Roma e Papa i Lum: në Kapitol flitet për shërbimet dhe manifestimet e ngjarjes së
madhe të 1 majit.
(13.04.2011 RV)Numri i shtegtarëve, që priten në Romë për ngjarjen e madhe
të 1 majit, mund ta kalojë milionin. E, kuptohet, shtegtarët do të jenë të pranishëm
para e pas 1 majit e qyteti dëshiron të jetë gati, për t’i pritur sa më mirë. Dje,
në Kapitol, u paraqitën manifestimet dhe shërbimet, që do t’u ofrohen shtegtarëve
në këtë çast të madh feste, në përpjekjen për të krijuar një atmosferë sa më të përzemërt
e mikpritëse e për ta bërë sa më të njohur figurën e madhe të Gjon Palit II, edhe
si ipeshkëv i Romës e si mik i gjithë shoqërisë, edhe asaj laike e jo katolike. Këto
janë objektivat, mbi të cilat vuri theksin kryetari i bashkisë, Gianni Alemanno dhe
mëkëmbësi i Papës për dioqezën e Romës, kardinali Agostino Valini. “Unë ju kërkova,
e ju erdhët. Prandaj ju falënderoj”: janë fjalët e Gjon Palit II, të cilat i prijnë
në këto orë makinës së madhe organizative. Kjo makinë, ndërmjet datave 30 prill e
2 maj, do ta bëjë Romën qytet, që ia hap në dy kapakët portat mbarë botës. Roma do
të jetë, këto ditë kulmore pranvere, Qytet i hapur, në kuptimin më gazmor të kësaj
fjale! Mobilizimi, që për herë të parë bazohet në bashkëpunimin, edhe financiar,
të Veprës Romake të Shtegtimeve me Komunën - është i përgjithshëm. Për informim do
të funksionojnë qendra telefonie me numër 060608, një faqe e posaçme interneti në
Portalin Roma Capitale (Roma Kryeqytet) e, sidomos, 35 pika mikpritjeje, të shpërndara
në të gjithë territorin, në mënyrë që, qysh nga çasti i arritjes e deri në çastin
e lamtumirës, besimtarë e turistë ta ndjejnë se janë të mirëpritur, të rrethuar nga
një atmosferë pozitive, por edhe e thjeshtë. Do të jetë atmosferë e shenjtërisë së
një njeriu tejet të madh e, njëkohësisht, simbol i thjeshtësisë. Kështu e shpjegon
atmosferën e pritjes së shtegtarëve, kryetari i bashkisë së Romës, Gianni Alemanno: “Pikërisht
që të vihet në dukje me forcë të veçantë vlera njerëzore e shpirtërore e kësaj ngjarjeje
të madhe, nga pikëpamja materiale duhen ulur tonet. Thjeshtësi, pra, përkorje, kursime
e shërbim vullnetar. Vullnetarët do të jenë protagonistët kryesorë të këtyre ditëve:
do të jenë së bashku vullnetarët e Romës, rreth 3.500 vetë, me vullnetarët e Veprës
Romake të Shtegtimeve e vullnetarët e Unitalsit. Do të jenë të pranishëm në të katër
anët e Romës, për të pritur e për të drejtuar shtegtarët”. Përkrah vullnetarëve,
do të jetë edhe shërbimi i përforcuar i emergjencës, me rreth 200 pika shërbimi e
7 zona të ndihmës së shpejtë. Shërbimi i pastrimit të qytetit do të jetë në gatishmëri
gjatë 24 orëve ndërsa, për të lehtësuar lëvizjen, në dispozicion të shtegtarëve do
të vihen 150 mjete publike më shumë se zakonisht. Mjetet e transportit do të lëvizin
ditë-natë në drejtime të ndryshme, duke krijuar lidhje të rregullta e të vazhdueshme
aeroport–qytet. Gjatë tri ditëve të festës, shtegtarët do të kenë në dispozicion 5.046
vende autobusi. Por – siç theksojnë, me të drejtë, organizatorët, suksesi i shërbimeve
nuk duhet parë i shkëputur nga karakteri shpirtëror i ngjarjes së madhe, që është
edhe kryesori. Këtë e theksoi kardinali Agostino Valini: “Lumnimi
i Gjon Palit II është ngjarje e madhe shpirtërore; ai ishte dëshmitar modern i Ungjillit.
Gjon Pali II pohoi, shkroi e mësoi se kush dëshiron të jetë njeri i vërtetë, mund
ta realizojë këtë dëshirë, vetëm përmes besimit në Krishtin e vdekur e të ringjallur.
Ai vetë e jetoi dhe e dëshmoi këtë të vërtetë, e ky është edhe mesazhi i madh, ose
mund të themi, edhe ushqimi i madh, për të cilin ka aq shumë nevojë njerëzimi. Prej
këndej, lumnimi i tij është vërtet rast për ta falënderuar Zotin, që ia dhuroi këtë
dëshmitar të madh të fesë, Kishës e botës. Por edhe për të medituar, për të reflektuar
e për ta shikuar si model, që duhet imituar". Kardinali kujtoi edhe
tri etapat fetare të programit: mbrëmësoren e lutjeve të së shtunës, 30 prill, në
Circo Massimo, për t’u lutur me Gjon Palin II, duke përshkuar të pesë kontinentet,
në trojet e të cilave shkeli gjatë shtegtimeve të tij; kremtimi i Lumnimit, të dielën,
me nderimin e relikeve, që do të pasohet nga Mesha Shenjte e falënderimit, më 2 maj.
Por Gjon Pali II, kujtoi kardinali, përveçse njeri, që i përkiste botës, ishte edhe
njeri që i përkiste Romës, ishte ipeshkvi i Romës, i dashur e i lidhur thellësisht
me Qytetin. E jo vetëm me katolikët, por me gjithë shoqërinë laike e jo katolike,
që e popullon. Ky aspekt do të jetë zemra e koncertit të 2 majit, në Sheshin e Kapitolit,
pasuruar edhe me dëshmitë e Rabinit Toaf; sekretarit privat të Gjon Palit II, kardinalit
Dgjivish dhe zëdhënësit të asokohshëm të Sallës vatikanase të Shtypit, Navarro-Valls.
Ndërsa dy ekspozita fotografike do të pasqyrojnë aspekte të ndryshme nga jeta
e të Lumit të ri: e para, që do të hapet në sheshin romak Repubblica, titullohet “Karoli,
Papa i popujve”; e dyta, në Muzetë Kapitoline, “Në elterin e Zotit”. Por të dëgjojmë
edhe këshilltarin e Bashkisë për kulturën, Dino Gasperini: “Do të
jetë festë e madhe, në të cilën do të dialogojnë shprehje të ndryshme artistike, në
gjirin e manifestimeve të ndryshme. Papa nuk ishte vetëm artist. Në radhë të parë
ishte papa i parë, që u mat me mediat; papa i parë, që u duk në internet; papa i parë,
që foli nga pjesa tjetër e botës, duke përdorur kanalet e komunikimit, i pari që na
e la edhe perëndimin e jetës, të shprehur me gjuhën e artit. Besoj se është e drejtë
të nderohet sa më mirë, duke pasur parasysh kush ishte e çfarë bëri”.