëve evropianë se, në të vërtetë, nëse nuk shpëtohen Greqia e Portugalia hidhet në erë sistemi bankar evropian i të gjitha vendeve, duke filluar nga bankat gjermane. Sipas meje, kjo valë e së djathtës ekstreme është përgjigjia e natyrshme që qytetarët i japin mungesës së qartësisë nga ana e qeverive.








All the contents on this site are copyrighted ©.