2011-04-14 17:19:17

Kremtimet e Javës së Shenjtë të Pashkëve që do të kryesohen nga Papa Benedikti XVI


Ritet e Javës së Shenjtë të Pashkëve, që Papa Benedikti XVI do t’i kryesojë fillojnë më 17 prill, të Dielën e Larit. Kremtimi i riteve të shenjta fillon me bekimin e degëve të ullirit e të palmave, vijon me procesionin në përkujtim të hyrjes së Jezu Krishtit në Jerusalem, pason kremtimi i Meshës dhe kumtimi i historisë së mundimeve dhe vdekjes së Jezu Krishtit mbi Kryq.
Po të Dielën e Larit, shënohet edhe festa e Ditës së 26-të botërore të rinisë, në nivelin dioqezan me temen:"Të rrënjosur e të themeluar në Krishtin, të fortë në fe " (khs Kol 2,7)
Gjatë javës shenjte e të madhe, prologu i Treditëshit të Pashkëve është Mesha e Bagmit e së Enjtes së Madhe të Pashkëve, që Papa e kremton së bashku me kardinajt, ipeshkvijtë dhe meshtarët në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, në orën 9.30.
Po të Enjten e Madhe të Pashkëve, pasdite në orën 17.30 në Bazilikën e shën Gjonit në Lateran, do të kremtohet Mesha e Shenjtë ‘in Coena Domini ‘– ‘Darka e Krishtit’ me apostuj me ritin e larjes së këmbëve të 12 meshtarëve, e siç është traditë ofertat e kësaj Meshe do të jenë për viktimat e Japonisë së goditur nga tërmeti e cunami.
Të Premten e Madhe të Pashkëve, në orën 17, Ati i Shenjtë do të kremtojë Liturgjinë e Fjalës së Zotit, me adhurimin e Kryqit dhe ritin e ndarjes së Kungimit të Shenjtë. Më pas, në orën 21.15 pranë amfiteatrit romak Koloseum, arenë e martirizimit të të krishterëve të parë, Papa do të kryesojë Udhën tradicionale të Kryqit.
Riti i së Shtunës së Madhe të Pashkëve, pra kremtimi i Natës së festës Pashkëve, do të fillon në orën 21 në Bazilikën e Vatikanit gjithnjë në udhëheqjen e Papës.
Benedikti XVI do të bekojë zjarrin e ri jashtë, pra, para Bazilikës së Shën Pjetrit, më pas vijon hyrja me procesion brenda në Bazilikë me qiriun e Pashkëve që sjell Dritën e Krishtit të Gjallë dhe me këngën e ‘Lajmit të Gëzueshëm’- ‘ Exsultet’, kremtimi vijon pastaj me Liturgjinë e Fjalës së Zotit, me kremtimin e Sakramentit të Pagëzimit dhe të Eukaristisë Shenjte.
Të Dielën e Pashkëve, më 24 prill, Papa do të kremtojë Meshën Shenjte të Ngjalljes së Krishtit në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit duke filluar nga ora 10.30, e më vonë, në ora 12.00 nga Llozha qendrore e Bazilikës së Vatikanit do të japë bekimin apostolik të Pashkëve Urbi et Orbi – Romës e Botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.