2011-04-15 16:15:29

Tmerr në Gazë, vritet një aktivist italian për të drejtat e njeriut


(15.04.2011 RV)Përfundoi me mbytjen e 36-vjeçarit italian Vitorio Arrigoni, rrëmbimi i tij, kryer ditën e mërkurë, nga një grup fondamentalist salafit në Rripin e Gazës. Aktivisti për të drejtat e njeriut, që bënte pjesë në Lëvizjen Ndërkombëtare të Solidaritetit, u gjet në një apartament të Gaza City-t nga milicët e Hamasit, të cilët, për herë të parë së bashku me Autoritetin Kombëtar Palestinez, e dënojnë haptas këtë barbarizëm. Madje, që nga dita e rrëmbimit, Hamasi, që komandon në Gazë, filloi një gjueti të vërtetë njerëzish për të kapur anëtarët e organizatës ultra-ekstremiste, të lidhur me Al Kaidën. Vitorio Arrigoni u vra para se të skadonte ultimatumi, i parashikuar për orën 16.00 të ditës së sotme, duke shkaktuar indinjatën të gjithë palestinezëve, që e shihnin si njeri të sinqertë, ardhur në vend për t’i ndihmuar.
“Unë nuk besoj në kufij, në barriera, në flamuj, besoj se të gjithë i përkasim së njëjtës familje, asaj njerëzore, pavarësisht nga gjatësia e nga gjerësia gjeografike”.
Më këto pak fjalë, të thëna nga vetë Vitorio Arrigoni, mund të përvijohet më së miri personaliteti i tij, të cilin palestinezët e kishin kuptuar, siç dëshmohet edhe nga reagimi i Gjysmëhënës së Kuqe, zyra italiane e së cilës, në një letër imagjinare me aktivistin italian, shkruan:
“Vranë një njeri të lirë, një dashurues të lirisë e të drejtësisë, një mik të paqes e të popullit palestinez, që ti e ke mbrojtur, e ke dashur, çështjen e të cilit e ke bërë motiv të jetës tënde. Nuk e dimë se kush janë e as ç’përfaqësojnë, por dimë se NUK janë palestinezë e se janë vrasës të Palestinës, të kauzës së saj, të popullit e të miqve të vërtetë e të sinqertë të saj”.







All the contents on this site are copyrighted ©.