2011-04-14 17:14:33

Papa, patrikut të ri maronit, Bekara Raji: Lindja e Mesme dëshiron një paqe të qëndrueshme


Lindja e Mesme dëshiron e ka nevojë për një paqe të qëndrueshme, në arritjen e së cilës mund të kontribuojë edhe Kisha, sidomos ajo, që jeton në atë zonë. Kështu i tha Papa sot paradite, Patrikut të ri të Antiokisë së Maronitëve, Shkëlqesisë së Tij Bekara Butrus Raji dhe grupit të ipeshkvijve e të besimtarëve, të cilët i priti në audiencë në Sallën Klementina në Vatikan.
Para dymijë vjetësh, Antiokia ishte një qytet i madh dhe i zhvilluar i Perandorisë romake, në të cilin gjetën vend ndjekësit e parë të Zotit të Kryqëzuar, që për herë të parë, u quajtën “të krishterë” pikërisht në atë qytet. Sot, tha Benedikti XVI, selia patriarkale e Antiokisë së Maronitëve është në krye të një bashkësie katolike, jo nga më të mëdhatë e universit të krishterë, por që qëndron akoma aty. Kjo bashkësi duhet e mund të rigjejë entuziazmin e të krishterëve të parë, të atyre që i dëgjonin me zell mësimet e apostujve, që i qëndronin besnikë bashkimit vëllazëror, thyerjes së bukës e lutjes.
Kisha Maronite në Liban, e kryesuar nga patriku Bekara Raji, i zgjedhur në krye të saj vetëm pak javë më parë, numëron një milion besimtarë, por jashtë kufijve libanezë, numri dyfishohet. Është një Kishë e lashtë sa Ungjilli, por ka nevojë të rizbulohet, siç kërkoi edhe Sinodi për Lindjen e Mesme, tetorin e kaluar:
Ngaqë ndodheni në zemër të Lindjes së Mesme, ju kryeni një mision të jashtëzakonshëm ndërmjet njerëzve, të cilëve, dashuria për Krishtin, ju shtyn t’u shpallni Lajmin e Mirë të Shëlbimit… Ky rajon i botës, që Patriarkët, Profetët, Apostujt e vetë Krishti e kanë bekuar me praninë e me predikimin e tyre, dëshiron një paqe të qëndrueshme, të cilën Fjala e së Vërtetës, e dëgjuar dhe e jetuar, ka aftësinë ta vendosë”.
1600 vjet pas vdekjes së Shën Maronit, themelues i bashkësisë katolike libaneze, objektivi i pasardhësve të tij nuk ka ndryshuar, pohoi më pas Benedikti XVI. Ai është rrënjosja e Krishtit në ndërgjegjet e njerëzve. Vazhdojeni këtë impenjim, i këshilloi Papa ipeshkvijtë, “duke u ofruar, sidomos të rinjve, formimin njerëzor e shpirtëror, moral e intelektual”, përmes përdorimit të rrjetit shkollor e katekistik maronit, të cilit ia njoh cilësinë. E shtoi:
“Uroj me gjithë zemër, që roli juaj në formimin e tyre të njihet gjithnjë e më mirë nga shoqëria, në mënyrë që vlerat themelore të përçohen pa diskriminime. Kështu, të rinjtë e sotëm do të bëhen burra e gra me përgjegjësi në familje e në shoqëri, për të arritur një solidaritet e një vëllazërim më të madh ndërmjet të gjitha përmasave të kombit”.
Papa falenderoi për punën e bërë patrikun, që e lë detyrën, kardinalin Nasrallah Pierr Sfir dhe të gjithë Kishën libaneze për bashkimin e saj me selinë e Shën Pjetrit. Së fundi, i nxiti patrikun e ri dhe ipeshkvijtë maronitë të mendojnë më shumë për formimin e meshtarëve dhe të të rinjve, që duan t’ia kushtojnë jetën Zotit, sidomos duke dhënë shembullin personal e duke qenë dëshmitarë të vërtetë të Fjalës së Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.