Atë Kantalamesa në predikimin e Kreshmëve: dashuria e krishterë ka vlerë shoqërore.
(15.04.2011 RV)Sot paradite, në Kapelën “Nëna e Shëlbuesit”, në Vatikan, atë
Raniero Kantalamesa mbajti predikimin e katërt e të fundit të Kreshmëve, në praninë
e Benediktit XVI e të Kuries Romake. Predikatari i Shtëpisë Papnore meditoi mbi temën
e vlerës shoqërore të Ungjillit. Dashuria e krishterë, nënvizoi me forcë predikatari,
nuk shprehet me fjalë, por me fakte, me gjeste konkrete bamirësie të cilat, vijon
të na kujtojë Jezu Krishti, do të peshohen një ditë me kandarin e Gjyqit të fundit. Historianët
e Kishës, vijoi rregulltari kapuçin, në frymën e solidaritetit vëllazëror shikojnë
një nga faktorët kryesorë të përhapjes së krishterimit në tre shekujt e parë. Në
fillim feja e krishterë gjeti shprehjen e vet në nisma konkrete bamirësie; më vonë,
në institucione, që vijojnë veprimtarinë e tyre edhe sot e kësaj dite. I kushtohen
kujdesit për të sëmurët, ndihmojnë vejushat e jetimët, ngushëllojnë njerëzit në pranga,
shtrojnë sofra për të varfërit, strehojnë njerëz të ardhur nga vise të huaja, të njohura
e të panjohura. Epoka moderne, e posaçërisht vitet tetëqind, shënuan një kthesë të
madhe, duke vënë në pah problemin shoqëror. U pa qartë se nuk mjafton t’i ndihmosh
të varfërit e të shtypurit, duke i njohur nga afër e një për një, nevojat e secilit,
por duhet punuar për të ndryshuar strukturat, që krijojnë varfëri e të varfër, shtypje
e të shtypur. Sepse burimi i varfërisë duhet kërkuar pikërisht në strukturat shtetërore
që sundojnë mbi njeriun në rrjedhë shekujsh. E pikërisht prej këndej lindi edhe Doktrina
shoqërore e Kishës. Ungjilli, vijoi të kujtonte atë Kantalamesa, nuk i zgjidh drejtpërdrejt
problemet shoqërore, por përmban parimet, që ndihmojnë për t’u dhënë përgjigje konkrete
situatave të ndryshme historike. E, duke pasur parasysh se situatat e problemet ndryshojnë
nga epoka në epokë, i krishteri është i thirrur t’i mishërojë herë pas here parimet
e Ungjillit, në përkim me gjendjen, në të cilën jeton. Ky është edhe synimi i Enciklikave
shoqërore të papëve, përfundoi predikatari i Shtëpisë Papnore. Ato pasojnë njëra-tjetrën,
duke e zhdredhur fillin e mendimit, aty ku e lanë parardhësit e duke iu përgjigjur
instancave të reja, që lindin në shoqëritë e reja, mbi bazën e interpretimit të Fjalës
së Zotit në mënyra gjithnjë të reja, gjithnjë në përkim me kohët, në të cilën jeton
shoqëria njerëzore. E kjo do të thotë të dish t’i kuptosh shenjat e kohëve. Ishte
predikimi i fundit. E Premtja e ardhshme është dita e heshtjes së madhe, dita e Kalvarit,
që paralajmëron të Dielën e Ringjalljes, Ditën e Pashkëve! Do ta jetojmë, duke shoqëruar
Krishtin në Udhën e Kryqit.