2011-04-13 17:01:30

Të gjithë shenjtorët e Papës: gjatë audiencës së përgjithshme Benedikti XVI kujton se dashuria është shpirti i jetës së krishterë.


“Shenjtëria nuk kërkon heroizma të jashtëzakonshme”. Këtë ripohoi sot paradite Papa, në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, përqendruar tek tema e shenjtërisë. Shenjtorët, nënvizoi Benedikti XVI, janë krejt të ndryshëm njëri nga tjetri. Ndërmjet tyre ka edhe shenjtorë të thjeshtë, domethënë njerëz të mirë, që i takojmë gjatë jetës e që nuk do të lartohen kurrë në nderimet e elterit. Janë njerëz normalë, në se mund të shprehemi kështu. Jetojnë qetë-qetë e, në dukje, nuk kanë asgjë të përbashkët me heronjtë e me heroizmin. Por në mirësinë e tyre të përditshme shkëlqen e vërteta e fesë.
Me katekizmin e sotëm Benedikti XVI përfundoi ciklin kushtuar figurave më të rëndësishme të lashtësisë së krishterë, me pohimin se ata na ftojnë të gjithëve të ecim mbi gjurmët e tyre.
Duke folur në gjuhën angleze, Papa i drejtoi një videomesazh përshëndetjeje pjesëmarrësve në takimin e tretë australian të familjeve, në Melburn.

Historia e krishterë, është histori e shenjtorëve-ikonë, yje të ndritshme, në kupën e qiellit të Kishës. E është edhe histori e shenjtorëve të panjohur, të fshehtë, pa elter, pa devocione e pa heroizma të dukshme, që megjithatë, me mirësinë e tyre, i ndriçojnë njerëzit, që takojnë në rrugët e ndërlikuara të jetës: njerëz që, nganjëherë, mund të jenë vetë papa. E theksoi këtë Benedikti XVI, në një nga fragmentet më prekëse të audiencës së përgjithshme, kushtuar krejtësisht shpjegimit të së vërtetës së lashtë, e gjithnjë të re: shenjtëria u përket të gjithëve. Të gjithë mund të bëhen shenjtorë, mjafton që të duan Zotin e të afërmin. Duke nënvizuar, nga fundi i katekizmit, se shenjtorët, që kremton Kisha, janë shembuj për t’u imituar, Papa bëri këtë dallim:
Për mua jo vetëm disa shenjtorë të mëdhenj, të cilët i dua e i njoh mirë, janë njerëz që tregojnë udhën, por edhe shenjtorët e thjeshtë, njerëzit e mirë, që takoj gjatë jetës, të cilët nuk do të lartohen kurrë në nderimet e elterit. Njerëz normalë, që nuk bëjnë kurrfarë heroizmi të dukshëm, por që, me mirësinë e tyre të përditshme, pasqyrojnë të vërtetën e fesë. Kjo mirësi, e fituar përmes fesë së Kishës, për mua është apologjia e krishterimit dhe shenjë, që tregon se ku mund të gjindet e vërteta”.
Na tregojnë udhën! Një udhë impenjative, sigurisht, por jo të papërshkueshme. Do të ishte gabim ta shikonim me këtë sy e të mendonim se shenjtëria është cak, ku arrijnë shumë pak njerëz; se ky cak u përket vetëm të zgjedhurve. Ndërsa Shën Pali na kujton: “Shenjt është Jezusi e atëhere kushdo, duke u bashkuar me të, mund t’i rrijë pranë, mund të shikojë, të dëgjojë e të prekë Zotin vetë:
“Shenjtëria nuk kërkon heroizma të jashtëzakonshme. Kërkon të jemi të bashkuar sa më shumë me Jezusin, t’i jetojmë misteret e Tij, të sillemi, të mendojmë e të veprojmë si Krishti. Shenjtëria matet me praninë e Krishtit në shpirtin tonë, me forcën e Shpirtit Shenjt, që na ndihmon ta modelojmë jetën tonë, sipas jetës së Tij”.
Por, a mjaftojnë forcat njerëzore, personale, që njeriu t’i përgjigjet thirrjes për shenjtëri? Përgjigjja, tha Papa, është e qartë. Forca vjen nga lart e hyn në shpirtin e njeriut përmes hirit hyjnor, përmes sakramenteve, duke nisur nga Pagëzimi:
“Një jetë shenjte nuk është vetëm fryt i përpjekjes sonë, i veprave tona, sepse është Zoti, tri herë i Shenjtë (cfr Is 6,3), që na bën të shenjtë, është veprimi i Shpirtit Shenjt, që na gjallëron, është vetë jeta e Krishtit të Ngjallur, që na hyn në shpirt e na shndërron (…). Por Hyji e respekton gjithnjë lirinë tonë, kërkon ta pranojmë këtë dhuratë e ta jetojmë si dëshiron Ai, kërkon të pranojmë të shndërrohemi nga veprimi i Shpirtit Shenjt, duke e bërë vullnetin tonë një, me atë të Hyjit”.
Por, si mund të arrijmë që veprimet tona të përkojnë plotësisht me ato të Krishtit? Papa iu përgjigj kësaj pyetjeje me fjalët e Koncilit II të Vatikanit, për të cilin shenjtëria nuk është tjetër, veçse dashuri e krishterë, e jetuar plotësisht. E kjo do të thotë të jetosh sipas stilit të krishterimit, të kryesh detyrat, që të ngarkon feja e krishterë, të cilat Papa i kujtoi, duke i porositur të gjithë besimtarët të mos i lënë kurrë pas dore:
“Kryesore është të mos e lësh asnjë të diele pa takimin me Krishtin e Ngjallur në Eukaristi; kjo nuk është barrë e rëndë, por dritë, që ndriçon gjithë javën. Pastaj të mos e nisësh as të mos e përfundosh kurrë ditën, pa një takim sado të shkurtër me Zotin; e kur duhen marrë vendime, të ecësh pas shenjave të udhës, që t’i tregon vetë Zoti e që janë format e ndryshme të dashurisë së krishterë”.
Ne, të krishterët, pohoi Papa, jemi si gurët e mozaikut të madh, që krijon Zoti në histori. E përfundoi me fjalët:
“Nuk kemi frikë të synojmë lart, drejt lartësive të Zotit; nuk kemi frikë se Zoti do të na kërkojë shumë: ta lëmë, prandaj, të na prijë, me fjalën e tij, në të gjitha veprimtaritë e përditshme, edhe pse e ndjejmë veten të varfër, të padobishëm, mëkatarë: mos kini frikë: ai do të na shndërrojë, me forcën e dashurisë së Tij”.
Në shkurtoren e katekizmit, në gjuhën angleze, është për t’u vënë në dukje videomesazhi, që Benedikti XVI u drejtoi përfaqësuesve të familjeve australiane të cilët, nga e premtja, deri të dielën e ardhshme, do të marrin pjesë në takimin e tyre të tretë kombëtar, që do të mbahet në Melburn:
“This important event is an occasion…
Kjo ngjarje e rëndësishme, është për ju rast jo vetëm për të dëshmuar lidhjet e dashurisë në gjirin e familjeve, por edhe për ta dashur gjithnjë më shumë familjen e madhe të Hyjit, që është Kisha, për t’u bërë, kështu, protagonistë të një njerëzimi të ri, të një kulture të re, kulturë e dashurisë edhe e bashkimit, e jetës dhe e paqes, duke i dhënë lumni Hyjit, Atit tonë, në çdo çast të jetës”.
Ndërmjet grupeve, Papa përshëndeti posaçërisht rregulltaret e Kongregatave, që marrin pjesë në kursin, organizuar nga USMI dhe motrat dishepulle të Mësuesit Hyjnor, të mbledhura në kapitullin e tyre të përgjithshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.