2011-04-15 17:40:38

Bomba mbi Tripolin, ndërsa Gedafi vazhdon rrethimin e Misratës


(15.04.2011 RV)Shtrëngohet rrethimi i trupave të kolonelit libian Gedafi në Misratë, qyteti i tretë i vendit e kështjella e fundit e kryengritësve në Tripolitani. Luftohet në perëndim të Axhabijas e vazhdojnë edhe bombardimet e NATO-s mbi kryeqytetin Tripoli e në rrethinat e tij.
Në planin politik, në ditën e dytë të takimit të ministrave të jashtëm të Paktit të Atlantikut në Berlin, bëhen përpjekje për të kapërcyer gjendjen e krijuar nga refuzimi i shumë vendeve të aleancës për të mos e shtuar impenjimin e tyre në koalicionin ndërkombëtar, që ndërhyn në Libi. Vendet janë ndarë në dy kampe: disa, si Spanja e Italia, do të dëshironin të armatosnin opozitorët e Gedafit e të tërhiqen nga bombardimet; të tjera, si Franca e Britania e Madhe, bëjnë presion për një impenjim më të madh ushtarak të NATO-s në vend. Tani për tani, nuk bëhet fjalë për ndërhyrje tokësore. Të gjithë dakord me artikullin e përbashkët Obama-Kamerun-Sarkozì, publikuar sot në katër gazeta ndërkombëtare, ku shkruhet se nuk mund “të imagjinohet e ardhmja e Libisë me Gedafin”, prandaj duhet refuzuar çdo lloj kompromisi, që lë në pushtet raisin. Gjendja e përgjithshme turbullohet edhe nga mesazhi i numrit dy të Al Kaidës, Al-Zauahiri, i cili u bën thirrje myslimanëve të Afrikës Veriore të luftojnë si kundër mercenarëve të Gedafit, ashtu edhe kundër NATO-s.







All the contents on this site are copyrighted ©.