2011-04-14 06:00:28

Libi: të krishterët kërkojnë ndalimin e gjakderdhjes


Kishat e krishtera të Tripolit kërkojnë “ndaljen e menjëhershme dhe të pakusht të armëve nga të gjitha palët e përfshira në konflikt”. Kështu pohon një deklaratë e Këshillit Ekumenik të Kishave të kryeqytetit të Libisë që u dorëzua sot pranë zyrës së Kombeve të Bashkuara në këtë vend. “Dhuna e gjakderdhja duhet të marrin fund menjëherë, sepse lufta nuk është zgjidhja e problemeve”, pohon dokumenti i Kishave të krishtera, shkruan në gjuhën arabe e angleze, i cili iu dërguar edhe agjencisë së Vatikanit Fides nga imzot Giovanni Innocenzo Martinelli, Vikar Apostolik i Tripolit.
Në hyrje të këtij dokumenti pohohet:” si bashkësi besimtarësh jemi thellësisht të trishtuar nga ngjarjet tragjike që kanë ndodhur kohëve të fundit e që janë duke i shkaktuar vuajtje të padurueshme, frikë e trishtim popullit të këtij vendi, të cilit me këtë deklaratë duam ti shprehim solidaritetin tonë”.
Prandaj, Kishat e krishtera kërkojnë “ndaljen e menjëhershme e të pakusht të armëve nga të gjitha palët që janë të përfshira në konflikt dhe ndihmën humanitare për viktimat”. Më tej thuhet se “dialogu e pajtimi duhet të jenë udha që lypet përshkuar për të gjetur një zgjidhje miqësore e për të rivendosur paqen”. “Për këtë – vijon mesazhi – mbështesim çdo përpjekje e nismë të pleqve të Vendit, të cilët i njohin mirë ndjenjat e vërteta dhe aspiratat e popullit libian, e të të gjitha organizatave tjera ndërkombëtare, që kanë si qëllim ndërtimin e besimit për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore”. “Do të vazhdojmë ti lutemi Zotit me të gjithë myslimanët libianë që luftojnë për paqe e drejtësi në këtë moment të vështirë të historisë së Vendit të tyre”, përfundon dokumenti.







All the contents on this site are copyrighted ©.