2011-04-16 11:00:36

84 vjetori i lindjes së Benediktit XVI: Ad multos annos, Sancte Pater - urime Atë i Shenjtë!


Gëzim” Kjo fjalë-shtyllë e magjisterit të Bariut universal Jozef Racinger ngazëllen shumë zemra në këto ditë kaq të ngarkuara me ngjarje, me dhimbje po edhe me shpresë. Në pragun e fillimit të Javës së Madhe e të Shenjtë të Pashkëve, fillon të ndjehet fuqia e Lajmit të Mirë të ngadhënjimit të Jetës mbi vdekjen dhe fuqia jetëdhënëse e Dritës së Krishtit të Gjallë bëhet edhe më e këndshme dhe na e mbush shpirtin plot me atmosferën e kremtimit të ditëlindjes së Atit të Shenjtë.
Është festë! Vatikani ka festë! Mbarë bota katolike kremton e me të, edhe ne jemi në festë. Është festa e bukurisë, e madhështisë dhe e qartësisë së Fesë. E asaj Feje, të cilën Papa Benedikti XVI me sytë e qeshur e ëmbëlsisht atëror, e rindez në mendjet e në zemrat e besimtarëve dhe të gjithë atyre që e shikojnë plot shpresë jetën dhe të ardhmen.
Është festa e Pjetrit. Festa e Bariut, që me fjalët, mësimet e shembullin e tij të freskon korpin e shpirtin.
Është festë! Festë që ka shijen e familjes, aromën e kemit të bashkësisë famullitare, kufijtë e universalitetit ashtu siç është vet natyra e misionit dhe e kumtimit të Lajmit të Mirë: Zoti është dashuri, Zoti është gurrë e jetës, Zoti të do, Zoti të pret për të dhuruan Amshimin!
Gëzuar Atë i Shenjtë! Urimi i shprehur nga zërat tonë shqiptarë, ka aromat e krishterimit të lashtë të një vendi e popull i vogël, martir e fisnik, që ju ka për zemër, sepse edhe ju e keni për zemër!







All the contents on this site are copyrighted ©.