2011-04-18 18:27:23

Në fillim të Javës së Madhe, Papa na kujton se e keqja nuk do ta thotë kurrë fjalën e fundit. Krishti, me dashurinë e tij, fiton mbi mëkatin e mbi vdekjen.


Kisha përgatitet të kremtojë Pashkët e reja, pikë kulmore e gjithë vitit liturgjik. Në të Dielën e Larit e të Mundimeve të Zotit, Benedikti XVI hapi ritet e Javës së Madhe. Ta rijetojmë këtë kohë, thellësisht të përshpirtshme për bashkësinë e krishterë, duke medituar misteret e saj me fjalët e Papës, në rrjedhë vitesh.RealAudioMP3

Ungjijtë e tri ditëve të para të Javës së Madhe flasin për Judën Iskariot. Apostull një herë, tradhtar pastaj, ai ka guximin të hiqet si moralist: kritikon ashpër, sepse Maria, motra e Lazrit të ringjallur, ia lyen Jezusit këmbët me një erëmirë tejet të kushtueshme. Ky parfum mund të shitej e shuma e fituar mund e duhej të përdorej në ndihmë të të varfërve, thotë Juda. Po në të vërtetë ai nuk mendon kurrë për të varfërit. I etur siç është për para, mendon vetëm për vete:
“Për të dashuria nuk ka kurrfarë vlere… është i pangopur: për të paraja ka shumë më tepër rëndësi, sesa bashkimi me Jezusin; ka shumë më tepër vlerë, sesa Zoti me gjithë dashurinë e tij. E kështu bëhet edhe hipokrit e gënjeshtar. Bëhet njeri me dy fytyra, armik i së vërtetës”.
Ngjarja e Judës ka edhe një epilog tjetër, që përfaqësohet nga Shën Matia Apostull, i zgjedhur pas Pashkëve në vendin e Iskariotit. Ai, shpjegon Papa, kujtohet për besnikërinë e patundur si dëshmitar, që e ndoqi pas Jezusin gjatë gjithë jetës së tij tokësore. E ky shembull na jep një mësim të ri:
“Edhe në se në Kishë nuk mungojnë të krishterët e padenjë e tradhtarë, na takon ne të gjithëve ta shpërblejmë të keqen e kryer prej tyre me dëshminë e pastër, që japim për Jezu Krishtin, Zotin e Shëlbuesin tonë”.
Triditëshi i Pashkëve nis me kremtimin e Meshës In Coena Domini. Kremtohet të Enjten e Madhe kjo Meshë e Darkës së Mbrame të Zotit, që, nënvizon Papa, na kujton se krishtërimi nuk është moralizëm, është dhuratë:
“Zoti na dhurohet; nuk na jep ndonjë gjë: na dhuron vetveten. E kjo nuk ndodh vetëm në fillim, në çastin e kthimit tonë kah Ai. Mbetet përgjithmonë e jetës Ai, që dhuron. Dhuron, e përsëri dhuron. Na prin përgjithëjetë. Prandaj zemra e jetës së krishterë është Eukaristia; mirënjohje për Atë, që na shpërbleu; gëzim për jetën e re, që na e dhuroi” (Mesha in Coena Domini, 20 mars 2008).
Në Gjetseman, në orën kur shpirti i Jezusit trishtohet për vdekje, dishepujt dremisin. Dishepujt flenë, ndonëse Jezusi i porositi të rrinë zgjuar, së bashku me Të:
“E shikojmë se dishepujt flenë, duke e lënë Zotin vetëm fillikat. Edhe ne sot, shpesh herë na zë gjumi! Ne, dishepujt e tij. Po në këtë Natë të Shenjtë të Gjetsemanit, duam të jemi vigjilentë, të mos e lëmë Zotin vetëm, në këtë orë” (Audienca e përgjithshme, 4 prill 2007).
Jezusin e arrestojnë dhe e kryqëzojnë. Rreth orës tre, Krishti lëshon klithmën që rrënqeth angrrat e dheut: “Zoti im, Zoti im, pse më lëshove dore?!”. Vdekja e tij në kryq është mister, që i kapërcen kufijtë e arsyes sonë:
“Jemi para diçkaje që, parë me sy njerëzor, mund të duket fare absurde; një Zot, i cili jo vetëm bëhet njeri, jo vetëm vuan për ta shpëtuar njeriun, duke marrë mbi vete gjithë barrën e tragjedisë njerëzore, por edhe vdes për njeriun” (Audienca e përgjithshme, 8 prill 2009).
E Shtuna e Madhe është edhe dita e heshtjes së madhe. Presim Natën e shenjtë, çastin më madhështor të historisë së universit: Ringjalljen e Krishtit. Ngjarje, që vijon edhe sot. Krishti, me dritën e ringjalljes së Tij, vijon ta ndriçojë fuqimisht botën, sepse e di që është e zhytur në errësirën e së keqes e se, prandaj, ka shumë nevojë për dritë:
Është realitet aktual: Krishti, me dashurinë e tij, fiton edhe sot mbi mëkatin e mbi vdekjen. E keqja, në të gjitha format e veta, nuk do ta thotë kurrë fjalën e fundit. Ngadhënjimi i përket Krishtit, së vërtetës, dashurisë!”(Audienca e përgjithme, 4 prill 2007).









All the contents on this site are copyrighted ©.