E Premtja e Madhe në Indi, lutje për viktimat e sulmeve kundër të krishterëve
(15.04.2011 RV)Do të jetë një procesion i heshtur, i shoqëruar me agjërim e
lutje, ai i së Premtes së Madhe, 22 prill, në Mumbai, ku do të mblidhen mëse 20 mijë
të krishterë. Nisma është organizuar nga “Catholic Secular Forum” (Forumi i laikëve
katolikë) dhe mbështetet nga shumë grupe e shoqata të tjera të krishtera. Besimtarët
do të luten për të krishterët e persekutuar e, në veçanti, për viktimat e sulmeve
antikristiane në Indi. Procesione do të mbahen edhe në qytete të tjera indiane si
Delhi, Kalkuta, Bangalore, me qëllim sensibilizimin e institucioneve dhe të opinionit
publik për gjendjen e të krishterëve në vendin aziatik. Shtetet, ku ata sulmohen e
persekutohen vazhdimisht janë Orisa – e famshme për masakrën e të krishterëve në vitin
2008 – por edhe Karnataka, Madija Pradeshi e Maharashtra. Gjatë këtij viti, Forumi
i Laikëve Katolikë regjistron të paktën një episod dhune në ditë. Kreu i tij, Jozef
Dias deklaron për agjensinë e Vatikanit, Fides: “Të krishterët bëhen lehtë viktima,
sepse nuk përgjigjen me dhunë e me hakmarrje, por me lutje e me falje… Shpesh preteksti
(i dhunës kundër tyre) është akuza e rreme për prozelitizëm, ose për kthime me detyrim
në krishterim. Arsyeja e vërtetë është se ekstremistët hinduistë nuk e tolerojnë impenjimin
shoqëror të të krishterëve në shkolla e në spitale e, sidomos, veprën e tyre të çmuar
për promovimin njerëzor, ekonomik e shoqëror të dalitëve dhe të tribalëve të shtypur
e të diskriminuar nga shoqëria e kastave, pasi shpesh, më vonë, këta kërkojnë të kthehen
në fenë e krishterë”.